Prof. Dr. Zamira Cavo: Degradimi i shkollës është pjesë e degradimit të shoqërisë që shtyn të rinjtë në greminën dhe në rrënimin e së ardhmes

28

Çdo reformë që nuk prek thelbin e shkollës, në kuptimin e misionit të saj, nuk bën gjë tjetër vetëm se e shtyn shkollën edhe më shumë në greminën e indiferencës dhe në rrënimin e së ardhmes. Ndaj fëmijët e kanë humbur interesin për shkollën. Ndërsa për universitetin e mendojnë si një “detyrë”, që duhet kryer, sikundër ishte dikur ushtria!

Sigal

Nuk ka njeri që nuk është sot kritik ndaj gjendjes ku është katandisur arsimi shqiptar. Dhe nuk  ka nevojë të na thotë Bashkimi Europian se jemi nën nivelin e arsimit edhe të vendeve të Afrikës. Tashmë çdo ditë e më shumë problemet e arsmit kalohen me një “ Emo varja, kështu është gjithandej”.

Por nuk është kështu gjithandej. Madje as në Kosovë nuk është kështu. Universitetet e Kosovës renditen më lart se universitetet tona!

Në fakt të gjithë brënda apo jashtë shkollës flasin për degardimin e saj.

Po të pyesësh “specialistë” të arsimit , apo zyrtarë e politikbërës të numërojnë probleme të tilla si: trajnimi i mësuesve, pagat e tyre, kurikulat, librat, mungesa e teknologjive etj. Sigurisht që këto janë probleme, por dhe sikur sot t’i zgjidhnim këto (dhe kjo as që mund të ëndërrohet) sërish shkolla shqiptare do jetë me probleme të mëdha. Sepse Shkolla është (dhe nuk mund të mos jetë), pjesë e shoqërisë. Me shkollën është e lidhur çdo familje, çdo institucion, çdo kategori sociale.

Të gjitha problemet që rendita më sipër janë rrethi vicioz ku vërtitet diskutimi mbi shkollën, mbi arsimin. Ky rreth vicioz nuk zgjidh dot asgjë pasi vërtitet rreth vetvetes. Ta zemë se paga e mësuesit u bë 1 milion lekë ( të vjetra), a zgjidhi kjo cilësinë e mësuesit? Kush mendon se po, gabon dhe koha do na e vërtetojë këtë. “Po të bëjmë trajnime”…thonë disa të tjerë. Po kush do t’i trajnojë mësuesit tanë kur një pjesë e tyre kanë nevojë të përfundojnë ciklet e studimit jo për diploma fiktive, po për dije? Ta zemë se do ndryshojmë ciklet, apo programet shkollore. Çfarë do zgjidhim? Mos vallë nxënësit e studentët do bëhen më të interesuar për të studiuar ? Problemet e Shkollës nuk mund të zgjidhen nga brënda shkollës. Madje as nuk mund të kuptohen dot nga ata që me mëndësinë e tyre nuk arrijnë të kapërcejnë dot të kaluarën e të konceptojnë një Revolucion të gjerë, në rradhë të parë shoqëror!

Ata, ne, ju, që po lexoni, as nuk ju shkon ndërmënd se si do të jetë e adhmja e nxënësit apo studentit të sotëm pas 20 vitesh! Dhe unë pyes: Çfarë misioni ka shkolla?

Së pari të transmetojë trashëgiminë kulturore e shkencore.

Së dyti( dhe për mua kjo është kryesorja) të përgatisë adoleshentët e sotëm për një shoqëri, që ende nuk e dimë si do jetë! Ky ka qenë misioni i shkollës gjithnjë. Dhe nëse nuk kuptohet ky mision është e pamundur që shkolla të ndryshojë!

Dhe sikur të themi se shkolla shqiptare e bën mirë “detyrën” e saj të parë. Të dytës as që ia ka haberin.

Por unë them se edhe misionin e parë e ka stopuar në dije krejtësisht të tejkaluara. Ka mësues, dhe këtë e them me bindje, që edhe konceptet e thëna e stërthëna në shkenca, ua thonë gabim, sikundër ka mësues që kur shpjegojnë letërsinë u thonë se Çajupi ka poezi komuniste!

Pra sikur ta quajmë të mirëtrajtuar funksionin e parë, të  transmetimit të trashëgimisë së kaluar, sërish shkolla nuk është në gjendje të përgatisë të rinjtë për të ardhmen! Pse? Sepse dijet kanë evoluar, mendësia ndryshon, realiteti nuk është më ai i para disa dekadave.

Ato që mësuesi iu ofron nxënësit nuk janë skema që i japin mundësi atyre të kuptojnë realitetin, e aq më pak t’i përgatisin për një realitet edhe më të avancuar.

Po a mund të themi se shkolla sot ka një kuptim të qartë mbi raportin fjalë- figurë? A gjejmë gjëkundi në ndonjë shkollë çfarë vendi ze kultura e masave dhe si trajtohet ajo? A e di shkolla së çfarë domethënie ka një kompjuter? Pra jo kompjuteri fizik, dhe pse ai në shumicën e shkollave mungon, por çfarë përfaqëson? A kemi një planprogram ku të dimë se çfarë implikimesh ka globalizmi edhe në shkollë? A kemi ne në planprogramet tona diçka mbi sisteme komplekse?

Shkolla ka pra probleme të mëdha që shtrohen para shoqërisë e që duhet ta përgatisin këtë shoqëri për të ardhmen.

Fëmija mëson në shkollë, por mëson nga prindërit, nga televizioni, nga rrjetet sociale, të cilat e ushqejnë atë më mijëra gënjeshtra e mashtrime në ditë. Shkollla, duke mos qenë në lartësinë e kuptimit të kësaj situate,  jo vetëm nuk arrin t’u tregojë një realitet tjetër, por e përforcon të “keqen” duke ia kaluar “fajin” të tjerëve. Ka mësues që në klasa diskutojnë Big Bratherin, e në disa të tjera filmat rozë. Ka të tjerë që komentojnë në klasa tiktokun etj etj.

Shkolla, sikundër jemi mësuar ne me klasa, detyra kontrolli, libra, mësues që shpjegon e nxënës që përsëritin atë që dëgjojnë, vjen ndesh me teknologjinë e sotme. Këtë duhet ta kuptojmë njëherë e mirë. Çdo reformë që nuk prek thelbin e shkollës, në kuptimin e misionit të saj, nuk bën gjë tjetër vetëm se e shtyn shkollën edhe më shumë në greminën e indiferencës dhe në rrënimin e së ardhmes.

Ndaj fëmijët e kanë humbur interesin për shkollën. Ndërsa për universitetin e mendojnë si një “detyrë” që duhet kryer, sikundër ishte dikur ushtria!.