Prof. Dr. Qemal Lame: Kriminaliteti dhe shqetësimet në Gjermani

31
Sigal

Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë publikoi në median të dhënat e kriminalitetit për vitin 2024, në bazë të statistikës së policisë kriminale BKA, Bundes Kriminal Polizei. Policia ka regjistruar më shumë se 5.8 milionë krime në Gjermani vitin e kaluar. Kjo është 1.7 për qind më pak se një vit më parë. Rënia vjen si pasojë e legalizimit të pjesshëm të posedimit dhe kultivimit të kanabisit. Gjendja e kriminalitet është e mbetet problem për shoqërinë e politikën. Prandaj vihet theksi në dukuritë më shqetësuse, shkaqet dhe masat e domosdoshme për zbulimin e parandalimin nga policia e prokuroria dhe dënimin e fajtorëve nga gjykata.

Krimet me dhunë

Tërheq vëmëndjen rritja e krimeve të dhunshme dhe më shumë të rinj të përfshirë në kriminalitet. Krimi i dhunshëm u rrit me 1.5 për qind vitin e kaluar, në 217,277 raste. Këto përfshijnë grabitje, përdhunim dhe lëndime të rënda trupore.

Sulmet me thikë u regjistruan në 15,741 raste, që përkon me 7.2 për qind të të gjitha rasteve të krimeve të dhunshme. Holger Münch, President i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, e konsideron shqetësuese rritjen e vazhdueshme të dhunës. “Rritja e fortë midis fëmijëve dhe të rinjve është veçanërisht e habitshme,” tha ai kur prezantoi statistikat e krimit për vitin 2024 në Berlin të mërkurën, më 02.04.2025, së bashku me Ministren e Brendshme Federale Nancy Faeser (SPD). Në krimin e dhunshëm, numri i fëmijëve të dyshuar është rritur me 11.3 për qind. Tek të rinjtë, numri u rrit me 3.8 për qind.

Stresi psikologjik

Të rinjtë 15-17 vjeçarë kanë shfaqur shenja të stresit psikologjik, të cilat mund të jenë pasojat afatgjata të mbylljes së shkollave dhe kufizimeve të kontaktit gjatë pandemisë së koronavirusit. Analiza e këtyre grupmoshave tregon se ata që kanë patur tronditje psokilogjike më të shumta, janë më të prirur që t’i mbartin në vetëvete. edhe në të ardhmen. Natyrisht, masat mbrojtëse të koronavirusit shkaktuan këtë efekt. Ky grup ka nevojë për vëmendje të veçantë. Kujdesi për gjendjen shëndetësore dhe masat për edukimin e shkollimin e këtyre të miturve, mendohet se do të ndikojnë parandalimin e krimeve në të ardhmen nga të rinjtë.

BKA vë në dukje shkaqet e krimeve si dhe përfundimet shkencore të specialistëve mjekë psihiatër, se stresi psikologjik tek fëmijët në përgjithësi është në rritje. Faktorë të tjerë përfshijnë qëndrimet në familje që legjitimojnë dhunën. Megjithëse është vetëm një pakicë e të rinjve që mbajnë supozime të tilla, Ka të dhëna e shqetësime se ky grup me prirje të dukshme kriminale po rritet.

Sqarohet e tërhiqet vëmëndje në faktin se hapësira dixhitale po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm për të rinjtë. Evidentohet detyra për rritjen e edukimit dhe mënjanimin e ndikimeve negative nga kompleksi gjigant mediatik. Theksohet se brutalizimi dhe agresiviteti në hapësirën dixhitale është një çështje që duhet të analizohet më nga afër e më konkretisht në vitet e ardhshme nga policia, media dhe institucionet përkatëse shtetërore. Në opinionin shoqëror ndjehet shqetësimi për ndikimin e drejtpërdrejtë të emisioneve televizive me përmbajtje e skena dhune brutale. Megjithatë, nuk ka ide për kufizime apo mbyllje të ndonjë medie. Vlerësohet edukimi familjar e morali shoqëror për të mënjanuar ose kufizuar ndikimet negative nga përmasat në rritje të vazhdueshme të dixhitalizimit.

Dhuna ndaj grave

Statistikat e reja të kriminalitetit tregojnë gjithashtu një rritje të dhunës ndaj grave me 1134 raste ose 9.3 për qind. Këto përfshijnë përdhunimin, detyrimin seksual dhe sulmin seksual. “Këto shifra duhet të kenë pasoja,”- tha ministrja Faeser. “Ne kemi nevojë për një sistem më të fortë mbrojtjeje dhe mbështetjeje për gratë, por edhe ndjekje penale efektive të autorëve. Dhe më në fund na duhen byzylykë elektronikë të kyçit të këmbës në mënyrë që autorët të mos mund t’u afrohen më grave pa u vënë re.”

Faeser e sheh një nga shpjegimet e mundshme për rritjen e krimeve seksuale ndaj grave në një ndjeshmëri më prekëse e motivuese në shoqëri dhe një vetëdije, përgjegjësi e gatishmëri më të madhe të të prekurve për t’i raportuar e kallzuar ato. Kjo aktualisht është duke u hetuar në një studim në terren për të njohur më gjerë këtë gjendje të errët, i cili do të prezantohet në vjeshtë. Mendohet dhe shpresohet se shembulli i pikës së parë të kontaktit 24/7 të Policisë Federale në Ostbahnhof të Berlinit do të krijojë një precedent. Atje, gratë që kërkojnë ndihmë mund të gjejnë oficerë policie të trajnuar posaçërisht gjatë gjithë kohës, të cilët ofrojnë ndihmë dhe mbështetje dhe të marrin kallzime për të ndjekur me përparësi dhe vënë para përgjegjësisë penale fajtorët.

Të dyshuarit jogjermanë

Autoritetet federale dhe të policisë shtetërore regjistruan një rritje prej 7.5 për qind të numrit të të dyshuarve jogjermanë vitin e kaluar. Nëse nuk merren parasysh shkeljet e ligjit të imigracionit që mund të kryhen vetëm nga të huajt, më shumë se një e treta e të dyshuarve nuk kanë nënshtetësi gjermane. Ne duhet të flasim për këtë pa ngjallur pakënaqësi, tha Faeser. “Ne duam që kriminelët jogjermanë të detyrohen të largohen nga Gjermania shumë më shpejt se më parë. Kushdo që nuk respekton rregullat duhet të largohet.”

Si mund të shpjegohet ky zhvillim? “Nuk ka përgjigje të thjeshta për këtë,” tha Senatori i Brendshëm i Bremenit, Ulrich Mäurer (SPD), i cili është kryetar i Konferencës së Ministrave të Brendshëm. Me 16 përqind të popullsisë që janë shtetas të huaj, përqindja e të dyshuarve jogjermanë për krime të tilla si grabitja, veprat seksuale ose lëndimet e rrezikshme trupore është shumë më shumë se 40 përqind. “Në Bremen, ne kemi një problem masiv me grabitjen. Tre të katërtat e këtyre autorëve vijnë nga shtetet e Magrebit. Ky krim është i lidhur me këtë formë të veçantë të imigrimit.” Sipas Mäurer, problemi nuk është vetë emigracioni. “Nëse do të kishim pranuar kryesisht gra me fëmijë në vitet e fundit, nuk do ta kishim këtë problem. Por janë kryesisht burra të rinj.”

Këta “faktorë demografikë” shpjegojnë, së pari, përqindjen e lartë disproporcionale të kriminelëve të huaj, por vetëm pjesërisht. Pavarësisht origjinës, shumica e krimeve kryhen nga meshkuj të rinj. Ky përfundim del nga studimet në terren dhe përvoja e kriminalitetit nga të huajt. Gatishmëria për të raportuar e kallëzuar është më e lartë nëse autori nuk është gjerman.

Së dyti, jogjermanët priren të preken më shumë nga faktorë rreziku që e bëjnë më të mundshëm kryerjen e krimeve të caktuara. Këto përfshijnë kushte të kufizuara të jetesës hapësinore dhe ekonomike, veçanërisht kur mendohet të akomodohet pas arratisjes. Pranohet me sinqeritet se edhe emigrantët kanë përjetime dhune, veçanërisht në fëmijëri. Ka edhe qëndrime pozitive ndaj dhunës. Pra, nuk është çështje origjine, por përqendrimi i këtyre faktorëve socialë të rrezikut të shtuar.

Mbrojtja e pronës

Policia ka shënuar rënie edhe të vjedhjeve në dyqane dhe të biçikletave vitin e kaluar. BKA mendon se arsyeja është siguria më e mirë e pronës.

Droga mbetet shqetësim

Nuk shihet ndonjë lehtësim për policinë si pasojë e legalizimit të pjesshëm të kanabisit një vit më parë. Gjithashtu nuk ka asnjë provë për një efekt pozitiv në tregun e zi. Madje atje kanë rënë edhe çmimet. Megjithatë, krimet që lidhen me LSD-në dhe substancat e reja psikoaktive janë rritur ndjeshëm.