Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Sistemi Gjyqësor është i pabesueshëm, jo efektiv, Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, pa integritet, me varësi politike

Intervistë me Prof. Dr. Afrim Krasniqi, Drejtori i Studimeve Politike

Nëse ndiqet parimi, “ndiq paranë”, reforma Zgjedhore realizohet brenda një muaji

NOA

Jakup B. GJOÇA

Prof. Afrim Krasniqi, Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, në intervistën ekskluzive për Gazetën Telegraf.al, pohon se mospranimi i kërkesës së SPAK nga deputetët e Rilindjes, (për arrestimin e zvkryeministres me akuzë për korrupsion), dëshmoi se PS-ja është kundër Reformës në Drejtësi. Kanë dështuar standardizimi i vetingut, funksionaliteti në tërësi i sistemit apo evitimi i ndikimeve të plota politike e informale. Prof. Krasniqi argumenton se sistemi Gjyqëso është bërë i pabesueshëm, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk kanë integritet dhe as pavarësi politike, ndaj parashtron edhe rrugët, reformat që duhen të ndërmerren nga vetë sistemi i Drejtësisë. Ndërsa, për Reformën e re Zgjedhore , që Parlamenti do të hartojë dhe miratojë për zgjedhjet parlamentare të 2029-s, Prof. Krasniqi pohon se Sistemi vendimmarrës (i Reformës Zgjedhore) është i mbyllur: partitë (PS – PD) deformojnë votën dhe palët më e suksesshme përcakton rregullat e lojës. Prof.Krasniqi pohon se për Shqipërinë sot duhet, që sistemi më i mirë i votimit do të ishte rikthimi tek 75% në mazhoritar dhe 25% në lista proporcionale.
Afrim Krasniqi

Prof. Krasniqi, mosmiratimi i kërkesës së SPAK në Kuvendin e Shqipërisë për arrestimin  zvkryeministres është rënia  çdo maske të (së ashtuquajturës) Reformë në Drejtësi?

– Jo, është kalim në një fazë tjetër, nga retorika dhe gara për meritat e reformës te përpjekja për të evituar përballjen me reformën. Ne e dimë se reformën nuk e ka bërë as PS dhe as partitë e tjera, është produkt kryesisht i SHBA dhe BE. Ideja se dikush do të hetonte zyrtarët e lartë, “të paprekshmit” nuk imagjinohej prej tyre, tani që po ndodh, të gjithë janë kundër SPAK dhe vetë reformës, dallimi i vetëm është se kur e dëshmojnë këtë publikisht. PS e demonstroi këtë në mënyrë flagrante në rastin Balluku, por në thelb nuk ka qenë entuziaste për reformën, ndërkohë që opozita e nis javën me sulme ndaj SPAK në mëngjes dhe lavdërime në shëtitjen e pasdites para kryeministrisë! Ka qenë e qartë që në fillim se reforma do të kishte kosto, dhe se elita politike do të ishte kundër. Konfirmimi publik i kësaj të fundit, në fakt është sukses i reformës. Një drejtësi që duartrokitet nga palët domethënë nuk heton dhe as riskon palët. SPAK ka mbështetje, sepse po bën të kundërtën, por reforma nuk është vetëm SPAK. Duhej të kishim edhe një sistem gjyqësor të besueshëm dhe efektiv, një Gjykatë të Lartë e Gjykatë Kushtetuese me integritet dhe të pavarur, gjë që ende nuk e kemi.

Ju si mendoni, tashmë kemi vetëm përceptim, se Drejtësia e Reformuar nuk mundet dot të prekë ministra e kryeministër (të plotfuqishëm politikisht), apo është një realitet?

– Nuk mendoj se ka zyrtar në RSH që është imun ndaj hetimeve dhe mendoj gjithashtu se në një demokraci nuk duhet të ketë zyrtarë të tillë. Rregulli në vendimmarrje është i tillë, sa më e lartë pozita aq edhe më shumë akses për mirëqeverisje ose për korrupsion. Për sa kohë Shqipëri ka nivel të lartë korrupsioni atëherë përgjigjia duhet kërkuar tek hirearkia e lartë, jo nëpunësit e thjeshtë zbatues të urdhrave në shkëmbim të privilegjeve të vogla dhe vendit të punës. Nuk është më lajm nëse edhe kryeministri aktual do të hetohet, në një demokraci funksionale, kur dy zv/kryeministrat e tij janë në masa sigurie, përfshirë edhe bashkëpunërtorë të tjerë të afërt, nuk do të ishte normale që titullari i tyre të mos hetohet. E njëjta vlen edhe për “ish”-ët, të cilët gabimisht kanë menduar se korrupsioni i sotëm përbën amnisti për korrupsion e djeshëm. Kur nisi reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi u tha se individët e dënuar, nën akuzë apo masë sigurie etj, do ti jepnin priorioritet integritetit, pra standardit moral dhe përgjegjësisë publike, kur ne sot kemi arritur në pikën ku shumica e liderëve politikë janë nën akuzë ose masë sigurie dhe të gjithë refuzojnë standardet etike, morale dhe të integritetit.

A ka një kuptim nga shqiptarët, se një dështim i Reformës në Drejtësi është një dëm i madh për vetë shqiptarët, paskëtaj, të mendojmë fatet e integrimit të Shipqërisë në Europë?

– Nuk mendoj se ka dështuar, por nuk është realizuar ende, jemi ende në fazat e para. Përpjekja për të fituar dy zgjedhje parlamentare në emër të reformës në drejtësi (2017 dhe 2021) krijoi gabimisht pritshmëri më të lartë publike, sesa mundësitë reale, si dhe evitoi debatin real mbi drejtësinë e munguar (dosjet stok, mungesën e prurjeve në sistem, pabarazi në veting, kontroll për kontrolluesit, etj). Kanë dështuar standardizimi i vetingut, funksionaliteti në tërësi i sistemit apo evitimi i ndikimeve të plota politike e informale, por besoj se është e qartë se SPAK, GJKKO dhe disa institucione të drejtësisë, përfshirë ILD, KPA apo PP janë shumë më profesionalë dhe më funksionalë sesa më përpara. Për një vend të vogël, si Shqipëri, ku ka dështuar reforma politike, qeverisja dhe parlamentarizmi, këto suksese të vogla në drejtësi janë bilanci i vetëm pozitiv, që kemi në dekadën e fundit. Shikoni vlerësimet e BE për Shqipërinë, megjithë brishtësinë e vet dhe debatet rreth standardeve, SPAK-u mbetet arritja kryesore.

Duhet ribërë nga themeli Reforma në Drejtësi? Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e drejtë, që gjithë shqiptarët të ndihen në barabartë para ligjit dhe asnjë pushtet kushtetues të mos mundet dot të marrë kompetencat e pushteteve të tjera kushtetuese?

– Do të ishte fatale nëse mendohet ribërja e diçkaje që nuk ka përfunduar. Disa elementë mund të korrektohen, si psh, duhet reformuar Shkolla e Magjistraturës dhe fakultetet juridike, duket kaluar nga vetingu tek masat ndaj burimeve të paligjshme financiare të subjekteve, duhet krijuar një mekanizëm koordinimi i pavarur midis institucioneve, KLGJ, KLP, GJL dhe GJK duhen të kalojnë në veting 100%, dhe se praktikat pozitive të SPAK duhet të aplikohet në të gjithë sistemin e drejtësisë. Koncepti i vetingut duhet zgjeruar edhe jashtë drejtësisë, – në politikë dhe në administratë, në entet publike dhe postet vendimmarrjesë të cdo niveli, përfshirë median, avokatet, noterët, kontabilistët dhe grupet e tjera të ndërlidhura me dhënien e të drejtës. Dhe më e rëndësishmja, nga ky proces duhet të ketë një dakordësi themelore, – ata që imponuan reformën e parë dhe ata që janë subjekte aktuale nën hetim, përfshirë liderit politikë dhe ish anëtarët e komisionit të reformës, nuk mund të jetë edhe këtë herë reformues të gabimeve të tyre apo instrument zgjidhjeje në konflikt të pastër interesi.

Drejtësi e cunguar

Duhet reformuar Shkolla e Magjistraturës dhe fakultetet juridike, duket kaluar nga vetingu tek masat ndaj burimeve të paligjshme financiare të subjekteve, duhet krijuar një mekanizëm koordinimi i pavarur midis institucioneve, KLGJ, KLP, GJL dhe GJK duhen të kalojnë në veting 100%, dhe se praktikat pozitive të SPAK duhet të aplikohet në të gjithë sistemin e drejtësisë. Koncepti i vetingut duhet zgjeruar edhe jashtë drejtësisë, në politikë dhe në administratë, në entet publike dhe postet vendimmarrjesë të cdo niveli, përfshirë median, avokatet, noterët, kontabilistët dhe grupet e tjera të ndërlidhura me dhënien e të drejtës. Dhe më e rëndësishmja, nga ky proces duhet të ketë një dakordësi themelore, ata që imponuan reformën e parë dhe ata që janë subjekte aktuale nën hetim, përfshirë liderit politikë dhe ish anëtarët e komisionit të reformës, nuk mund të jetë edhe këtë herë reformues të gabimeve të tyre apo instrument zgjidhjeje në konflikt të pastër interesi.

Prof. Krasniqi, pas çdo zgjedhje parlamentare, ngrihen komisione parlamentare, me të njëjtët aktorë (deputetë të partive politike pozitë-opozitë) dhe paskëtaj, çdo rezultat zgjedhor nga opozita hymbëse kundërshtohet dhe denoncohet për vjedhje, manipulime e shitblerje të votës.

– Zgjedhjet janë pjesë e kulturës politike dhe produkt i saj. Ne flasim për problematika në zgjedhjet parlamentare, por ne nuk njohim ndonjë model zgjedhor pozitiv në fushat, sektorët apo segmentet e tjera të shoqërisë. Kemi humbur standardet zgjedhore në politikë, por edhe në universitete, në grupime profesionale, në sindikata, në akademi, në federata dhe deri në këshillat e shkollave. Koncepti se fituesi i merr të gjitha dhe përmes pushtetit mund të imponojë rregullat e lojës për zgjedhjet e radhës përsëritet në të gjitha këto segmente, reforma zgjedhore është tregues tipik. Kjo kulturë duhet ndryshuar, ky do të ishte revolucioni dhe reforma më e rëndësishme nga 1990. Nga ana tjetër, nuk është normale që 13 komisione të reformës zgjedhore ndër vite të mos miratojnë dot një paketë ligjore efektive, funksionale dhe afatgjatë, ndërkohë që të njëjtët riciklohen jo për reformë zgjedhore, por për të ruajtur status quon aktuale. Nga ana tjetër, edhe nëse komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore miraton reformën nuk ka asnjë garanci se ligji do të zbatohet, vota do të garantohet dhe integriteti i procesit do të sigurohet. Thelbi është vullneti politik dhe përgjegjësia ligjore. Nëse reforma do të bazohet në parimin e proporcionalitetit të mandateve sipas votave, në konkurrim të hapur, në dekriminalizimin e partive politike, në jetësimin e transparencës financiare, në ndarjen e shtetit nga parti dhe në demokratizimin e vetë partive atëherë ajo mund të ketë sukses. Në dijeninë time shumica e këtyre kritereve nuk janë objekt debati dhe as agjende as në komision aktual parlamentar për reformën.Duhet të vij një ditë që cënimi i votës, individët apo subjektet e përfshira në abuzimin me votën të penalizohen me ligj. Krimi ndaj votës është krim ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe në plan më të gjërë, krim ndaj interesave shtetërore e publike.

Ju, si do ta përcaktoni rotacionet e (çdo) komisioni zgjedhor parlamentar?

– Sistemi vendimmarrës (i Reformës Zgjedhore) është i mbyllur: partitë deformojnë votën dhe palët më e suksesshme përcakton rregullat e lojës. Ata krijojnë komisione për të mbrojtur së pari interesat e tyre elektorale dhe pastaj si pjesë e detyrimit formal ndaj publikut dhe procesit të integrimit. Vetë fakti se dy partitë kryesore i kanë dhënë veto njëra tjetrës dhe se çdo ide mbi reformën Zgjoedhore duhet të kalojë vetëm me dakordësinë e tyre e bën strukturën e komisionit dhe të reformës jo funksionale, jo përfaqësuese dhe me pritshmëri minimale. Kjo, sidomos kur veton e vertetë nuk e kanë dy bashkëkryetarët e komisionit, por dy bashkëkryetarët e partive reciproke politike. Për analogji, Rama dhe Berisha kanë dështuar të prodhojnë demokraci e standarde zgjedhore brenda partive të tyre, do të ishte naive të pritej që ata të prodhonin demokraci funksionale e standarde zgjedhore për rivalët apo kritikët e tyre jashtë partive, ku bëjnë pjesë edhe kategoria kryesore vendimmarrëse në zgjedhjet politike.

-Kemi humbur standardet zgjedhore në politikë, por edhe në universitete, në grupime profesionale, në sindikata, në akademi, në federata dhe deri në këshillat e shkollave. E dini? Gjatë 3-4 viteve të fundit  kemi adresuar (Instituti i Studimeve Politike)  më shumë se 100 rekomandime konkrete (për Reformën Zgjedhore) dhe në asnjë rast nuk ka pasur përgjigje
-PS dhe PD janë aktorë politikë. Interesat e tyre individuale janë në thelb të njëjta, të mbajnë të mbyllur sistemin politik, të mos lejojnë prurje të reja dhe të konfirmojnë shumicën parlamentare, me dallimin e vetëm mes tyre, garën se cila do të jetë në vendin e parë
Bazuar në praktikat tona dhe të vendeve të BE mendoj se sistemi më i mirë i votimit do të ishte rikthimi tek 75% në mazhoritar dhe 25% në lista proporcionale. Nga mënyra sesi është kompozuar KQZ nuk ka fuqi të bëjë zgjedhje më të mira, por mund të ndikojë negativisht.
-Duhet të vij një ditë që cënimi i votës, individët apo subjektet e përfshira në abuzimin me votën të penalizohen me ligj. Krimi ndaj votës është krim ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe në plan më të gjërë, krim ndaj interesave shtetërore e publike
-Dy partitë kryesore i kanë dhënë veto njëra tjetrës dhe se çdo ide mbi reformën Zgjedhore duhet të kalojë vetëm me dakordësinë e tyre e bën strukturën e komisionit dhe të reformës jo funksionale, jo përfaqësuese dhe me pritshmëri minimale
-Sistemi vendimmarrës (i Reformës Zgjedhore) është i mbyllur: partitë deformojnë votën dhe palët më e suksesshme përcakton rregullat e lojës. Kuvendi ka konsultime formale, sistemi publik i konsultimit nuk funksionon dhe në këtë logjikë edhe komisioni i reformës më vete dhe Kuvendi si strukturë mbi këtë komision, nuk kanë aplikuar në asnjë rast një proces real konsultimi
-Kanë dështuar standardizimi i vetingut, funksionaliteti në tërësi i sistemit apo evitimi i ndikimeve të plota politike e informale. Për sa kohë Shqipëri ka nivel të lartë korrupsioni atëherë përgjigjia duhet kërkuar tek hirearkia e lartë, jo nëpunësit e thjeshtë zbatues të urdhrave në shkëmbim të privilegjeve të vogla dhe vendit të punë

Mendoni, se ka marrëveshje pozitë – opozitë, që ky lloj sistemi zgjedhor, kjo strukturë e administrastratës zgjedhore të jetë e njëjta? Cilat janë “gropat” e (çdo) reforme zgjedhore parlamentare të deritanishme?

– Nuk ka pakt të fshehtë dhe as nuk nevojë të ketë. PS dhe PD janë aktorë politikë. Interesat e tyre individuale janë në thelb të njëjta, të mbajnë të mbyllur sistemin politik, të mos lejojnë prurje të reja dhe të konfirmojnë shumicën parlamentare, me dallimin e vetëm mes tyre, garën se cila do të jetë në vendin e parë. Në këtë rast, interesat e njëjta krijojnë idenë e marrëveshjeve, kur në fakt as PD aktualisht dhe as PS kur ishte në opozitë nuk ka interes për pakt të shkruar, si  mekanizëm për të mbajtur të hapur mundësinë për kontestimin e zgjedhjeve në rast humbjeje. Pika e dobët e reformës? A do të hapet sistemi politik? A do ketë prurje të reja, konkurrencë me elementë mazhoritarë dhe a do të ketë transparencë financiare? Nëse ndiqet parimi, “ndiq paranë” reforma Zgjedhore realizohet brenda një muaji.

Sa merret parasysh nga hartuesit ligjorë mendimet, propozimet e palëve të interesuara, a janë të pasqyruara këto në reformën zgjedhore, (apo janë slogane politike boshe)?

– Koncepti i konsultimeve në Shqipëri është formal, aq formal sa psh, vendime thelbësore për Shqipërinë, si “Open Balkan” apo lejimi i kanabis u legjitimua përmes një sondazhi online të mbështetësve të qeverisë, apo vendimi për mbylljen e Tik-Tok u tha se ishte opinion i shumciës së mësuesve, që morën pjesë në takimet me kryeministrin. Kuvendi ka konsultime formale, sistemi publik i konsultimit nuk funksionon dhe në këtë logjikë edhe komisioni i reformës më vete dhe Kuvendi si strukturë mbi këtë komision, nuk kanë aplikuar në asnjë rast një proces real konsultimi. Disa tryeza me pjesëmarrje masive apo ftesa formale me shoqata e grupime fiktive që mbështesin linjën zyrtare, kanë zëvendësuar mekanizmin e rëndësishëm të konsultimit aktiv, praktik, direkt dhe të vazhdueshëm. E dini? Gjatë 3-4 viteve të fundit  kemi adresuar (Instituti i Studimeve Politike)  më shumë se 100 rekomandime konkrete (për Reformën Zgjedhore) dhe në asnjë rast nuk ka pasur përgjigje. Ne e kemi kompensuar këtë përmes organizimit të forumeve të debatit me partive, bashkëkryetarët dhe institucionet, kryesisht pa media dhe të bazuara në dokumente të shkruara, gjë që së paku ka ndihmuar në nxitjen e dialogut dhe procesit të reformës.

Sipas jush, Shqipërisë dhe integritetit tonë në rrugën europiane, cila reformë zgjedhore do të ishte më e përshtatshme?

– Nuk ka model ideal nëse ai nuk zbatohet në mënyrë integrale. Gjithësesi, bazuar në praktikat tona dhe të vendeve të BE mendoj se sistemi më i mirë i votimit do të ishte rikthimi tek 75% në mazhoritar dhe 25% në lista proporcionale. Kjo do të siguronte përfaqësim më konkurrues, elita politike më me integritet, rivalitet e më shumë demokraci brenda partive dhe pjesëmarrje më të lartë qytetare. Së pari, mendoj se duhet reduktuar numri i deputetëve (në 92-100 deputetë), si dhe të aplikojmë kuota minimale të rezervuara për diasporën, të rivendosim prag zgjedhor dhe të nxisim pluralizmin lokal pa i detyruar partitë e vogla të krijojnë listë fiktive kombëtare me kandidatë. Aspekti i dytë i rëndësishëm i reformës është reformimi i legjislacionit mbi partitë politike bazuar në tri kërkesat e nenit 9 të Kushtetutës, (demokraci e brendshme, pjesëmarrje në jetën politike dhe transparencë financiare).

Aspekti i tretë është një ligj integral i financimit politik dhe elektoral në Shqipëri, si dhe i katërti, depolitizimi dhe deburokratizimi i administratës zgjedhore. Le të emërojmë nga studentë të drejtësisë si komisionerë me kriter kushtëzues për karrierën e tyre të mëpasshme dhe trafikimi në votim zgjidhet.

Së fundi, duket kuadër rregullator për median sidomos atë online, forcim të dekriminalizimit dhe një sistem numërimi që mundëson daljen e rezultateve brenda pak orësh.

A ka ardhur koha, që reforma zgjedhore parlametare të zhbëjë, të departizojnë Administratën Zgjedhore, në çdo hallkë të saj, që rezultati zgjedhor të pranohet nga çdo parti politike?

– Nga mënyra sesi është kompozuar KQZ nuk ka fuqi të bëjë zgjedhje më të mira, por mund të ndikojë negativisht. KQZ nuk është përgjegjës për shumicën e kritikave të vitit 2025, por duke qenë me tre organe të pavarura nga njëra tjetra, me vendimmarrje të ndryshme dhe si produkt politik KQZ nuk mund të tejkalojë vetveten, besimin politik që i ka emëruar. Unë besoj se një sistem i reformuar administrimi, ku një komisioner zgjidhet përgjegjës dhe drejton nominalisht procesin zgjedhor do ishte më efektiv sesa eksperimentet kolektive pa adresë të qartë ndaj përgjegjësive. Një zyrtar i tillë mund të ishte një gjyqtar i Gjykatës së Lartë apo një zyrtar tjetër i lartë i pranuar nga të gjitha palët.

– Faleminderit!