Zbulohet “shtëpia e barit” në Vorë, arrestohet 33-vjeçari, e përfshirë në aktivitet edhe një punonjëse e…

228
Sigal

Një “shtëpi bari” është zbuluar në Vorë, ku policia arrestoi një 33-vjeçar, i cili, shtëpinë e marrë me qira e kishte përshtatur për të kultivuar lëndën narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga shtetasi F. B., shërbimet e Policisë kanë evidentuar një ambient me pajisje të ndryshme elektrike, që po përshtatej për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, që furnizoheshim me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Për zhvillimin e këtij aktiviteti kriminal janë përfshirë edhe persona të tjerë, mes tyre edhe një punonjëse e OSHEE.

“Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike, vazo të ndryshme, peshore elektronike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe dy aparate celulare”, thotë policia.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hill”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë.

Goditet një rast i përshtatjes së ambienteve, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në Kodër Vorë, një shtetas kishte përshtatur banesën, si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hill”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:

– F. B., 33 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe “Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit:

– A. Gj., 32 vjeç, banues në Don Bosko, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– Sh. D., 55 vjeçe, banuese në Vorë, me detyrë faturiste pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga shtetasi F. B., shërbimet e Policisë kanë evidentuar një ambient me pajisje të ndryshme elektrike, që po përshtatej për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, që furnizoheshim me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Shtetasi A. Gj. ishte në dijeni të këtij aktiviteti kriminal dhe nuk ka kallëzuar krimin, ndërsa punonjësja e OSHEE-së, shtetasja Sh. D. nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike, vazo të ndryshme, peshore elektronike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe dy aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.