NOT/ Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku dhe trajnerë të ekipeve, tregojnë përgatitjet para veprimtarisë dimërore. Pritet pjesëmarrje e lartë e notarëve, M+F
Agron KAJA

Në datat 20 dhe 21 nëntor 2025 (të premten ora 17:00 dhe të shtunën në oraret 10:00-13:00 e 16:00 deri në mbyllje), sporti i Notit në Shqipëri thyen heshtjen pa veprimtari zyrtare. Pasi është mbyllur vera e nxehtë me garat e veprimtarive në pishinën e hapur 50 m, këtë herë notarët kthehen në pishinën e mbyllur 25 m të kompleksit “Te Stela”, ku do veshin kostumet dimërore të garimit. Sipas drejtuesve të FSHN-së, do të ketë pjesëmarrje të lartë me notarë të grupmoshave të ndryshme (M+F), me ekipe nga e gjithë Shqipëria. Ata do ta trazojnë ujin e kësaj pishine në një veprimtari që për fituesit, individë dhe ekipe, do ketë diploma përkatëse. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku iu dërgon urime të gjithë notarëve e trajnerëve, ku sipas tij, thyerja e rekordeve kombëtare është bërë si traditë në veprimtaritë kombëtare ku ata garojnë.
Z.President, sikur dukeni në qetësi pa veprimtari zyrtare, apo është ndryshe?
Nuk kemi qetësi sportive, sepse Noti edhe në çdo ditë ka “notuar”. Të gjithë notarët kanë qënë në aktivitet të plotë në ekipet e tyre përgatitore sipas stinës. Veprimtaritë zyrtare janë zhvilluar sipas kalendarit, ndaj besoj se jemi në ritëm.
Nga kampionati në pishinën 50 m e deri në këtë Kupë, çfarë kanë bërë ekipet në dy muaj pa veprimtari zyrtare?
Pas mbylljes së veprimtarive në pishinë 50 m në Durrës, notarët kanë qënë të pranishëm edhe në evente të tjera përgatitore e garuese, ku edhe kanë arritur kohë të mira. Ritmika e veprimtarive vazhdon, këtë herë me Kupën “Pavarsia”.
Në aspektin e garimit të notarëve, si i prisni rezultatet e tyre nga pishina 50 m në pishinën 25 m?
Ka një ndryshim në teorinë dhe praktikën e trajnerëve pas veprimtarive verore që zhvillohen në pishina të hapura 50 m. Para Kupës “Pavarsia”, notarët do ta kenë arritur përshtatshmërinë e tyre për garë. Ndaj rezultatet besoj se do jenë të mira.
Do të ketë pjesëmarrje të lartë, sikundër në vitin 2024 në këtë Kupë?
Kjo është veprimtaria e parë kombëtare në pishinën 25 m pas sezonit veror, si përherë pres pjesëmarrje të mirë. Në FSHN janë bërë regjistrimet e notarëve (M+F), por presim edhe notarë nga Kosova. Pavarësi me rekorde, kështu do uroja.
Cilat janë masat që keni marrë ju si federatë për zhvillimin normal të kësaj Kupe?
Masat tona si federatë janë të plota, si për çdo veprimtari tjetër. Vetë rregullorja i ka përcaktuar detyrat tona, dhe ne do jemi të gatshëm që t’i paraprijmë me sukses kësaj veprimtarie, me të gjithë organizimin e logjistikën e duhur për garë.
Do garojnë në këtë veprimtari edhe notarët që kanë kanë thyer rekorde e kanë përmirësuar rezultate në këtë kupë, prisni edhe këtë vit?
Po natyrisht, sepse të gjithë notarët e vitit të kaluar, si nga AN “Te Stela”, nga Tirana, Vllaznia dhe ekipet e tjera, në këtë kupë besoj se do të japin më të mirën e tyre. Ata do jenë bashkë me notarët e tjerë që do të garojnë në këtë veprimtari.
Si në çdo fillim veprimtarie, edhe për Kupën “Pavarsia” cili është apeli juaj për notarët garues e trajnerët e tyre?
Mendoj se duhet respektuar kjo veprimtari, e cila organizohet në prag të festës së flamurit tonë kombëtar. Do t’u uroja notarëve që të garojnë në mundësitë e tyre më të plota, të jenë rivalizues në garë dhe të mos u ndahen rekordeve kombëtare.
Noti shqiptar mbyll garat e vitit 2025 me Kupën “Klavio Meça”, e prisni një mbyllje me rekorde kombëtare?
Thyerja e rekordeve kombëtare nga notarët tanë, tashmë është bërë traditë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare ku ata kanë garuar. Kupa “Klavio Meça” do ta bëjë mbyllje me sukses të këtij viti, ku e mendoj një garë rekordemenësh.
Nuk jemi në fund të vitit 2025, por një reagim juaji si President i FSHN-së për gjithë vitin 2025, cili është?
Është pak shpejt për ta bërë këtë mbyllje, për mos e humbur traditën e fundvitit. Gjithsesi, në tërësinë e tij, viti 2025 ka qënë i suksesshëm për Notin shqiptar. Mbi bazën e arritjeve, ne do të shohim edhe dukuritë e tjera në përmirësimin e tyre.

Kalendari 2025 në fundin e tij
Veprimtari Kombëtare
Kupa “Pavarësia”, Tiranë 20-21 Nëntor
Kupa “Klavio Meça”, Tiranë 20 Dhjetor
Veprimtari Ndërkombëtare
Kampionati Europian në pishinë 25 m në Poloni, 2-7 Dhjetor 2025
Ekipet dhe trajnerët
AN Te Stela E.Cane-S.Mema
Tirana Arjan Fetishi
Partizani Dashamir Bregu
Vllaznia Kol Shiroka
Vlora Not Tomor Dano
Skampis Andi Kongoli
Fituesit “Pavarsia 2024”
EKIPET FITUES
MESHKUJ
AN “Te Stela” 196 pikë
FEMRA
AN “Te Stela” 216 pikë

NOTARËT MË TË MIRË
FEMRA
Kaltra Meça Tirana 1118 pikë
MESHKUJ
Alesandro Hyso Vllaznia 1102 pikë
Gjatë garave “Pavarsia 2024”
12 REKORDE KOMBËTARE
Mjeshtri Madh Sadik Mema
Notarët tanë do e respektojnë Kupën me cilësi garimi

Për Mjeshtrin e Madh, trajnerin e Notit në AN Te Stela, Sadik Memën, Kupa “Pavarsia” është një nisiativë e kësaj Akademie, e cila në tri vitet e fundit i është deleguar FSHN-së. Në këtë vit ku kjo Kupë do të “trazojë” pishinën 25 m në Resortin “Te Stela”, nga kjo Akademi do të marrin pjesë rreth 50 notarë, Meshkuj e Femra. Por sipas Pupit, në këtë pjesëmarrje janë edhe grupi i fëmijëve, të cilët ai i trajnon. “Nga pishina e hapur 50 që notarët e mbyllën stinën verore të garimit, kjo fundjavë na afron në Kupën “Pavarsia”, një aktivitet që për më shumë se dhjetë vite u organizua nga AN Te Stela. Por ka tre sezone që FSHN-ja po e organizon, me kulturën e duhur profesionale. Tradita e notarëve tanë është se në këtë kupë, vecc rezultateve të larta, thyejnë edhe rekorde kombëtare. Do thoja se edhe këtë herë do ta respektojmë Kupën me cilësi garimi”, kështu tregoi dje për “Telegraf” Mjeshtri i Madh Sadik Mema, i cili zbuloi synimin që notarët e kësaj akademie kanë në këtë veprimtari.
Seriozitet i trajnerëve në vlerësimin e Kupës
Tomor Dano, Vlora Not: Do garojmë denjësisht
Trajneri i Vlora Not, Mjeshtri i Merituar i Sportit Tomor Dano, dje tregoi për gazetën “Telegraf” se këtë herë ai vjen në Kupën “Pavarsia” me 2 notarë meshkuj. Por sipas tij, synimi është një paraqitje dinjitoze me të dy notarët, sepse sipas tij, kushtet përgatitore e kanë limituar një pjesëmarrje më të madhe. “Pasi u mbyllën veprimtaritë verore, ne kemi patur vështirësi përgatitore për Kupën “Pavarsia”, pasi kemi dy muaj pa stërvitje sepse pishina 25 m ku ne stërvitemi periodikisht, do të hapet në datën 1 dhjetor, kjo për probleme teknike. Por nuk na ka penguar që edhe në Kupën “Pavarsia” të vijmë dhe të garojmë me dinjitet. Janë 2 notarë meshkuj me shumë perspektivë, të cilët me gjithë vështirësitë, janë të gatshëm të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Kjo është një veprimtari dimërore dhe na shërben si një test për vitin e ardhshëm, edhe pse Kupa “Klavio Meça” do ta mbyllë këtë vit kalendarik. Sapo të hapet pishina jonë, ne do ta nisim punën më me këmbëngulje, duke patur parasysh se kjo është një mbyllje vjetore e veprimtarive të notit, dhe ne këtu do të gjejmë mundësinë e përmirësimit, por edhe të afrimit të notarëve të tjerë. Kjo pishinë do na ndihmojë që të mbajmë të ndezur pishtarin e sportit të notit në Vlorë”, kështu vjen ekipi i Vlora Not në garat e Kupës “Pavarësia 2025”.

Dashamir Bregu, Partizani: Synojmë të thyejmë rekorde
“Jemi përgatitur seriozisht dhe do paraqitemi mirë në Kupën “Pavarsia” me 19 notarë, numri i madh i Partizanit në këtë veprimtari të përvitshme”, kështu e nisi dje bisedën për gazetën “Telegraf” trajneri i Partizanit, Mjeshtri i Sportit Dashamir Bregu. “Ne e kemi vlerësuar në maksimum si një veprimtari që, jo vetëm se është një kupë festive, por do jetë edhe një test për notarët tanë. Thuajse të gjithë notarët i kemi në moshë të re, por të gjithë kanë bërë përgatitje serioze për një paraqitje dinjitoze. Ndërsa në dy stafeta të rrinj dhe të rritur shpresojmë për rekorde kombëtare, njëherësh edhe notarin Lajdi Allaraj, i cili në të dyja kategoritë (Të Rinj dhe të Rritur), synon kampion në garat 50 m e 100 m Delfin, 50 m Shpinë, si dhe në 50m e 100 m Stil i Lirë. Thyerja e rekordeve kombëtare në këto gara, por edhe në stafetë për të Rritur, do janë synimet e Partizanit në Kupën “Pavarsia”, vlerësuar edhe si një veprimtari që simbolizon festat e Nëntorit”, këto janë synimet e notarëve të Partizanit në Kupën “Pavarsia”, ku veçohet synimi i thyerjes së rekordeve, për të cilët trajneri Dashamir Bregu ka siguri te notarët e tij.
PROGRAMI I GARAVE

KATEGORIA OPEN
DITA E PARË
E premte, 20.11. 2025
PASDITE
Nxehja Ora 16:00-17:00
Garat në Ora 17:00
1.400m stil i lirë M-F
2.200m IM M-F
3.100m shpinë M-F
4.50m bretkosë M-F
5.100m delfin M-F
6.4×50 stil i lirë M-F
DITA E DYTË
E shtunë, 21.11.2025
PARADITE
Nxehja Ora 09:00-10:00
Garat në Ora 10:00
1.4x50m MIX M-F
2.50m stil i lirë M-F
3.200m stil i lirë M- F
4.200m shpinë M- F
5.100m bretkosë M- F
6.200m flutur M- F
7.4x100m St. i lirë M- F
PASDITE
Nxehja Ora 15:00- 16:00
Garat në Ora 16:00
1.100m stil i lirë M-F
2.50m shpinë M-F
3.100m IM M-F
4.50m flutur M-F
5.200m bretkosë M-F
6.4×100 MIX M-F
RREGULLORE KUPA “PAVARËSIA 2025”

Federata Shqiptare e Notit, me rastin e Festave Kombëtare, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë dhe të Çlirimit, do të organizojë aktivitetin “Kupa Pavarësia 2025” në datat 21-22 Nëntor 2025, në pishinën e mbyllur 25m të kompleksit “Te Stela”. Tarifa pjesëmarrjes 1200 lekë. Pjesëmarrje pa limit garash e çdo sportisti. Për çdo garë, fituesit e tre vëndeve të para do të nderohen me diplomën përkatëse, ku pasqyrohet rezultati i arritur. Për notarin dhe notaren me të mirë të veprimtarisë do të jepet Kupa e Aktivitetit, bazuar në pikëzimin FINA për shumën e pikëve të fituara në dy garat individuale. Ekipi kampion (M+F) do të nderohet me Kupën e Aktivitetit. Listat janë dorëzuar deri në datën 17 nëntor 2025.




















