Prof.Dr. Anastas Angjeli/ BASHKPUNIM I RI DHE EFIKAS PËR ASISTENCËN FINANCIARE TË BE-së

494
Sigal

Prof.Dr. Anastas Angjeli

Ndonëse po bëhen disa vite nga nënshkrimi dhe zbatimi i Marrëveshjes së
Stabilizim Asocimit te vendit tonë me BE, marrëdhëniet me Strukturat e
Bashkimit Evropian, duket të jenë më intensive se kurrë. Dhënia e statusit të
vendit kandidat i ka vendosur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian në një
dimension të ri. Tashme ne ndodhemi në një faze edhe me te re,Jemi në pritje te
një opinioni pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim ne BE.Kjo fale vendosmërisë
për realizimin e nje sere reformave të ndërmarra nga Qeveria dhe progresin e bërë
në përmbushjen e prioriteteve te caktuara nga BE. Në fokus ka qene dhe mbetet
Reforma ne Drejtësi për të cilën pas miratimit me konsesus të ndryshimeve
kushtetuese ne jemi të vendosur të vazhdojmë miratimin e ligjeve të tjera dhe
ajo që është më e rëndësishme mbetet zbatimi i kësaj reforme.  E pra, reformat e ndërmarra dhe zbatimi i tyre
kanë gjetur dhe do gjejnë mbështetjen me asistencën financiare që jep BE-ja për
Shqipërinë të përcaktuar në nenet përkatëse të MSA, marrëveshjeve të tjera
kuadër të programeve të asistencës si dhe marrëdhënieve sektoriale dhe ato qe
japin aleatet tanë strategjike, veçanërisht SHBA.

 

Përfitimet nga BE

Marrëveshjet që Shqipëria ka, veçanërisht
MSA, shprehen qartë se Shqipëria mund të përfitojë nga BE-ja asistencë
financiare të formave të ndryshme, dhe veçanërisht, Shqipëria është ne një faze
intensive të përcaktimit te prioriteteve dhe të garantimit te kapaciteteve te
duhura për përfitimin dhe tërheqjen e kësaj asistence. Ashtu siç kërkohet dhe është
domosdoshmëri fillimi i një trajnimi intensiv dhe kualitativ i ekipeve që do të
negociojnë kapitujt me BE pas hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, marrëveshjet
kërkojnë një vizion të ri në bashkëpunimin për më shumë përfitim të asistencës financiare
dhe fondeve të BE. Njëhershmi, kërkohet që kontributet e Komunitetit të jepen
në bashkërendim të ngushtë me kontributet prej burimeve të tjera si Shtetet
Anëtare, vende të tjera dhe institucione financiare ndërkombëtare, dhe mbi të
gjitha më vetë vendin përfitues. Por të përfitosh asistencë dhe fonde të tjera është
njëra ane, ti menaxhosh me sukses është ana tjetër. Kërkohet një vizion i
qarte, rritje e përgjegjësisë, vazhdimi i harmonizimit te legjislacionit tonë
me atë europian, rritja e kapaciteteve dhe kualifikimi i burimeve njerëzore, bashkëpunim
efikas e mbi te gjitha rritja e nivelit administrues, kontrollues dhe auditues
të asistencës.  Në këtë këndvështrim, nën
perspektivën financiare IPA I (2007-2013), Komisioni Europian miratoi në 25
Mars 2014 vendimin për akreditimin e sistemit të menaxhimit të decentralizuar
për komponentin e parë të IPA-s me kontroll ex-ante dhe si rrjedhim projekte
nga IPA 2012 dhe IPA 2013 po implementohen nën përgjegjësinë e Qeverisë
Shqiptare.

 

Në kuadër të perspektivës së re financiare

Në kuadër të perspektivës së re
financiare IPA II (2014-2020), Marrëveshja Kuadër ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe Komisionit Evropian mbi marrëveshjet për zbatimin e ndihmës
financiare të BE në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit,
e nënshkruar në Prill 2015 dhe e ratifikuar me Ligjin Nr.37/2015 prezanton një
qasje të re për IPA II sipas së cilës të gjitha vendet duhet të aplikojnë për
transferimin e përgjegjësive për menaxhimin e buxhetit. Përgjegjësitë e reja
nën menaxhimin indirekt të asistencës kërkojnë zhvillimin e mëtejshëm të
kuadrit ligjor, kornizës institucionale dhe kapaciteteve administrative të
strukturave të Instrumentit të Para Anëtarësimit IPA në Shqipëri, duke siguruar
përputhshmërinë me kërkesat e rregulloreve të Komisionit Evropian,
marrëveshjeve kuadër për programet e asistencës së BE-së si dhe standardet
ndërkombëtare të pranuara për fushat specifike. Referuar kornizës ligjore dhe
rregullatore ekzistuese, dhënia e asistencës nga BE, përfaqëson dhe detyrimin e
palës shqiptare të përmbushjes së kushteve specifike të cilat do të sigurojnë
krahas të tjerave Komisionin Evropian përtej kufijve të disbursimit të fondeve
më tepër përgjegjshmëri në përdorimin e asitencës financiare. Këtij qëllimi i
shërben dhe kërkesa për domosdoshmërinë e ekzistencës së një autoriteti
auditues për fondet e asistencës së BE-së , që të gëzojë pavarësinë e nevojshme
në ushtrimin e funksionit të audituesit të jashtëm në Programet e Asistencës së
akredituar të Bashkimit Evropian. Nëpërmjet auditimeve të saj, Agjencia mbron
interesat financiare të Bashkimit Evropian po ashtu dhe taksapaguesve
shqiptarë. Kështu, autoriteteve audituese dhe kontrolluese te vendit tone
(KLSH, Organeve të Kontrollit të Brendshëm,Inspektorateve) i shtohet dhe një Agjenci
e re audituese, pikërisht për asistencës dhe fondeve financiare të BE, si
shprehje e e vullnetit dhe vendosmërisë se kësaj mazhorance, për një qeverisje
më të mirë, për një menaxhim efikas në luftë kundër shpërdorimeve, abuzimeve
dhe korrupsionit.

 

Autoriteti Auditimit

Në vendet anëtare po ashtu dhe
kandidate, Autoriteti Auditimit, ( në Shqipëri Agjencia e Auditimit të
Programeve të Asistencës së Akredituar të BE-së) luan një rol të rëndësishëm në
vlerësimin, mbikëqyrjen dhe fuqizimin e strukturave të ngritura nën Programin e
Instrumentit të Para anëtarësimit IPA. Misioni i këtij autoriteti nuk ndryshon
nga çdo institucion i auditimit të jashtëm publik, por është i fokusuar
pikërisht në fondet e komunitetit evropian. Ai konsiston në dhënien e një
opinioni të pavarur mbi vendosjen dhe efektivitetin e kontrolleve ,
identifikimin e humbjeve dhe dobësive dhe dhënien e rekomandimeve se ku dhe si
mund të performohet më mirë në të gjithë strukturat e sistemit të IPA. Në
mënyrë të veçantë në lidhje me asistencën financiare, Agjencia luan një rol të
rëndësishëm në zvogëlimin e riskut të donatorit dhe në sigurinë se fondet janë
përdorur në mënyrë efektive dhe në përputhje të plotë me rregulloret dhe
direktivat e BE-së.

Rregulloret e Komisionit

Rregulloret e Komisionit,
Marrëveshjet Kuadër për Programin e Asistencës nëpërmjet IPA-s, dokumente të
tjerë strategjikë flasin për rritje të kërkesës për përgjegjshmëri të lartë në
përdorimin e fondeve të komunitetit evropian, çka sjell nga ana tjetër kërkesën
për krijimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të afta për të
kryer auditime të pavarura dhe profesionale, përfundimet e të cilave raportohen
direkt tek Komisioni Evropian dhe Qeveria Shqiptare. Komisioni Evropian kërkon
siguri që financimi është menaxhuar sipas rregullave strikte duke vlerësuar që
ka kontrolle të forta mbi mënyrën se si fondet janë përdorur dhe që paratë e
taksapaguesve të komunitetit evropian janë shpenzuar në rruge transparente dhe
të përgjegjshme. Një Agjenci Auditimi efektive është një element kyç në procesin
e menaxhimit të asistencës nëpërmjet dhënies së sigurisë ( të arsyeshme) dhe
opinionit të pavarur tek Komisioni dhe Qeveria Shqiptare nëse asistenca është
përdorur sipas qëllimit të alokuar dhe nëse objektivat e vendosura e rezultatet
e pritshme jane arritur duke aplikuar sisteme efektive të menaxhimit financiar.

Kuadri konceptual i Projekt Ligjit për Agjencinë e Auditimit

Kuadri konceptual i Projekt
Ligjit për Agjencinë e Auditimit mbështet gjerësisht në Standardet e
Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit duke
përcaktuar se Agjencia, në veprimtarinë e saj, pasqyron standardet më të larta
ndërkombëtare të INTOSAI dhe IFAC si dhe rezolutat e Kongreseve të INTOSAI dhe
EUROSAI. Parimet themelore të auditimit të jashtëm publik janë inkorporuar në
nenet e këtij projekt ligji duke ofruar një mbështetje ligjore të përshtatshme
që Agjencia e Auditimit të forcohet jo vetëm institucionalisht por të zhvillojë
më tej aftësitë profesionale audituese, kapacitetet organizative e administrative
për të funksionuar me efektivitet në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm,
përfshirë këtu Komisionin Evropian dhe Qeverinë Shqiptare. Miradministrimi dhe
funksionimi efektiv i autoritetit të auditimit është një kusht i domosdoshëm,
në të kundërt pritshmëritë dhe rezultatet e arritura do të kufizohen nëse
Agjecia nuk nuk do të ketë kapacitetet për të ndërvepruar në ambientin në të
cilin operon, të angazhohet dhe të ndërmarrë veprimet e duhura.  Mandati i Agjencisë i referohet pavarësisë së
saj statuore dhe formale sikurse përcaktohet në Rregulloret e Komisionit
Evropian dhe kërkesat e Marrëveshjes Kuadër për IPA dhe që konkretizohet në
këtë projektligj.

Natyra e mandatit të Agjencisë

Natyra e mandatit të Agjencisë
përfshin përgjegjshmërinë e saj, linjat e raportimit: ndaj e ku raporton, të
cilat përbëjnë lidhjet e përbashkëta të përcaktuara në procedurat e raportimit.
Ajo përfshin gjithashtu dhe aspekte të tjera si fushëveprimin e përgjegjësitë
po ashtu dhe kapaciteteve. Kapacitetet e Agjencisë i referohen si pavarësisë
operacionale ashtu dhe financiare. Kryerja e veprimtarisë audituese të
Agjencisë të përcaktuar në këtë projekt ligj përvijon në mënyrë korrekte
kërkesat e standardeve ndërkombëtare të auditimit publik. Planifikimi ,
ekzekutimi dhe raportimi i auditimeve nga vetë Agjencia , jashtë ndërhyrjes së
palëve të përfshira konsiderohen elementë që sigurojnë pavarësi në funksionimin
e institucionit. Në Marrëveshjen Kuadër për Programin IPA II citohet: Agjencia
duhet të jetë e pavarur nga të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe
nga të gjitha organet dhe njësitë e tjera të përfshira në menaxhimin dhe
zbatimin e veprimtarive të financuara nga BE. Në lidhje me këtë përcaktohen
mënyrat se si Agjencia do të sigurojë burimet organizative si: burimet
njerëzore, numri i stafit, aftësitë profesionale dhe struktura
organizative,burimet financiare ( shkallën e financimit) dhe infrastrukturën, çështje
të cilat projekt ligji i adreson në përshtatje me kushtet dhe legjislacionin
kombëtar.

Autonomia e Agjencisë është deri
diku rezultat i një mandati të qartë dhe kapaciteteve e burimeve të mjaftueshme
dhe ndikon ndjeshëm në forcimin e autoritetit të Agjencisë së Auditimit.
Autonomia institucionale konsiderohet në nivelin i cili do të siguroje aftësinë
e Agjencisë për të përmbushur rolin saj si “ ruajtës” i fondeve të BE- që,
mbrojtës i interesave financiare të komunitet evropian ç’ka përbën dhe misionin
e Agjencisë. Faktorë të tjerë që i shërbejnë këtij principi janë forma e
drejtimit të agjencisë, emërimi, mbajtja dhe zhvillimi profesional i stafit të
cilat ky projekt ligj i ka konsideruar nën aspektin e kushteve të financimit,
standardeve profesionale te auditimit dhe kuadrit ligjor përkatës dhe më
specifikisht Ligjit për nëpunësin civil.

Marrëdhëniet e Agjencisë me palët e përfshira

Marrëdhëniet e Agjencisë me palët
e përfshira në ciklin e auditimit përbejnë një element të rëndësishëm i cili
plotëson kornizën e përgjithshme së cilës i referohet hartimi i këtij ligji.
Sikurse theksohet që në fillim përdoruesi i parë dhe i drejtpërdrejtë i
rezultateve të Agjencisë është  Komisioni
Evropian, i cili nëpërmjet organizmave ( Audituesit e Komisionit dhe Gjykatës
Evropiane te Audituesve) vlerëson dhe auditon veprimtarinë e Agjencisë. Këtij
kuadri i shtohen dhe institucionet e tjera kombëtare si Kontrolli i Lartë i
Shtetit si Institucioni Suprem i Auditimit të jashtëm publik në Shqipëri, për
të cilat ligji në dispozitat e tij përcakton, mënyrën e vendosjes së
marrëdhënieve, të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira. Autonomia e
Agjencisë ndikohet gjithashtu nga aftësia dhe mundësi për akses të pakufizuar
dhe në kohë të informacionit për të cilin gjithashtu dispozitat e ligjit
përcaktojnë dhe detyrimet e stafit të Agjencisë për zbatimin e parimit të
konfidencialitetit dhe trajtimit të çështjeve konsideruar sekret shtetëror.
Zhvillimet në kuadrin ndërkombëtar të standardeve të auditimit, rregulloret e
përditësuara të Komisionit Evropian theksojnë dhe sigurojnë shtrirje më të
gjerë të juridiksionit të auditimit në fushën e fondeve të BE-së. Nevoja është
e qartë: Kërkohet një kombinim efektiv ndërmjet detyrave në rritje dhe
përgjegjësive të reja që i ngarkohen Agjencisë së Auditimit dhe mbështetjes e
përshtatshme ligjore, me kapacitete administrative dhe institucionale të këtij
autoriteti auditues. Kjo Agjenci përfaqëson jo vetëm një kërkesë për tu
përmbushur në vargun e gjatë të kritereve në kuadrin e integrimit evropian por
dhe një iniciativë konkrete e përpjekjeve për të ndërtuar institucione të
qëndrueshme dhe që garantojnë përdorimin efikas te asistencës financiare dhe
fondeve te përfituara nga BE, duke sjell përfitime në nivel kombëtar,
gjithashtu.