Prof. Dr. Lush Susaj: Protesta e pedagogëve dhe Faik Konica për shqiptarët që kuptojnë ç’është liria

Nga kjo protestë për universitetin dolën në pah edhe disa realitete të tjera të rënda.

-Së pari, gjithëkush e pa dhe e kuptoi atë mënyrën se si makineria e korrupsionit shtetëror e politik, në vend që të dëgjonte për dështimin real të reformave në arsim

– Në grupin e dytë janë ata që, sikurse thoshte Noli nuk e njohin lirinë. Mbasi nuk e kanë jetuar kurrë lirinë, apo ndoshta e kanë humbur për shkaqe të njohura nepotike e korruptive

– Lëvizja për universitetin është e vërteta dhe drita që i duhet Shqipërisë, por që përsëri u sulmua nga injoranca, korrupsioni, nepotizmi e të gjithë ata që nuk e njohin e që nuk guxuan ta provojnë as shijen e lirisë.

Protesta e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë erdhi si rezultat i dështimit të reformave demokratike në fushën e arsimit, e për pasojë të problemeve të akumuluara përgjatë këtyre 32 viteve, periudhë kur arsimi dhe edukimi nuk janë konsideruar dhe nuk janë vlerësuar si përparësi dhe as si zgjidhje në shërbim të çështjes shqiptare. Pavarësisht nga demagogjia qeveritare, sëmundja vrastare e degraduese e sistemit tonë arsimor dhe universitarë në veçanti, po vazhdon që ta dobësojë e ta degradojë çdo ditë shkollën dhe universitetet në fiktivitet, kolaps e deri në inekzistencë. Protesta dhe greva e pedagogëve, nuk është një dukuri e shfaqur papritur në gusht e as në periudhën shtator-tetor të vitit 2022. Përkundrazi, pas rrëzimit virtual (ndarja reale nuk ka ndodhur) të sistemit komunist, përpjekjet, protestat dhe lëvizjet për shkollën dhe universitetin kanë qenë të vazhdueshme, e me kulmimet e veta sikurse ato të viteve 1998-1999, 2004-2005, në vitet 2018-2019, dhe së fundi edhe gjatë periudhës së bojkotit të procesit mësimorë të universiteteve për periudhën shtator-tetor 2022. Sikurse dihet, qeveria dhe shteti nuk reaguan si duhet as pas peticionit të datës 30 gusht 2022, as pas dështimit të bisedimeve të sindikatës me ministren e arsimit, as pas disa protestave kombëtare të njëpasnjëshme të organizuara në Tiranë. Në këto kushte, pedagogët u detyruan që ta përshkallëzojnë protestën e tyre, duke kaluar në bojkot të procesit mësimor, i cili zgjati për tre javë me radhë, nga data 17 tetor deri me 4 nëntor 2022. Duke i menduar qeveritarët si njerëz normal, e në shërbim të zhvillimit të vendit, pedagogët kaluan nga protesta me bojkot në organizimin e forumit për universitetin, për të diskutuar, bashkëbiseduar, dëgjuar e mbajtur shënim të gjitha problemet reale të shkollës dhe universiteteve publike të vendit. Nga diskutimi i hapur në këtë forum, u kuptua edhe më mirë fakti që problemet e universiteteve publike, nuk janë thjeshtë vetëm paga e ulët e stafeve dhe varfëria. Nga diskutantët në forume të hapura e të lira, nga shkrimet në median e shkruar dhe në të gjitha bisedat dhe prononcimet e bëra në mediat vizive, është folur troç e në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke theksuar faktin që sistemin tonë arsimor dhe universitar në veçanti, po e asfikson dhe po e degradon çdo ditë e më shumë politizimi, sundimi politik, fiktiviteti, korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa totale e politikave të mbështetjes dhe punësimit të rinisë shkollore, dhe asaj studentore në veçanti. Kjo periudhë dy mujore, është periudha kur është folur dhe diskutuar hapur dhe me shumë kurajo për arsimin, dhe universitetet në veçanti. Nga kjo protestë për universitetin dolën në pah edhe disa realitete të tjera të rënda që i kemi trashëguar nga e kaluara e që po i përjetojmë si shoqëri dhe si strukturë shtetërore e politike.

Demagogjia qeveritare  po vazhdon që ta dobësojë e ta degradojë çdo ditë shkollën dhe universitetet në fiktivitet, kolaps e deri në inekzistencë

Së pari, gjithëkush e pa dhe e kuptoi atë mënyrën se si makineria e korrupsionit shtetëror e politik, në vend që të dëgjonte për dështimin real të reformave në arsim, njëlloj sikurse më parë në vitet 2018-2019, u lëshue me kërcënime, përgojime, fyerje dhe frikësim mbi pedagogët dhe sindikalistët, që guxuan të flasin dhe artikulojnë problemet. Përveç strukturës politike, ajo që e rëndoi, dhe pothuajse e pamundësoi lëvizjen për universitetin është qëndrimi grevëthyes i drejtuesve të universiteteve (rektorë, dekanë dhe shefa departamentesh), të cilët i braktisën dhe përbuzën kolegët e tyre protestues. Drejtuesit e universiteteve tona publike, si kurrë më parë u bënë palë me qeverinë. Në këto kushte, nga rreth 7000 punonjës, që duhet të merrnin pjesë në protestat tona, në ditën më të mirë dolën rreth 700 kolegë. Kjo ndodhi sepse, pjesa më e madhe e kolegëve tanë ranë pre e shantazhit, frikës dhe presionit të strukturave shtetërore mbi ata dhe mbi familjarët e tyre të punësuar në administratën shtetërore. Rritja e dozës së shantazhit dhe dhunës administrative, e detyroi sindikatën që të hartojë, e të shpërndajë deklaratën e datës 2 nëntor 2022, përmes të cilës i kërkohej institucioneve të shtetit shqiptarë, si dhe ambasadave të vendeve të BE-së në Tiranë që të ndërhyjnë për të garantuar jetën dhe mbrojtjen ligjore të pedagogëve protestues dhe të familjarëve të tyre. Sikurse dihet edhe pas kësaj deklarate antidhunë, nuk pati asnjë reagim nga ana e institucioneve me përjashtim të një dalje të kryeministrit, i cili e shtoi edhe më shumë presionin dhe dhunën, duke fyer dhe hedhur baltë mbi pedagogët protestues dhe mbi drejtuesit e sindiatës, e duke i quajtur ata “njerëz pa fe e pa atdhe”. Përballë kësaj fryme e sjellje, sikurse edhe më parë, ndodhi përsëri ndarja e stafeve akademike në dy grupe pedagogësh dhe intektualësh. Në grupin e pare bëjnë pjesë ata që reagonin dhe folën hapur e pa frikë, e jo për interesa të ngushta personale, por për një të mirë të madhe publike. Ndërsa në grupin e dytë janë ata që, sikurse thoshte Noli nuk e njohin lirinë. Mbasi nuk e kanë jetuar kurrë lirinë, apo ndoshta e kanë humbur për shkaqe të njohura nepotike e korruptive. Sikurse edhe herë të tjera, numri i atyre që nuk reaguan për lirinë, madje nuk guxuan as për pagën e as të drejtat e tyre elementare është shumë më i lartë nga ata që reaguan e protestuan. Në këtë mënyrë, përsëri u provue fakti i shkruar nga rilindasit, e ku shqiptarët akoma vazhdojnë që të duan e të nderojnë idhujt, sundimtarët dhe partinë më shumë se sa Shqipërinë dhe se veten e tyre. Kjo me kujtoi shkrimet dhe thëniet e Faik Konicës, Fan Nolit, Rexhep Qoses, At Zef Pllumit, etj, mbi raportin e shqiptarëve me dijen, kulturën, politikën dhe lirinë.

Sigal

Për lexuesin, e në mënyrë të veçantë për ata që protestuan dhe ata që nuk protestuan për universitetin, po sjell në vëmendje një shkrim të Faik Konicës, me titull “Ç’është liria”, publikuar në gazetën “Albania”, të vitit 1897, për të kuptuar se sa mesjetarë kemi mbetur, se si akoma jemi ata që ishim, e mbase edhe më të frikësuar e shtypur, po e sjell fjalë për fjalë, ashtu sikurse autori e ka shkruar para 125 vjetësh.

Faik Konica (1897), ka shkruar: “Janë nja 50 shqipëtarë që kuptojnë ç’është liria. Ata nukë më shkruajnë gomarërira. Sepse e dinë që është i lirë njeriu që të thotë mendimin e vet sikur e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra; mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, më mirë të shesë mut njeriu, sesa të shkruaj për shqipëtarët. Gomarëve: pra le të përpiqem akoma njëherë t’u mbush kokën me këtë: Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1) të besojë ç’i do zëmra; 2) të thotë ç’i do zëmra;3) të shkruaj ç’i do zëmra; 4) të bëjë ç’i do zëmra, përveç atyre janë kundra lirisë së tjatëri njeriut. Shqipëtarët më të shumtë janë shpirtrobër… Vëllezër shqipëtarë! Mjaft vojti e gjora Shqipëri jetën e kurmit, duhet dhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mëndjes (La vie intellectuelle). Jeta e mëndjes është të hapim të tërë zëmrat t’ona, të flasim vëllezërisht njëri kundër fjalët tjatërit, të kuvëndojmë si njerëzit e qytetëruar q’i mlidhen të lëftojnë me fjalë për ideat e tyre. Mos besoni se kështu do të largohemi nga njëri-tjatëri! Përkundrazi, do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhurë me dy lidhje të arta: dëshërimi i Vërtetës e dëshërimi i Shqipërisë”.

Këto realitete dhe mësime të shkruara para 125 vjetëve, duket sikur janë shkruar enkas për ditët e sotme. Janë shkruar e thënë për ata që kuptojnë e që protestojnë universitetin si një e mirë e madhe publike. Por janë shkruar edhe për ata që nuk e kuptojnë lirinë, apo që e kanë humbur lirinë, e që heshtin e mbyllin gojën për fiktivitetin, për korrupsionin, për nepotizmin dhe për studentin e varfëruar, të mashtruar e të margjinalizuar. Faik Konica (1897) thoshte që shqiptarët duhet të kuptojnë që janë të lidhur me dy lidhje të arta: dashuria dhe raporti me të vërtetën, dhe dashuria e raporti me Shqipërinë. Në këtë mënyrë, ata që protestuan nuk janë e nuk mund të jenë njerëz pa fe e pa atdhe. Përkundrazi, ata dëshmuan se janë nderi dhe faqja e bardhë e elitës së shkollës dhe universiteteve shqiptare. Janë ata që kanë një raport hyjnorë me të vërtetën mbi shkollën dhe universitetet, si dhe një dashuri e besnikëri hyjnore për Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët. Në këtë rast, mendoj se është shumë e lehtë për të bërë edhe atë krahasimin midis rilindasve dhe mendimtarëve të 125 vjetëve më parë, dhe qeveritarëve dhe drejtuesve të kohës që po jetojmë. Kështu do të mund të kuptojmë edhe më mirë shkakun e kësaj situate turpëruese, e që shpjegohet edhe më mirë me atë raportin që kemi me lirinë, me të vërtetën dhe me Shqipërinë. Lëvizja për universitetin është e vërteta dhe drita që i duhet Shqipërisë, por që përsëri u sulmua nga injoranca, korrupsioni, nepotizmi, fiktiviteti dhe të gjithë ata që nuk e njohin e që nuk guxuan ta provojnë as shijen e lirisë.