Procesi i Fiskalizmit ndan bizneset. Tregtari: Anglisht nuk dimë do e mbyll dyqanin. Tregtarja: Procesi shumë i thjeshtë dhe kostoja minimale

159
Sigal

Biznesi i vogël dhe i mesëm ka protestuar për rreth një orë ditën e sotme kundër procesit të fiskalizimit. Bizneset e vogëla dhe të mesme kanë ulur qepenat në formë simbolike.

Zv/Kryetari i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm, Bujar Muça ka deklaruar se 90% e bizneseve i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për ulje qepenash.

“Biznesi i vogël dhe i mesëm organizoi një protestë simbolike me ulje qepenash një orë, nga ora 10 deri në orën 11 të ditës së sotme. U fokusua në qytetin e Tiranës për arsye se biznesi shqiptar 40-50% është i përqëndruar në Tiranë. 90% e biznesit është dakordësuar për uljen e qepenave. Kohëzgjatja mund të jetë më e shkurtër për arsye se tregjet kanë ekzpozuar mallin dhe e kanë të pamundur të fusin të gjithë mallin brenda. Nuk mund të dakordësosh 100% për t’i ulur. Neve si shoqatë jemi optimistë për realizimin e kësaj proteste. Solidarizimi ishte i madh. Kerkesat tona kanë të bëjnë me fiskalizimin”, tha ai.

Muca u shpreh me tej se ata kerkojne nga qeveria shtyrjen e procesit pershkak te kostos se larte ne kohe pandemie, si edhe pershkak te procesit te nderlikuar qe perfshin fiskalizimi.

“Kemi kërkuar shtyrjen pershkak të kostos së rëndë në këtë kohë dhe e dyta është shumë i ndërlikuar si proces. Sipas të dhënave jo më shumë se 20-22% kanë filluar hapat e para. Të dalim nga gjendja që jemi sot. Mos harrojmë se biznesi shqiptar sot nuk operon më shumë se 20-30% të xhiros së tij. Përcaktimi i kohës së shtyrjes është e vështirë. Të rifutemi në negociatë me qeverinë për ta thjeshtëzuar procesin. Ne kemi mbrojtur gjithmonë bizneset e formalizuara. Informaliteti nuk ulet me sisteme por me vullnet. Informalitet mund të ketë dhe në Amerikë por me përqindje shumë të vogëla. Te ne është 48%. Ky sistem kaq i ndërlikuar, ne besojmë se do ta shtojë informalitetin pasi bizneset do të tentojnë të dalin nga skema. Informaliteti goditet dhe me kasat e para që u instaluan para disa vitesh. Ne dime fare mirë se kasat pas 5-6 muajsh do dalin përsëri jashtë përdorimit”, tha Bujar Muça.

Një tregëtar tha se as nuk e kupton çfarë do të thotë fiskalizim, duke shtuar se do tas mbyllë biznesin nëse bëhet me detyrim.

“Nuk e kuptojmë çdo të thotë fiskalizim. Na kanë sjellë disa letra që nuk janë as shqip. Nuk dimë çfarë do bëjmë. Po rrimë në vend. Nuk ecim dot. Anglisht nuk marrim vesh.Nuk e dimë koston që do ketë. Ne nuk e dimë a e bëjë dot apo jo. Do ta mbyllim nëse na kërkojnë me detyrim. Po ishim në protestë”, deklaroi ai.

Ndërsa një tjetër tregëtare u shpreh e kënaqur me procesin, duke deklaruar se kostoja është minimale dhe se procesi është i thjeshtë.

“E kemi përditësuar procesin e fiskalizimit. Shumë mirë dhe shumë i thjeshtë. Jemi shumë të kënaqur. Kostoja ishte minimale. Çuditem me tëe tjerët që e kanë marrë me kaq vështirësi. Na ka ndihmuar dhe ndjejmë lehtësim madje”, tha ajo.