Prof. Alqi Naqellari: Borxhi nëpërmjet Bonove të Thesarit do frenojë rritjen e ekonomisë

247

“Qeveria, duke e pasur të vështirë të gjej burime të reja për mbulimin e deficitit buxhetor i është drejtuar shqiptarëve të varfër për të “ndihmuar” qeverinë në nevojë, por edhe për të “rritur” të ardhurat e tyre.”

Sigal

Qeveria harton dhe zbaton planin e buxhetit të shtetit. Zbatimin e bën pas miratimit në parlament. Buxheti i shtetit është një plan financiar, një listë e të ardhurave dhe shpenzimeve për një periudhë të caktuar kohe, zakonisht një vit. Në krahun e majtë vendosen të ardhurat dhe në të djathtin shpenzimet. Në të ardhura përfshihen: I. Grantet,

  1. Të ardhurat tatimore gjithsej e cila ndahet në:

II.1 Nga tatimet dhe doganat me këtë grup taksash: 1. TVSH, 2. Tatim mbi fitimin, 3. Akcizat, 4. Tatim mbi të ardhurat personale, 5. Taksa nacionale e të tjera, 6. Taksa Doganore dhe 7. Taksa e qarkullimit të automjeteve.

II.2 Të ardhura nga pushteti lokal

III.Të ardhura buxhetore të pavarura (kontribute) ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

  1. Të ardhurat jo tatimore ku përfshihen Fitimet nga BSH, të ardhurat nga institutet buxhetore, dividendë e tjera.

Në shpenzime përfshihen:

I.Shpenzimet korente. II. Fondi rezervë dhe kontigjencë dhe III. Shpenzime kapitale.

Nga raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve kemi tre situata: buxhet të balancuar, suficit dhe deficit.

Struktura e të ardhurave përbëhet kryesisht nga taksat dhe tatimet dhe shumë pak, nga grupi i IV.

Në këtë kuptim Buxheti është një plan financiar, që realizohet nga qytetarët, nga konsumatori shqiptar dhe si i tillë ai është buxhet i konsumatorëve, buxhet i qytetarëve, buxhet i shoqërisë për t’u përdorur në interes të saj. Në taksimin indirekt nuk përjashtohen as pensionistët, sepse nuk kemi mallra pa TVSH që blihen nga pensionistët. Kështu ata nëpërmjet këtyre taksave paguajnë kontribute si të gjithë qytetarët e tjerë. Në këtë rast shteti, qeveria del si përfaqësues i popullit jo vetëm në grumbullimin e të ardhurave nga taksat, por edhe në shpërndarjen e tyre dhe nuk mund të diferencohen interesat në interesa të qytetarëve dhe në interesa të shtetit.

“Me nivelin e pagave ekzistuese, me nivelin e pensioneve ku pensioni mesatar është 15500 lekë janë të pakët ata qytetarë, që mund të investojnë në instrumentet e borxhit të qeverisë. Kini parasysh që depozitat me afat në lekë dhe valutë ka 10 vite që vijnë në rënie. Kjo ndodh se qytetarët janë varfëruar dhe vazhdojnë të varfërohen pavarësisht nga “përpjekjet” që bën qeveria për ta zbutur varfërinë e tyre.”

Interesat e shtetit janë edhe të qytetarëve dhe interesat e qytetarëve janë edhe të shtetit. Kursesi nuk mund të thuhet se do “humbasi shteti” dhe do “fitojnë” qytetarët. Nëse do humbasin ose do fitojnë, do humbasin të dy palët ose do fitojnë të dy palët. Barrën e taksave e mban gjithnjë populli. Nëse flet në emër të Buxhetit flet në emër të qytetarëve dhe në interes të tyre. Po a e konceptojnë kështu qeveritarët shqiptarë? Jo. Nuk e konceptojnë kështu, ata mendojnë se shteti, qeveria është tjetër dhe populli një gjë tjetër. Marrin borxh duke theksuar se do ta shlyejë shteti, tregtojnë eurobonde qindramiliona dollarë dhe përsëri theksojnë se do ti shlyejë shteti. Po kush është ky shteti?

Shteti dhe qevria nuk janë ndërmarrje ekonomike, nuk prodhojnë por edhe nëse do prodhonin, kur nuk duhet të harrojnë se në çdo sistem prodhimi është shoqëror dhe pa popullin nuk ka prodhim, nuk ka të ardhura, nuk ka tatime e për pasojë nuk ka shtet e qeveri.

Qeveria, duke e pasur të vështirë të gjej burime të reja për mbulimin e deficitit buxhetor i është drejtuar shqiptarëve të varfër për të “ndihmuar” qeverinë në nevojë, por edhe për të “rritur” të ardhurat e tyre.

Deficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat. Deficiti i Buxhetit të Shtetit financohet nga huatë e brendshme ose të huaja dhe, si rregull, masa e tij nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara në ligjin e buxhetit vjetor.

Në konferencën për shtyp për investimet në Bonot e Thesarit ministri i parë i Shqipërisë theksoi: “Kjo nuk është çështje frike, po është çështje mundësie për qytetarët, sepse këtu fillon se mund të ishte një nevojë e qeverisë, po nëse s’është një mundësi për qytetarët, nuk funksionon. Kjo është një mundësi për qytetarët, sepse aty ku faktikisht bëhet më e shtrenjtë për qeverinë, aty bëhet më interesante për qytetarët, sepse përndryshe me interesat minimale, pranë zeros që ishin më parë s’kishte leverdi për qytetarët që ta mendonin këtë gjë. Kështu që, është një moment përputhjeje i një rritjeje të kostos së mirëmbajtjes së borxhit me rritjen e interesit për qytetarët. Duke shfrytëzuar tregun e brendshëm ne ndodhemi në një pozitë jo më të lehtë, po sidoqoftë më të qëndrueshme, nëse mund ta them kështu, sepse jemi në kushte ku për qytetarët është një investim me zero risk dhe për shtetin, për qeverinë, për bankën është një investim i mirëseardhur, pavarësisht se në aspektin financiar janë qytetarët që fitojnë më shumë”.

Koment. Ministri i parë ka një koncept të gabuar për buxhetin, ai e shikon atë të shkëputur nga subjektet ekonomike, nga qytetarët duke harruar se ai krijohet nga taksat e konsumatorëve dhe bizneseve.

“I pyetur mbi rritjen e kostove të mirëmbajtjes të borxhit publik, Rama tha se “nuk është çështje frike që kostoja e mirëmbajtjes së borxhit është rritur për gjithë botën dhe ky është fakt”. Koment.  Po ka të drejtë se barrën e borxhit e paguan populli.”

  1. a) Pse qeveria merr borxh dhe kujt i rëndon barra e borxhit?

Qeveria merr borxh kur në bilancin fiskal shuma e të ardhurave nuk përputhet me shumën e shpenzimeve. Për ta plotësuar këtë diferencë që quhet deficit ajo merr borxh brenda vendit ose jashtë vendit. Borxhin e merr duke tregëtuar instrumente borxhi, Bono Thesari ose Obligacione. Po çfarë ka të pazakontë kjo thirje e qeverisë ndaj qytetarëve për të investuar në Bono Thesari? Po përmend thënien e një shtetari.

“Qeveria sigurisht merr borxh në emër të qytetarëve. Ajo që është e pazakontë dhe ky është debat tjetër, është që teknikisht këto instrumenta që kanë risk kaq të ulët nuk duhet të paguajnë një normë kaq të lartë interesi në raport me alternativat e tjera të investimit. Konsumatorët dhe investitorët shqiptarë mund të gjejnë treg dhe alternativa të tjera që kanë risk më të lartë” (E.M).

Por si do të ndihmojnë qytetarët në borxhin publik përmes bonove të thesarit? Qytetarët shqiptarë janë baza e taksapaguesve në vend. Ata paguajnë thuajse të gjitha llojet e taksave, të pushtetit qendror, të pushtetit vendor, taksa direkte dhe taksa indirekte. Sa para mund tju kenë mbetur qytetarëve shqiptarë pasi janë zëbritur shpenzimet e konsumit? A kanë mundësi ata që tju drejtohen bankave për të investuar në Bono Thesari? Përgjigja është se shqiptarët në përgjithësi nuk kanë mundësi të investojnë dhe nuk kanë mundësi të depozitojnë paratë e tyre. Me nivelin e pagave ekzistuese, me nivelin e pensioneve ku pensioni mesatar është 15500 lekë janë të pakët ata qytetarë që mund të investojnë në instrumentet e borxhit të qeverisë. Kini parasysh që depozitat me afat në lekë dhe valutë ka 10 vite që vijnë në rënie. Kjo ndodh se qytetarët janë varfëruar dhe vazhdojnë të varfërohen pavarësisht nga “përpjekjet” që bën qeveria për ta zbutur varfërinë e tyre.

Në Bono do investojnë ata që kanë depozita dhe nuk kërkojnë ti shtojnë ato. Po sa janë këta njerëz që munden të investojnë? 96 mijë depozitues kanë rreth 48% të depozitave, kur numri depozitave  gjithsej është 2.6 milionë. Prej tyre 1 milion nuk kanë asnjë lekë dhe mbeten rreth 1.6 milion depozita që kanë 52% të tyre. Këto depozita kanë më pak se 2.5 milionë secila dhe si të tilla janë 100% të siguruara nga ASD-ja. Në këtë mënyrë i mbetet grupit të parë të investojë në Titujt Shtetëror, respektivisht në instrumentet e borxhit. Këta qytetarë dhe gjithë qytetarët e tjerë duke investuar në instrumentet e borxhit të qeverisë do tërhiqen nga Bankat Tregtare. Paratë e tyre nuk do shkojnë për depozita, për pasojë për kredi. Kjo do sjellë si pasojë uljen e nivelit të kredive, nivelit të investimeve prodhuese nga firmat. Ulja e investimeve prodhuese nuk e nxit rritjen ekonomike por e frenon atë. Fenomeni që ndodh, kur paratë e depozituesve privat shkojnë për të mbyllur deficitin e qeverisë dhe jo për investime për biznesin quhet “efekti i rrudhjes së investimeve private” ose “croëding out”. Kështu thirja e qeverisë për të nxitur qytetarët, nëpërmjet rritjes së normave të interesit të investojnë në Bono Thesaari është një thirje që do ndikojë në frenimin e rritjes së ekonomisë shqiptare. Qeveria midis uljes së deficitit dhe rritjes ekonomike ka zgjedhur të parën.

  1. b) Çfarë janë instrumentet e borxhit ose titujt shtetëror? Qeveria merr borxh në tregun e brendshëm dhe në tregun ndërkombëtar. Në tregun ndërkombëtar ato janë në formën e Eurobondeve, kredi nga institucionet financiare private, huave për financimin e projekteve etj.

Me çfarë instrumentesh mbulohet borxhi i brendshëm? Instrumentet e borxhit qeveritar janë Bonot e Thesarit dhe Obligacionet. Sipas BQ-së “Titujt shtetërorë apo letrat me vlerë të qeverisë, janë instrumente borxhi të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Titujt shtetërorë emetohen në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve, në monedhë kombëtare dhe të huaj.

Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtër me maturim 3, 6 dhe 12 mujor. Interesi i përfituar nga ky instrument llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes së kuponit.

Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesëm dhe afatgjatë me maturitet 2, 3, 5, 7 dhe 10 vjeçare. Interesi i përfituar në formën e kuponit, paguhet çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit. Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por obligacionet, mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe një marzhi fiks që përcaktohet në ankand”.

Këto dy instrumente tregtohen në tregun e brendshëm, por mund të blihen edhe nga të huajt.

Titujt shtetëror janë instrumente borxhi, të cilët emetohen dhe garantohen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë emeton tituj qeveritare rregullisht në treg nëpërmjet ankandeve. Sipas BQ-së “Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm”.

Avantazhet e investimit në tituj qeveritarë.

Mbartin risk më të ulët në krahasim me investimet e tjera dhe ndihmojnë në diversifikimin e portofolit të investimit.

Kanë kthime me të larta krahasuar me normat e depozitave të bankave të nivelit të dytë për të njejtin maturitet.

Janë të tregtueshëm menjëherë në tregun sekondar.

Për çfarë mund të shërbejnë tjetër bonot e thesarit? Qytetarët aktualisht do të përfitojnë përmes interesave të larta. Bonot e thesarit nuk janë instrumenta pagese, nuk janë si Bonot e privatizimit.

Duhet sqaruar që në vend që individi me këtë bono thesari mund të blejë diçka, që nuk mund të blejë asgjë se nuk është instrument pagese, ai shumë mirë mund ta përdorë këtë bono thesari si kolateral, peng apo garanci për të marrë një hua në bankë për shtëpi apo konsum të përditshëm. Varet nga madhësia apo sasia e investimit që ka bërë në këtë instrument” (E.M)

Kush i blen instrumentet e borxhit? Instrumentet e borxhit mund të blihen nga të gjitha subjektet ekonomike, të brendshëm apo të huaj. Në tregun e brendshëm blerësit kryesorë janë bankat që përgjithësisht i themi sektori bankar, institucionet financiare, individët dhe institucionet jo financiare. Blerësit më të mëdhenj janë bankat tregtare dhe institucionet financiare. Institucionet jo financiare janë blerësit më të vegjël, pas tyre vijnë individët me. Pikërisht këtë shifër ka parë qeveria si rezervë për të joshur qytetarët shqiptarë.

Figura tregon se mbajtësit më të mëdhenj të titujve shtetërorë janë bankat me 69% të totalit, Institucionet financiare me 16%, individët me 11% dhe institucionet jo financiare me 4%. Shihet që sistemi bankar është mbajtësi më i madh i Bonove. Kjo vjen nga fakti se ato janë më shumë të interesuara të investojnë në këtë instrument sesa të japin kredi, në kushtet kur norma e tyre arriti 5.84%. Rritja e normës së Bonove do stimulojë edhe institucionet financiare si Kompanitë e sigurimeve, të investimeve, të pensioneve etj. Ky veprim do ndikojë negativisht në rritjen e depozitave të sistemit bankar.

Si ka ndryshuar norma e interesit të Bonove të Thesarit në vite?

Normat e interesit për B.Th 3 mujore nga 2009 kanë vazhduar të tregtohen deri në 2014. Ato ranë nga 6.3 në 3.15%. Janë emetuar në 2020 për 6 muaj dhe në vitet 2021 dhe 2022 kanë vazhduar të tregtohen normalisht. Në 8 muaj në 2021 kanë qenë rreth normës 1%. Në 2022 janë rritur dhe në gusht kanë qenë 1.90%.

Bonot 6 mujore kanë vazhduar deri në 2014, normën më të lartë e kanë pasur në 2009 me 6.3%, janë ndërprerë deri në 2020. Në 2020 u emetuan për 6 muaj. Në vitin 2021 janë emetuar për 6 muaj dhe në 2022 deri në muajin gusht për 6 muaj. Normën më të lartë e kanë pasur në muajin gusht me 2.37%.

Bonot 12 mujore nga 2009 deri në nëntor 2022 nuk kanë asnjë shkëputje në emetim. Ka qenë emetimi më i rregullt. Normën më të lartë e kanë pasur në vitin 2009 me 9.14%. deri në qershor të vitit 2019 kanë ardhur në rënie. Në vitet në vijim kanë pasur ulje dhe rritje, përgjithësisht poshtë normës 2%. Duke filluar nga prilli 2022 normat kanë qenë mbi 2%, në muajin gusht arritën 3.26%.

Në muajin e fundit Norma e interesit të Bonove të Thesarit 3 mujore ka shkuar 2.78%, me maturim 6 mujor 4.57% dhe me maturim 12 mujor 5.74%(01.11.2022). Në ankandin e datës 15.11.2022 me Nr.1977 u pranua norma e Yield-it mesatar të ponderuar 5.83%, 3 mujori 2.91%.  Obligacionet janë me maturim nga 2 vjet e lartë me normë interesi nga 4.9% deri në 8.39%.

            Të dhënat tregojnë se në vitin 2009 deri në vitin 2012 normat e Bonove të Thesarit kanë qenë mbi 6%. Këto kanë qenë vite normale të pashoqëruara me luftë, me tërmete dhe me pandemi. Norma e inflacionit nuk ka qenë e lartë, përkundrazi ka qenë nën 2%. Banka e Shqipërisë aplikoi një politikë monetare ekspansioniste, nga 6.25% që ishte në 2008 në 2022 u ul në 0.5%. Qeveria mbante norma shumë të larta të Bonove pa pasur probleme me inflacionin. E theksojmë këtë, sepse sot, qeveria me argumentin e normës së lartë të inflacionit kërkon t’ju vijë në ndihmë qytetarëve nëpërmjet rritjes së normave të Bonove të Thesarit. Realiteti është tjetër.

  1. c) Si u shprehën qeveritarët tanë për të joshur qytetarët shqiptarë që të investojnë në instrumentet e borxhit të qeverisë?

Me mënyrën e të shprehurit edhe ministri i parë edhe ministrja e financave edhe disa ekonomistë u shprehën me një gjuhë që dukej sikur po interesoheshin për të mirën e qytetarëve, për të ndihmuar qytetarët në këto kohra krizash. Të dukej se ju vinte keq dhe po nxirrnin një instrument të ri në ndihmë të tyre për përballimin e rritjes së çmimeve.

Ministri i parë deklaroi në konferencën për shtyp të datës 15.11.2022 se në këtë kohë krizash globale dhe sfidash ekonomike të provokuara nga agresioni i Rusisë, është koha e duhur për investimet e individëve në bonot e thesarit dhe obligacionet.

Koment. Kriza në Shqipëri nuk ka filluar me fillimin e pushtimit të Ukrahinës nga Rusia, kriza në Shqipëri ka filluar që kur prej qeverive shqiptare filloi shkatërimi i bazës materialo -teknike të trashëguar nga socializmi, filloi me largimin e miliona shqiptarëve nga vendi, filloi që kur filluan abuzimet me pronën shtetërore. Kriza ka filluar kur u përcaktua si degë kryesore dhe prioritet turizmi drejt të cilit u drejtuan pasuritë monetare financiare, njerëzore e materiale.

Mos përcaktimi i saktë i strukturës së ardhëshme të Prodhimit të Brendshëm me studime prej institucioneve ekonomike e arsimore, prej Akademisë së shkencave ka bërë që qeveritë shqiptare të punojnë pa një orjentim të saktë për të fituar një ekonomi të qëndrueshme,

“Është një moment në të cilin e kemi të nevojshme të informojmë përmes medieve publikun e gjerë lidhur me momentin e mirë për të investuar në titujt qeveritarë. Ju e dini që jemi në një fazë të rritjes së normave të interesit dhe pikërisht për këtë arsye, pavarësisht shkaqeve, që edhe këto janë të mirënjohura dhe lidhen me krizën e përgjithshme, rritja e normave të interesit është një avantazh për të gjithë ata që investojnë në bonot e thesarit dhe obligacionet, që janë faktikisht me risk zero”,- theksoi ministri dhe më tej: “Qytetarët mund të investojnë duke paguar një komision shumë më të vogël sesa ofrojnë bankat e nivelit të dytë dhe duke i depozituar këto fonde në sportelet e bankave, duke iu drejtuar BSH-së. Është një moment kompleks i ekonomisë në tërësi. Ekonomia jonë nuk bën përjashtim, pasi jemi pjesë e të njëjtës hapësirë që është nën presionin e luftës dhe të një agresioni që materializohet mbi ne përmes krizës së çmimit të energjisë që e kemi përballuar me shumë sukses përderisa nuk është rritur asnjë qindarkë fatura e familjarëve dhe biznesit të vogël. Po ashtu dhe inflacionit të luftës, i cili pavarësisht se është i pamundur të eliminohet, si deri tani, duke subvencionuar të gjithë pjesën e padukshme të faturës së energjisë është mbajtur në një lloj kontrolli më të madh sesa në vendet e tjera të rajonit”.

Koment. Për të ashtuquajturin “inflacion të luftës” kam folur në shkrimet e tjera, por ja vlen t’i bëj një koment të vogël thënies se “inflacioni është mbajtur në një lloj kontrolli më të madh sesa në vendet e tjera të rajonit”. Kjo është një thënie e një personi që nuk e njeh fare ekonominë. Si mundet që një vend që importon rreth 80% të 12 grupeve me të cilat llogaritet IÇK-ja të ketë inflacionin më të ulët? Sekreti qëndron te struktura e grupeve të shpenzimeve me anën e të cilave llogaritet IÇK-ja. Grupi i parë dhe kryesor Ushqime dhe pije jo alkolike në strukturën e Buxhetir të Familjes zë 45% në strukturën e shpenzimeve të IÇK-së zë 35.1%. Ky zë në 1996-1997 zinte 72%. Sot për pensionistët zë 58.8%. Atëherë nëse bëhet një sondazh ky zë do dali të paktën 60%. Nëse bëjmë të njëjtën gjë për grupin e IV dhe grupet e tjera norma e inflacionit minimalisht është më e lartë se mesatarja Europiane, prandaj këta njerëz nuk duhet të mburen se paskan inflacion të ulët. Ky tregues ka kapur majat si në asnjë vend tjetër të Ballkanit. Rritja e të ardhurave në Buxhet janë treguesit kryesor i normës së lartë të inflacionit. Stonon përqindja e normës së inflacionit me normën e rritjes së të ardhurave në Buxhet.

I pyetur mbi rritjen e kostove të mirëmbajtjes të borxhit publik, Rama tha se “nuk është çështje frike që kostoja e mirëmbajtjes së borxhit është rritur për gjithë botën dhe ky është fakt”. Koment. Po ka të drejtë se barrën e borxhit e paguan populli.