Prof. Elmaz Sherifi & Doc. Odise Çaçi: Gazeta “Telegraf”, aty ku pasqyrohen arritjet dhe kritikat ndaj tre pushteteve të shtetit tonë

Me rastin e 20-vjetorit të gazetës Telegraf flasin Prof. Elmaz Sherifi dhe Doc. Odise Çaçi:

Albert Z. ZHOLI

Këto ditë gazeta Telegraf mbush 20-vjet në treg. Dy dekada ajo ka informuar publikun e gjerë shqiptar me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Në një botë që karakterizohet gjithnjë e më shumë nga shkëmbimi i shpejtë i informacionit, roli i gazetarisë nuk ka qenë kurrë më kritik se sot. Gazetarët e Telegraf kanë shërbyer si roje dhe informues, duke vendosur pushtetin përpara përgjegjësisë, ndërsa iu kanë ofruar publikut informacionin e nevojshëm. Ja si shprehen për gazetën Telegraf Prof. Elmaz Sherifi dhe Doc. Odise Çaçi:

NOA

Prof. Elmaz Sherifi:

Gazeta “Telegraf”, aty ku pasqyrohen arritjet dhe kritikat ndaj tre pushteteve të shtetit tonë

Shtypi duhet të largohet nga propagandimi i ” sukseseve” të qeverisë dhe këtë e ka bërë Telegraf

– Në vitin 1920 klasa e re politike kishte vesin e vjetër, që pushtetin e bazonte te “numëri i pushkatarëve” mbështetës, dhe te gazetarët që i shërbenin,

Shoqëritë demokratike janë ndërtuar mbi parimet që formuloi Moneskie te Fryma e Ligjeve ku pushtetet e shtetit të së drejtës, pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor duhet ta kryejnë funksionin e tyre në pavarësinë kushtetues, duke qenë të ndara, të balancuara e të kontrolluara vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Frederik Engels, duke bërë përgjithësime të qeverisjes, foli edhe për një pushtet të katërt, median, e cila duhet të informonte publikun për veprimtarinë e pushteteve dhe të realizonte me objektivitet kritikën ndaj tyre. Pra, media ka rol informues, dhe gazetari duhet të jap opinionin e tij si funksionojnë tre pushtetet e shtetit, por kurrë nuk duhet të luaj rolin e propaganduesit e të shndërrohet në zëdhenës i institucioneve të shtetit, e aq më keq t’u shërbejë atyre. Kur filloi jeta parlamentare në Shqipëri më 1920 studiues europian të interesuar për zhvillimet politike, aq sa ishin të befasuar nga ngritja e shpejtë e institucioneve të shtetit, konstatonin, se klasa e re politike kishte vesin e vjetër, që pushtetin e bazonte te “numëri i pushkatarëve” mbështetës, dhe te gazetarët që i shërbenin, atij që i paguante më shumë. Kjo fatkeqësi na shoqëron edhe pas 100 vjetëve. Që media ta kryejë misionin e vet, duhet të largohet nga propagandimi i ” sukseseve” të qeverisë, se ajo i ka me tepëri mjetet e paratë, për të trajtuar si sukses edhe dështimet, por, për të ruajtur statusin e paanësisë, duhet të vendos në “podium” popullin, jo militantët partiak, për të shprehur opinionin si funksionojnë pushtetet e shtetit. Fakti që ka rënë besueshmëria te “media e lirë”, do të thotë, se autoriteti kushtetues i pushteteve po shndërrohet në burim korrupsioni për “disinformuesit” opinion bërës. Shkalla e “lirisë” së medias dhe largimi i saj nga misioni informues kuptohet kur ajo nuk informon publikun edhe për ngjarjet më të bujshme ose mundohet t’i shërbejë qeverisë, ministrave e drejtorëve të akuzuar nga organi i akuzës, madje synon të deformojë nëpërmjet interpretimeve edhe njoftimet zyrtare. Qëndrimi kritik, oponenca, ndaj akteve të pushteteve të shtetit është mision i pushtetit të katërt, medias, cilësi që e konstaton lehtë te Gazeta “Telegraf”, ku pasqyrohen arritjet dhe kritikat ndaj tre pushteteve të shtetit tonë.

***

Doc. Odise Çaçi: Gazeta Telegraf është një gazetë me frymë kombëtare, shkruan për LANÇL, për figurat e qëndresën, është një gazetë model

Kam mbi 50 vjet që shkruaj në shtypin shqiptar nga gazeta “Zëri i Vlorës”, “Zëri i Rinisë”, “Hekurudha” dhe kohët e fundit botimi i disa librave universitare: Edukata qytetare, Bazat e edukimit Kulturor; Teoria dhe filozofia e edukimit; Metodikat e Historisë; Historia e Ballkanit; Ekologjia me bashkautor;Toponimia e Palasës; dhe librat me poezi “Kënga ime je Palasë ,“Palasa kjo Trojë e vogël buzë Jonit”, Monografi kushtuar djalit tim 25 vjeçar, ekonomist i lart, “Ç`u bëre o Alban djali” si dhe mbi 400 artikuj të botuar në shtypin ndërkombëtar, me tematika të ndryshme si dhe katër vëllimet me 1374 faqe : “Trajtesa Letrare e Historike” nën drejtimin e prof.dr.Bardhosh Gaçe, prof.dr.Nexhip Mërkuri dhe MSC Albert Habazaj. Sot kam titullin shkencor Docent i marrë në vitin 2009, miratuar nga MASH. Tani jam duke përgatitur librin “Kristomacia e Palasës” që nis në prehistori e në vazhdim…” kam analizuar mbi 300 vepra letrare e historike, libra nga vëndi dhe nga akademik botërorë… Por here pas here shkruaj dhe në gazetën Telegraf. Ju keni një ndjesi për pensionistët.  Psh. unë kam 35 vjet në arsim dhe 17 vjet në universitetin “Ismail Qemali” ku jam vlerësuar me llafe për punë të mirë, por asnjë vlerësim, siç u pa në 30 vjetorin e Universitetit të Vlorës, ku rendin pas atij që ka bërë vetëm një libër, dhe kjo i ngjan vezës së Strucit me atë të pulës: Populli është pa ujë, burimet e ujit i marrin “Oligarkët” si rasti i Manes në Palasë, që mori burimet e Dhikrës dhe Vurlesë, duke e lënë fshatin gjatë beharit të lahet me kanaçe, apo rasti Kuçit dhe i Tragjasit. Janë bërë investime në ujësjellësa, por ujë nuk kanë sjell. Gazetarët duhet të jenë në terren si në Palasë deri në Himarë, ku kanë qënë qytetërime që u shkatërruan nga Pal Emili, por që ka gjurma të lashtësisë. Kur ska gazetarë në shumë qytete duhen  të kenë bashkëpunëtorët nëpër rrethe  si gazeta Telegraf. Bashkëpunëtorët kanë po atë status për situatat e ndryshme. Madje bashkkëpunëtorët  janë të shpërndarë kudo në atdhe dhe e japin lajmin direkt. Rasti i Himarës që u zbulua nekropoli dhe u nxituan ta mbulonin.Pse? Kush do e mbulonte dhe nga kush?! A ndikon në opinionin popullor dhe a shihet si domosdoshmëri informacioni në popull dhe jo vetëm? Populli e ka të domosdoshëm, por të njohur me Antigonenë, Butrintin, Kalanë e Vlorës, Kalanë e Kaninës dhe Orrikumit etj ku duhet të përfshihen realisht, pasi shumë vepra që gjënden po zhduken si Portiku i Dhërmiut. Pra këto problem duhen bërë present. Ndoshta shumë gjëra I gjen tek gazeta Telegraf. Është një gazetë me frymë kombëtare, shkruan për LANÇL, për figurat e qëndresën, është një gazetë model. Po ta marrë parasysh dhe vrejtjet e bëra nga ana ime do jetë Avangardë..