Prof. Ilia Larti: Politika përgjegjëse për neglizhencën e fëmijëve në shkolla

– Politika mban përgjegjësi për dhunën, abuzimin, neglizhencën, dhe keqtrajtimin, që u bëhet fëmijëve në shkolla

-Tek ne shteti nuk i jep përparësi sigurisë dhe shëndetit mendor të fëmijëve

Sigal

Dhuna është e dëmshme për çdo shoqëri, ndaj kërkon mobilizimin dhe përkushtimin e shtetit për ta parandaluar dhe për ta trajtuar me efikasitet

-Neglizhenca dhe mosveprimi i shtetit ndaj dhunës paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut, që garantohen me konventat ndërkombëtare.

 Prof. Assoc. Ilia Larti

Dhuna është problem global dhe i kalon kufijtë gjinorë, të racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimit politik ose mendimeve të tjera, origjinës kombëtare ose sociale, pronës, lindjes, orientimit seksual, gjendjes shëndetësore, nevojave të veçanta a ndonjë statusi tjetër. Si e tillë, dhe e dëmshme për çdo shoqëri, dhuna kërkon mobilizimin dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore për ta parandaluar dhe për ta trajtuar me efikasitet. Në të kundërtën, neglizhenca dhe mosveprimi i institucioneve paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut, që garantohen me konventat ndërkombëtare. Të gjitha format e dhunës, abuzimit, neglizhencës, dhe keqtrajtimit, që rrezikojnë ose dëmtojnë integritetin fizik, mental dhe moral të fëmijës, përbëjnë një shkelje të të drejtave themelore të fëmijës, të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës. Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, veçanërisht në nenin 19 të saj, parasheh detyrimin e qartë, që shtetet t’i mbrojnë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, në të gjitha kohët dhe rrethanat. Ndonëse, legjislacioni në fuqi, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet relevante sektoriale, e sanksionojnë dhunën bazuar në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës/njeriut, prapëseprapë inspektimet, hulumtimet dhe projektet nëpër vite kanë evidentuar praninë e dhunës në nivele të ndryshme, si dhe në relacione të ndryshme brenda shoqërisë sonë. Hulumtimet dhe projektet brenda institucioneve arsimore nxorën në pah dhunën në shkolla, në forma të ndryshme, si: fyerje nga ana e arsimtarit, ndëshkim fizik, fyerje dhe ngacmime ndërmjet nxënësve, nënçmim ndaj arsimtarëve, ndalim i shprehjes së lirë, si dhe shkaqe e faktorë si nga ata individualë, ashtu edhe familjarë dhe shoqërorë, ku këta të fundit lidhen kryesisht me pasojat e luftës, pabarazinë shoqërore-ekonomike, urbanizmin dhe mbipopullimin, zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe teknologjik, disponueshmërinë e armëve, etj. Në mënyrë të veçantë, sa i përket faktorit shkollë, janë evidentuar mangësi në respektimin e ligjit, të rregullave shkollore, të kodit të mirësjelljes, si dhe të udhëzimeve administrative, që e rregullojnë funksionimin e sistemit të arsimit dhe krijimin e raporteve të shëndosha në relacionin nxënës-arsimtar, nxënës-nxënës, udhëheqës-arsimtar dhe prind-arsimtar. Për ta adresuar dhe tejkaluar këtë problematikë, Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Parauniversitar, i cili përcakton detyrimet, qartëson rolet dhe procedurat e institucioneve për parandalimin, identifikimin, mbledhjen e të dhënave, referimin, trajtimin dhe raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e arsimit parauniversitar.

Njohja e sjelljeve të dhunshme..

Zhvillimi kognitiv: Fëmijët në këtë moshë e zhvillojnë stilin e të menduarit operacional konkret. Ata mund të manipulojnë lirshëm me simbole. Gjithashtu, fillojnë të zhvendosen pak, drejt një manipulimi më abstrakt të tyre. Gjatë kësaj moshe, përsoset aftësia e konservimit të sasisë. Rezonimi i tyre bëhet më i saktë. Në këtë moshë fillon të zhvillohet ideja për pandryshueshmërinë e identitetit (gjërat mbeten ashtu siç janë). Fëmijët e kësaj moshe fillojnë të argumentojnë logjikshëm. Në këtë moshë, fëmija mund të decentralizohet, që do të thotë se mund t’i konsiderojë gjërat nga perspektiva e dikujt tjetër.

Zhvillimi emocional: Kënaqen kur janë me shokët dhe mendimet e shoqërisë bëhen përherë e më të rëndësishme. Fitojnë një sens sigurie, duke u ndarë në grupe. Mund të kenë shpërthime emocionale, si p.sh. të zemërimit. Bëhen pak të padurueshëm dhe kërkojnë plotësim të menjëhershme të dëshirave. Në moshë 7 a 8 vjeçare fëmijët zhvillojnë tri vetë-vlerësime të ndryshme për veten, atë: akademike, fizike dhe sociale; dhe kjo, në moshat e mëvonshme rafinohet edhe më shumë. Në këtë moshë fillojnë të krijohen shoqëritë më të ngushta me nga 2, 3 a 4 anëtarë dhe tentojnë të veçohen, si dhe rezistojnë të pranojnë vajza ose djem të rinj në grup. Preferojnë të shoqërohen ende me gjininë e njëjtë, edhe pse kanë shumë informata për dallimet gjinore.

Procesimi i informacionit: Fëmijët në këtë moshë mund të lexojnë dhe të absorbojnë fjali të plota, por natyrisht të thjeshta. Mund të bëjnë mbledhje dhe zbritje. Në këtë moshë, fëmijët janë në gjendje t’i kuptojnë elementet, që mund t’i paraprijnë konflikteve të ndryshme, përfshirë edhe atyre fizike. Me ata mund të punohet për të parë se si reagojnë kur ata zemërohen ose cilat janë alternativat ndaj këtyre reagimeve. Kapaciteti i tyre e mundëson zhvillimin e aktiviteteve, që kanë në përmbajtje shkak-pasojë, konflikte dhe diskutim për ndjenja. Kur ndërveprojnë me të tjerët ata kënaqen kur i ndajnë opinionet e tyre për tema të ndryshme. Ata e kanë të zhvilluar sensin e vetëbesimit dhe mund ta shfaqin frustrimin e tyre, si përgjigje ndaj temave dhe çështjeve ku ata janë të dobët. Fëmijët 8 vjeçarë e kuptojnë konceptin e maskimit të emocioneve dhe përdorin strategji të ndryshme, që t’i fshehin emocionet e tyre, kur gjinden në situata të papëlqyeshme

 

Paragjykimi dhe diskriminimi

Zhvillimi kognitiv: Në këtë moshë fillon faza e zhvillimit të të menduarit operacional formal. Gjatë kësaj moshe, fëmijët përjetojnë pozitivisht mundësinë për të marrë më shumë vendime për veten e tyre dhe për të marrë përgjegjësi shtesë, të cilat ua fuqizojnë ndjenjën e arritjes së moshës madhore. Atyre u pëlqen t’i shfaqin aftësitë dhe talentet e tyre dhe shpeshherë përfshihen, në mënyrë intensive, në aktivitete argëtuese dhe aktivitete të lira, të cilat i theksojnë pasionet e tyre. Të menduarit fillon të bëhet më i logjikshëm dhe janë në gjendje të manipulojnë me koncepte hipotetike, si: mundësia për t’i paramenduar rezultatet e ndryshme, të mundshme, në rrethana të veçanta.

Zhvillimi emocional: Fëmijët fillojnë të tregojnë shenja më të mëdha të zhvillimit të durimit dhe aftësive për të toleruar frustrimin dhe vonesën në marrjen e asaj që ata duan. Në të njëjtën kohë, ata mund të jenë më përgjegjës për impulset/reagimet e papritura, gjykimet e varfra, në raste të caktuara, argumentimin dhe sfidimin e opinioneve të marra. Mospërputhje të tilla janë pjesë përbërëse e sfidës së zhvillimit të identitetit të pavarur. Fëmijët në këtë moshë fillojnë të bëhen më pak të varur emocionalisht nga prindërit dhe më të aftë për të menduar dhe vepruar në mënyrë të pavarur. Po ashtu, fillojnë të marrin dhe t’i ndjekin vendimet e tyre, t’i zhvillojnë parimet e tyre morale, në mënyrë që të bëhen të aftë si të rritur të vetë-mjaftueshëm. Edhe pse, ende do të ndikohen nga vlerat dhe udhëzimet e prindërve të tyre, dëshirojnë që të lidhen më shumë me miqtë sesa me familjen.

Procesimi i informacionit: Fëmijët e moshës 12, 13 vjeçare kanë ndërveprime më të kontrolluara dhe jo aq euforike sa moshat e mëhershme. Tani, ata kanë koncepte më të qarta dhe çështjet i adresojnë pa nguti. Përpunimi i informacioneve është më i plotë dhe më i kontrolluar, si dhe kanë kapacitet më shumë për ta njohur identitetin e vet, duke ndërtuar stilin e vet të sjelljeve dhe të veshjes. Fëmijët e kësaj moshe janë në gjendje, në mënyrë më të matur dhe të organizuar, të reagojnë dhe të marrin iniciativa për raste të shkeljeve dhe të diskriminimit, me hapa konkretë dhe kanë durim të presin rezultate. Përderisa, rastet diskriminuese i “luftojnë” në një farë mënyre, kurse për raste të paragjykimeve sikur ende nuk tregojnë aq interesim për t’i mënjanuar dhe shpesh u besojnë atyre, si dhe nuk përpiqen të bëjnë dallimin midis asaj se kur paragjykimet janë pozitive dhe kur janë negative. Kjo ndodhë, mbase mosha e tyre kërkon që domosdoshmërisht të arrihen synimet e dëshiruara.