Prof. Dr. Lush Susaj: Bujqësia dhe fermerët, në ditën e tyre më të zezë

843
Sigal

Lojë e njohur korruptive po bëhet me projektet dhe subvencionet që kurrë nuk përfunduan tek prodhuesi

 

Bujqësia dhe fermerët janë në ditën e tyre më të zezë

 

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Nga urtësia e mrekullueshme e Viktor Hygoit me vjen ndërmend shprehja ku thotë:“Nëse më pyesni çfarë më detyron të flas? Një gjë e çuditshme: Ndërgjegjja ime”. Është ndërgjegjja dhe përgjegjësia ime qytetare dhe intelektuale që me detyron të flas e të shkruaj sa më shumë për sqarim dhe informimin sa më të mirë të njerëzve dhe institucioneve mbi katastrofën e shkaktuar në hallkat e prodhimit bujqësor. Rrolin më të madh në reduktimin e rendimentit të punës, efektivitetit të investimeve, standardeve, etj, e kanë luajtur drejtuesit e korruptuar e mediokët të ministrisë së bujqësisë dhe klaneve të tyre nepotike e krahinore. Modelet dhe mjetet e përdorura për të shkatërruar bujqësinë shqiptare, janë unike, janë “rrugë e pashkelur”, janë modele të panjohura e të papërdorura nga asnjë vend tjetër i kësaj bote. Nga njëra anë janë premtimet dhe demagogjia bajate për të ashtuquajturat reforma strukturore, zhvillimore dhe integruese, ndërsa ka ndodhur degradimi i vazhdueshëm i strukturave monitoruese, implemtuese dhe shkencore të bujqësisë. Në këto dy dekada kemi parë e përjetuar degradimin e thellë e të vazhdueshëm të politikëbërjes dhe menaxhimit korruptiv të investimeve në bujqësi. Në këtë mënyrë ka ndodhur përkeqësimi i aftësive prodhuese, përkeqësimi i standardeve dhe konkurrueshmërisë në tregje, përkeqësimi i administrimit të tokës, të varieteteve, të mekanizimit, të kullim-ujitjes, të sigurisë ushqimore, etj. Horrllëku politik i këtyre dy dekadave i ka shkaktuar një dëm shumë të madh Shqipërisë dhe shtetit shqiptarë. Në vend që të merreshin për bazë përvojat dhe mënyrat më të mira të organizimit dhe funksionimit të bujqësisë në vendet e rajonit dhe të Evropës Perëndimore, u krijuan dhe u zbatuan skema korruptive, degraduese e të padëgjuara kurrë më parë në rajon dhe as në ndonjë vend tjetër të botës. Në këtë rrugë të projektuar e të shfrytëzuar antishqiptarisht nga hajdutët dhe mafiozët me kollare dhe eskorta qeveritare, është gatuar e gjithë situata e rëndë e bujqësisë dhe prodhimit bujqësor, ku bie në sy mërzitja, humbja e shpresës e deri dhe braktisja e mbarështimit të blegtorisë, e kultivimit të tokës bujqësore, mungesë totale e mundësive të ujitjes, mekanizimit, subvencioneve për njësi prodhimi, etj. Në të gjithë morinë e problemeve që ka sot bujqësia, bien në sy ato goditje e marra drejtpërsëdrejti nga mediokriteti dhe abuzivizmi korruptiv i drejtuesve të lartë të politikës, sidomos i ministrave që e shkarravitën dhe e degraduan bujqësinë deri në këtë situatë të pashembullt.

  • Ujë në çdo parcelë është demagogji:

Në kushtet specifike të Shqipërisë dhe të rajonit të Mesdheut, karakterizuar nga një deficit vjetor lagështire prej më shumë se 300 mm reshje, mungesa e ujitjes e bën të pamundur suksesin dhe konkurrueshmërinë e prodhimit bujqësor e blegtoral. Demagogjia me nismën “ujin në çdo parcelë” është shumë e hidhët pasi mund të ketë shërbyer vetëm sa për të justifikuar orientimin dhe vjedhjen e fondeve dhe projekteve të adresuara për kanalet kulluese e ujitëse. Këtë realitet të trishtë e pashë nga afër në rajonin bujqësor të Malësisë së Madhe ku sot nuk ka asnjë metër katror tokë nën ujë. Unë nuk doja ta besoja atë që dëgjoja nga fermerët, ndajë dhe shkova për të parë në vend të dy kanalet e mëdha ujitëse (kanalin e Rragamit dhe kanalin e Shtotrrit), totalisht të shkatërruara, të lëna pa asnjë investim dhe pa asnjë pikë ujë. Po kështu, jashtë funksionimit e pa asnjë investim e kujdes janë lënë edhe dy stacionet e pompimit të ujit të ujitjes. Pavarësisht demagogjisë, në një situatë të tillë janë fermat dhe prodhuesit në mbi 80% të territorit të vendit. Mungesa e ujitjes për shkak të vjedhjes së investimeve, në rastin më të mirë shkakton kosto shtesë për hapje pusesh të thella, për pompa, për filtruesa, tubacione etj. Janë kosto që reduktojnë prodhimin, efektivitetin, konkurrueshmërinë e që nxisin braktisjen e tokës dhe punës në bujqësi. Për ironi të fatit, në asnjë rast nuk është marrë as edhe një kontroll rigoroz mbi produktin e projekteve dhe investimeve në kullim dhe ujitje. Kjo heshtje nuk mund të jetë as e rastësishme dhe as në shërbim të fermerëve dhe interesave ekonomike, sociale e politike të vendit, përkundrazi.

  • Subvencionet që nuk shkuan kurrë tek prodhuesi

Një tjetër problem i yni loja e njohur korruptive që bëhet me projektet dhe subvencionet që kurrë nuk përfunduan tek prodhuesi. Pavarësisht nga demagogjia, kurrë nuk është bërë subvencionimi real e i plotë i prodhuesve dhe i hallkave të prodhimit bujqësor. Në të gjitha qeverisjet, në mënyrë të veçantë në qeverisjen katastrofë të këtyre 6 viteve, bie në sy mungesa nga abuzimi me subvencionet. Nga njëra anë askush nuk shkon për të denoncuar presionin dhe vjedhjen në institucione as në organet e drejtësisë, ndërsa nga ana tjetër që të gjithë tregojnë për lekët që japin paradhënie për të marrë financimin që ju takon me ligj. Janë të shumtë ata fermerë që nuk aplikojnë dot për shkak të një dokumenti që duhet ta lëshojnë zyrat e kadastrës shtetërore e tokës. Fermerët ose janë të detyruar ta sigurojnë këtë dokument me korrupsion e në mënyrë fiktive, ose nuk mund të aplikojnë dot për subvencionin që atyre ju takon. Apo një projekt mbjelljesh apo shërbimesh që më parë e hartonte çdo specialist i certifikuar nga UBT, sot duhet hartuar e paguar (blerë) tek një grusht njerëzish të cilët, për shkak të funksioneve administrative dhe lidhjeve politike, ndikojnë edhe në klasifikimin dhe përzgjedhjen e përfituesve të projekteve, njëlloj si dikur “lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos”. Ndërsa listimi, implementimi, kontrolli dhe financimi i projekteve, në vend që të ishte në dorë të specialistëve dhe drejtuesve rajonal të bujqësisë (si në të gjithë botën), kryhet nga specialistët e AZHBR-së, që në shumë raste nuk kanë asnjë njohuri apo lidhje me zonën dhe as me kulturën bujqësore që kontrollojnë. Kam pasur rastin që në këto funksione të takoj edhe muzikantë (flautist). Sipas mediokritetit dhe verbërisë politike të këtyre dy dekadave, nuk ka më nevojë as për agronomë, as për veteriner, tani bimëve dhe deleve u duhet bërë muzikë.

  • Centralizmi prodhon konspiracion dhe varfëri

Në Shqipëri ekziston një paradoks i madh. Nga njëra anë flitet aq shumë për decentralizimin, ndërsa nga ana tjetër sajohen skema dhe rregullore centralizuese e abuziviste që shkatërrojnë prodhimin e qëndrueshëm dhe thelbin e marrëdhënieve me tregun dhe funksionet rregulluese e monitoruese të shtetit. Në Shqipëri, të tilla skema që veprojnë në mënyrë korruptive e degraduese, paraqiten si reforma apo si arritje të mëdha. Kjo ndodh kur në realitetin tonë shoqëror e politik, centralizmi është dhe përkthehet si mungesë e transparencës dhe reduktim i kapaciteteve prodhuese e menaxheriale.

  • Shkalla e ulët e mekanizimit kërkon të tjera zgjidhje

Bujqësia shqiptare është në ditën e sajë më të zezë edhe për shkak të shkallës shumë të ulët të mekanizimit që më së shumti vjen politikat e gabuara e korruptive që janë ndjekur e po ndiqen në drejtim të subvencionimit të mjeteve mekanike, operacionale. Akoma vazhdon marria e sjelljes nga jashtë të mjeteve të rënda bujqësore për një vend me fragmentarizim shumë të lartë të tokës bujqësore. Kështu vazhdon edhe aplikimi i çmimeve të larta e të papërballueshme për karburante dhe mjete mekanike për fermerët. Të gjitha këto janë kosto për prodhimin. Janë kosto që duhet të zgjidhen nga shteti me anë të hapjes së tregut dhe financimit për mjete të vogla, e më praktike. Në Londër, pothuajse çdo familje, ka nga një frezë dore për kopshtin. Ka dhe nga një prerëse bari që këtu kushton 700 paund, ndërsa në Angli kushton 140 ose 5 herë më pak. Dihet fakti që çmimet e larta të mjeteve janë për shkak të korrupsionit dhe monopoleve të lidhura me politikën. Edhe degradimi i TVSH-së që duhet ta merrnin prodhuesit e qumështit, perimeve, fidanëve, frutave, etj, në dorën e 20 apo 30 grumbulluesve, nuk është asgjë më tepër se një skemë e mirëfilltë abuziviste e varfëruese që po shkatërron në mënyrë të pa riparueshme gjeografinë e prodhimit dhe kapacitetet prodhuese e eksportuese të vendit.

  • Agroturizmi nuk mund të ekzistojë pa produktet autoktone:

Edhe agroturizmi po dëmtohet rëndë nga vulgariteti dhe korrupsioni i agjencive të vlerësimit dhe financimit të projekteve për produktet specifike të traditës, ato me bazë autoktone, me origjinë dhe gjeografi të padiskutueshme. Degradimi dhe goditja korruptive shkon deri në atë pikë sa, një projekt i paraqitur nga UBT, me objekt seleksionimin klonal të kultivarëve autoktonë të rrushit, u skualifikua pa asnjë logjikë dhe argument. Nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë të tillë shembull në asnjë vend të botës. Ka të ngjarë që militantët e zyrave e kenë ditur faktin që profesori që ka ideuar e paraqitur këtë projekt jetik për agroturizmin dhe enologjinë shqiptare, nuk është nga takëmi i servilëve që lëpihen dhe japin bakshish si paradhënie. Për të mos folur për shkatërrimin që i është bërë ekstensionit apo dhe kualifikimit dhe bashkëpunimit tradicional me departamentet dhe fushat specifike të studimit në UBT. Ky shkatërrim gradual është bërë për të favorizuar shoqatat (OJF) e familjarëve dhe funksionarëve të lartë. Këto shoqata që qarkullojnë miliona euro, kanë uzurpuar dhe deformuar të gjitha studimet, zgjidhjet, ligjet dhe gjithë vendimmarrjen. Ngado që e filloj analizën mbi gjendjen e bujqësisë shqiptare të këtyre 20 viteve, prapë me rezulton që të jetë dega më e vjedhur, më e keq qeverisur dhe më e braktisur e ekonomisë. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë ministria më e lakmuar për të bërë pasuri me anë të vjedhjes së granteve dhe projekteve që bota ka dhënë e do të japë për punësimin dhe përmirësimin e jetës në Shqipëri.