Prindërit bashkohen në protestën e studentëve: Ti themi ndal mafies! Jemi varfëruar nga qeveria “Rama”

330
Sigal

Protestës së studentëve iu janë bashkuar edhe prindërit e tyre.

Një prej prindërve i pranishëm në protestë, tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama, ka varfëruar xhepat e tyre.

“Nuk është protestë kot, është protestë për t’i thënë ndal Mafies. Globalizmi nuk mund të sundojë kështu, e keqja nuk ka fund. Amerika sot vendos për të ardhmen, po ashtu edhe ne.

Studentët kanë prindër dhe ne jemi të varfëruar nga qeveria globaliste e Ramës”,-tha një prind.

Studentët e UT dhe fakulteteve të tjera kanë dalë sot në protestë. Ata kërkojnë përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Ndërkohë që sot, starton dhe viti i ri akademik, 2020-2021, ku për herë të parë, do të ndjekin fakultetin 21 mijë studentë të rinj.

Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta.

Për shkak të mungesës së mjeteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos patur mundësi të paguanin as qiratë.