Burgu i Rrogozhinës i dha fitoren PS, përsëriten zgjedhjet në Rrogozhinë

95
Sigal

Zgjedhjet në Rrogozhinë do të përsëriten pasi Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ankesa në Kolegj u bë nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’. KQZ pritet të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 4 javësh.

Vendimi u morr këtë të Enjte, ndërsa më herët kërkesa e koalicionit opozitar ishte rrëzuar nga KQZ dhe KAS. Në këto kushte, “BF” ankimoi vendimin në Kolegjin Zgjedhor, organi më i lartë i gjykimit të çështjeve zgjedhore.

Më herët, KAS vendosi rinumërimin e votave për zgjedhjet lokale në Rrogozhinë, duke pranuar kërkesën e “Bashkë Fitojmë”. Numërimi i zhvilluar më 5 qershor dhe rezultati për fituesin nuk ndryshoi, ndërsa diferenca mes kandidatëve u ngushtua, me 21 nga 30 vota.

Si përfundim, pas rivlerësimit të votave të vlefshme dhe të pavlefshme, Edison Memollaj i PS grumbulloi 5129 vota, ndërsa Shkëlqim Hoxha i Bashkë Fitojmë 5108 vota.

Megjithatë, KAS hodhi poshtë kërkesën e “Bashkë Fitojmë” për shpalljen e pavlefshme të kutive të burgut.

Ishte pikërisht kjo kuti, e cila u hap e fundit, që solli përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të 14 Majit dhe kurorëzimin e Edison Memollajt fitues.

Gjatë seancave të shqyrtimit në KAS, avokatët e koalicionit “BF” argumentuan se Komisioni i Qendrës së Votimit në këtë burg ishte ngritur pa vendimmarrje të KQZ-së dhe se shumica e të burgosurve, që kishin votuar nuk kishin të drejtë të votonin bazuar në kriteret ligjore, për shkak të vendbanimit dhe mospasjes së emrit në listën e zgjedhësve.

Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka pretendime të ngjashme dhe në rastin e bashkisë Belsh, duke kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në QV nr. 2565/01 IEVP, Burgu Kosovë, që i përket zonës zgjedhore të kësaj bashkie. Edhe për kërkesat e rrëzuara nga KQZ e KAS për këtë bashki, koalicioni opozitar ka bërë ankim në Kolegjin Zgjedhor.