Prokuroria amerikane kërkon që materialet e gjyqit të mos jenë publike

100
Sigal

Prokuroria e Distriktit të Columbias në Amerikë ka kërkuar në gjykatë që materialet dhe dokumentet e tjera që do të shqyrtohen në gjyqin ndaj ish-drejtuesit të Kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, të mos bëhen publike.

Siç shihet në këtë dokument të publikuar në media, organi i akuzës kërkon që të nxirret një urdhër mbrojtje për të mbrojtur informacionet që do të dalin në gjyq.

Në Shqipëri, arrestimi i ish-drejtorit Charles McGonigal është kthyer në një flamur beteje të opozitës dhe kryeministrit Edi Rama i është kërkuar llogari për miqësinë dhe takimet e tij me ish-drejtorin e FBI.

Vendimi i Prokurorisë së Distriktit të Columbias do të thotë se informacionet për këtë çështje tashmë do të mbyllen, nëse gjykata pranon kërkesën, dhe edhe ato dokumente që prekin Shqipërinë nuk do të mund të dalin më në media e në publik.

Organi i akuzës i ka vënë në dukje Gjykatës amerikane se vendimin për mbyllje të informacionit e ka marrë bashkë me avokatët mbrojtës të ish-drejtorit Charles McGonigal. Nuk dihet nëse ky është një veprim i palës mbrojtëse për të bllokuar Kongresin, apo për të mos ekspozuar në media takime dhe raste të dyshuara korrupsioni.