Presidenti Meta: Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë,atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian

517
Sigal

Intervistë e Presidenti Meta për televizionin Fax News 

Gazetari (Bledian Koka): Zoti President, Ju falënderoj shumë që
pranuat këtë intervistë me Fax News!

 

Presidenti Meta: Faleminderit! I uroj suksese Fax News-it në këtë sfidë që
ka ndërmarrë si televizioni më i ri në vend.

Gazetari: Faleminderit! Zoti President, më lejoni që ta filloj këtë
intervistë me Ju me aktualitetin e ditës. Sot, ish-ministri i Brendshëm, Sajmir
Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij, duke akuzuar kundërshtarët dhe
aleatët. A i theksoi edhe njëherë akuzat në fakt ndaj jush, se keni qenë i pari
që keni kërkuar largimin e tij. Largimi përfundimtar, në njëfarë mënyre, të
zotit Tahiri nga politika. A e konsideroni një fitore personale?

Presidenti Meta: Kam “zero” koment për këtë pyetje dhe më vjen keq meqenëse
ishte pyetja juaj e parë.

Gazetari: Gjithsesi më lejoni që të insistoj në mungesën e komentit
tuaj. Ju si aleati kryesor dhe bashkëkryetari i koalicionit i keni kërkuar
Kryeministrit në 2015-tën largimin e zotit Tahiri për shkak të informacionit që
keni patur për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Përse nuk e largoi
Kryeministrit atëherë zotin Tahiri?

Presidenti Meta: Nuk dua të përsëri edhe njëherë përgjigjen e mëparshme.
‘Zero’ koment për këtë çështje.

Gazetari: E kuptoj. A besoni se e ka tashmë drejtësia rrugën e hapur
për gjykimin e plotë dhe të paanshëm të zotit Tahri?

Presidenti Meta: Mendoj se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga askush në
rrugën e saj për të ndjekur dhe zbardhur çdo çështje dhe çdo individ, kushdo
qoftë.

Gazetari: Zoti President, jeni njohur besoj me raportin e Komisionit
Evropian për rekomandimin e çeljes së negociatave. Një pjesë e raportit ju
është dorëzuar dhe Ju. A e meriton Shqipëria çeljen e negociatave me ato arritje
që ka shënuar deri tani ashtu si evidentohen edhe në këtë dokument.

Presidenti Meta: Unë mendoj se “Po”! Pasi çelja e negociatave nuk është
anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me
kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka
siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i
cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në
qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian.

Gazetari: Ndërkohë zonja Merkel në takimin e fundit që pati me
Kryeministrin Edi Rama foli për disa parakushte ose disa kushte shtesë, të
cilat kanë të bëjnë së pari me përforcimin dhe përmirësimin e ekonomisë së
vendit, por edhe me luftimin e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në një farë
mënyre duket se largimi i zotit Tahiri është një pjesë e plotësimit të
kërkesave të zonjës Merkel. Po me çështjen ekonomike, si mendoni se do bëhet?

Presidenti Meta: Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e
negociatave, me vështirësitë për marrjen e një vendimi të tillë dhe me ndikimin
që ata do të kenë në trajtimit e disa problemeve të rëndësishme me të cilat
ndeshet vendi, por të cilat janë dhe çështje kyçe për anëtarësimin në BE. Në
radhë të parë kanë të bëjnë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe
sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që
kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon
Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe
partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin
që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar
Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i
ngushtë nga e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe natyrisht
edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të
larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ.

Gazetari: Qeveria shqiptare ka kërkuar me ngulm çeljen e negociatave
duke parë një lloj hezitimi që kanë disa prej vendeve skeptike në BE.
Kryeministri Edi Rama ka folur duke paralajmëruar se, nëse nuk do të ketë çelje
të negociatave në qershor ose një shtyrje të dytë siç ndodhi në vitin 2016,
atëherë Ballkani por edhe Shqipëria mund të bjerë pre e ndikimit rus. A besoni
ju tek ky rrezik në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri zoti Meta.

Presidenti Meta: Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur
rrugën e saj, që është rruga e integrimit evropian dhe e përcaktimit
euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend
anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Nuk është
një rrugë e lehtë si për Shqipërinë, e cila duhet të motivohet edhe më tej për
përmbushjen e standardeve që kërkohet, ashtu edhe për BE-në, i cili nuk
përjeton momentet më entuziaste për sa i takon politikës së zgjerimit. Për të
gjitha arsyet të cilat dihen. Por, i cili sigurisht ka patur edhe disa
zhgënjime të tij nga anëtarësimi i disa anëtarëve në BE, ku disa problematika
nuk është se janë zgjidhur përfundimisht edhe me bërjen anëtar të BE të këtyre
vendeve.

Kjo ka bërë BE-në që të jetë edhe më
kërkues ndaj vendeve si Shqipëria që synojnë të çelin negociatat dhe të
anëtarësohen në BE dhe natyrisht kjo nuk ka pse të na dekurajojë ne, por duhet
të na motivojë më tej për të demonstruar arritje, progres, qëndrueshmëri,
respekt të parimeve të qeverisjes së mirë, të parimeve demokratike në vend dhe
standardeve evropiane në çdo sferë. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër dhe as
një rrugë tjetër, nuk është se kemi disa alternativa edhe po lëmë një
alternativë dhe po zgjedhim një tjetër. E vetmja rrugë e jona është kjo rrugë.

Gazetari: A do të ishte dekurajuese Zoti President një refuzim i
dytë nga Këshilli Evropian dhe nga vendet anëtare për çeljen e negociatave?
Meqë jemi këtu dhe po ju pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë: a e ndieni të
nevojshme të merrni edhe ju pjesë në një tur diplomatik me homologët tuaj, them
me Mbretin e Spanjës apo qoftë me Presidentin e Gjermanisë për t’i bindur që të
mos votojnë kundra nesh?

Presidenti Meta: Mendoj se Presidenti i Gjermanisë është një ndër më
mbështetësit e një vizioni strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të
vendeve të tjera të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Dhe nuk mendoj se
problemi është thjesht çështja e lobingut. Unë mendoj se përparimi është
dokumentuar qartë. Edhe fushat ku kërkohet përparimi i mëtejshëm janë bërë më
se të qarta. Dhe jam i sigurt se e vetmja rrugë që na ndihmon të ecim drejt një
vendimi pozitiv në qershor evitimi i kësaj gare ku të gjithë aktorët kërkojnë
të bëjnë opozitë, dhe marrja e përgjegjësive, e qeverisë në radhë të parë, por
edhe vetë opozitës, për të demonstruar edhe përgjegjshmëri më të lartë, edhe
përqendrim më racional në ato përparësi ku kërkohet të raportohet përparimi çdo
ditë, çdo javë.

Gazetari: Zoti President, çfarë nënkuptoni me të gjithë aktorët që
janë në garë për të bërë opozitë, përveç opozitës? Dhe kundër kujt bëhet kjo
opozitë?

Presidenti Meta: Pse mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u
takojnë në këtë proçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast
se negociatat nuk do të çelen në qershor. Dhe unë jam personalisht optimist,
kuptohet me këmbë në tokë, që kjo është tërësisht e mundshme dhe nuk duhet të
shpikim as armiq të brendshëm, as armiq të jashtëm, por duhet të tregojmë se
jemi një vend, i cili ka institucione, i cili i respekton këto institucione,
edhe ku aktorët marrin përgjegjësi. Përgjegjësi në qeveri, përgjegjësi në
opozitë, përgjegjësi në krye të institucioneve të pavarura.

Gazetari: E kuptoj. Meqë po flasim për armiqtë e brendshëm dhe ata të
jashtëm, a besoni se ekziston në Shqipëri rreziku i fondamentalizmit islamik,
dhe akoma edhe më tej, ajo që ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në
Gjermani, se ky fondamentalizëm islamik mund të nxitet përmes ndikimit rus?

Presidenti Meta: Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë: atë të
anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët janë të vendosur në këtë rrugë.
Politikanët dhe gjithë klasa drejtuese në vend duhen ta lehtësojnë këtë rrugë
dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Dua të çmoj shumë edhe aktin mjaft të
ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të të gjithë krerëve të bashkësive tona fetare,
pas miratimit të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ku të gjithë
përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në një deklaratë të përbashkët përveç se
vlerësuan këtë rekomandim, bënë thirrje që të ecet në rrugën e bashkëpunimit
për të përmbushur të gjitha sfidat që kërkon çelja e negociatave, sepse ne e
kemi tashmë të qartë që të gjithë pavarësisht nga dallimet apo besimi fetar,
jemi shqiptarë. Por njëkohësisht edhe të gjithë jemi evropianë. Kështu që nuk e
shoh një rrezik të tillë si rrezik me bazë në vend, pavarësisht se këtë harmoni
ndërfetare dhe këtë orientim të qartë evropian të të gjithë aktorëve në vend
nuk duhet ta marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë, por duhet ta kultivojmë
dhe ta forcojmë çdo ditë.

Gazetari: Këto deklarata të Kryeministrit Rama, të kësaj natyre, a e
dëmtojnë këtë lloj harmonie fetare, këtë pasuri që kemi ne?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj që të bëj komente për pyetje, të cilat nuk
mund t’i gjykoj në kontekstin se si janë dhënë përgjigjet, por mund të jap një
mesazh të qartë: ne kemi bashkësi fetare mjaft të përgjegjshme, me tradita të
forta patriotike dhe të përcaktuara qartë në orientimin evropian të vendit.

Gazetari: Zoti President, përpara se të kaloj te pyetja tjetër: dua të
bëj një pyetje të fundit përsa i takon integrimit, ose çelja e negociatave. A
besoni se është një proces i pranueshëm, një proces që vjen me kushte për
arrestime të figurave të larta në Shqipëri nga Bashkimi Evropian? A është kjo
mënyra se si ne duhet ta pranojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian?

Presidenti Meta: Mendoj se Bashkimi Evropian kërkon standardet evropiane të
sundimit të ligjit në vend dhe në këtë drejtim unë besoj se përqendrimi te këto
standarde, te reformat që po zhvillohen, te ajo e drejtësisë në veçanti, por
edhe te reformat e tjera që kanë të bëjnë me pesë përparësitë kyçe, do të japin
në fund fare rezultanten përfundimtare të një qëndrimi për çeljen e
negociatave.

Gazetari: Le të shpresojmë. Zoti President, revista amerikane “Mother
Jones” botoi një artikull ku fliste për një lobim të kryer nga Lëvizja
Socialiste për Integrim në kohën kur ju e drejtonit atë, dhe ku pretendohet se
është bërë nëpërmjet kompanive “off shore” me lidhje ruse për të ndikuar, për
të rritur le të themi, praninë e LSI-së apo tuajën personale në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, në Departamentin amerikan të Shtetit. Besoj se e mbani
mend këtë lloj kontrate. Si qëndron e vërteta e saj? Dhe a ka një kontratë në
fund të fundit?

Presidenti Meta: Mendoj se nuk keni gjetur personin më të përshtatshëm apo
edhe kohën më të përshtatshme për të bërë një pyetje të tillë. Megjithatë nuk
mund të refuzoj të përgjigjem për arsyet që nuk kanë të bëjnë me funksionin tim
sot, nga 24 korriku i vitit të kaluar, me funksionin e Presidentit, për të
cilën gazetari që ka bërë një pyetje, ka marrë edhe një përgjigje, që
pjesërisht është botuar, nga Drejtori i Kabinetit të Presidentit. Por meqenëse
ju përmendët faktin se unë kam qenë në drejtim të Lëvizjes Socialiste për
Integrim për këtë moment që është përshkruar në atë mënyrë që ju e keni
ndjekur, mund t’ju them se kam lexuar me vëmendje përgjigjet e pyetjeve që i
ishin drejtuar zëdhënësit apo drejtorit për shtypin të LSI-së, zotit Shaban
Sulçe, të cilat çuditërisht nuk ishin publikuar, pra përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Dhe mund t’ju them që përgjigje mjaft të sakta, mjaft transparente, dhe me një
fjalë mund të them që kemi të bëjmë me një zero të vërtetë përsa u takon të
gjitha aludimeve dhe insinuatave për atë periudhë.

Gazetari: Ju kuptoj. A keni paguar para ju zoti Meta për të qenë i
pranishëm në inaugurimin e Presidentit Donald Tramp dhe për të përforcuar
raportet me administratën Tramp?

Presidenti Meta: Është një mashtrim, për arsye sepse…

Gazetari: Gjithmonë i referohem artikullit të “Mother Jones”? Besoj
se kuptohemi qartë.

Presidenti Meta: Unë po jua jap përgjigjen ju, nuk po ia jap përgjigjen
askujt tjetër. Është një mashtrim pasi unë kam marrë pjesë, së bashku me zotin
Vasili, si kryetar i Parlamentit me ftesë të komitetit organizator të
ceremonisë dhe është gjithçka e verifikueshme, edhe për shkak të kamerave të
sigurisë që ne nuk kemi pasur asnjë lidhje. As unë dhe as zoti Vasili me rastin
në fjalë.

Gazetari: Si e keni siguruar ftesën për të qenë i pranishëm në
inaugurimin e Presidenti Tramp?

Presidenti Meta: Unë kam qenë vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara dhe jam takuar vazhdimisht me nivele nga më të lartat. Kam marrë edhe
vlerësime nga më të lartat, të cilat janë edhe publike, edhe zyrtare, si nga
kryetari i Komisionit të Ligjeve që është nga figurat më kryesore të Kongresit,
zoti Pit Seshion, si nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare zoti
Mekoll në Kongresin e shumë personalitete të tjera, kështu që gjithçka është
absurde dhe mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë tepër shteruese.

Gazetari: E kuptoj. Artikulli i “Mother Jones” zoti Meta erdhi
pikërisht në ditën kur Kryeministri Rama po zhvillonte vizitën në Gjermani, një
vizitë që nga mediat u konsiderua si një lloj shuplake që Berlini zyrtar i dha
Tiranës për mënyrën të paktën se si e kishte adresuar çështjen e negociatave.
Po ta shikojmë mirë edhe artikullin, në vetvete ishte një artikull narrativ,
por i mungonin faktet. A e shikoni realisht dhe a e konsideroni këtë si një
sulm personal ndaj jush? Mënyrën se si, qoftë edhe lidhjen e kohës – lidhjen e
kohës po e bëj unë, ma lejoni këtë, – faktin që realisht aty nuk kishte
dokumente konkrete që të faktonin kontratën në fjalë?

Presidenti Meta: Mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë
jashtëzakonisht shteruese dhe transparente. Të ashtuquajturat fakte apo lidhje
që nuk ekzistojnë meritojnë gjithmonë të shumëzohen me zero.

Gazetari: Cilat janë
raportet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me administratën e Shteteve
të Bashkuara? A keni parashikuar ju një vizitë në SHBA dhe nëse po, a është
siguruar ky takim apo kjo vizitë përmes lobimit?

Presidenti Meta: Besoj se gjithçka
është bërë e qartë. Në detyrën e Presidentit të Republikës nuk kam asnjë raport
me asnjë lloj kompanie apo individi. Marrrëdhëniet i mbaj në mënyrë zyrtare përmes
Ambsadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë apo përmes ambasadës sonë në
Usahsington dhe duhet të kemi parasysh që në moshën 30-vjeçare jam takuar me
Presidentin Klinton, jam pritur nga Presidenti Bush. I kam kaluar prej kohësh këto
pasionet për takime për shtrëngime duarsh, për përqafime, për bërje fotosh, kështu
që sa herë të jetë e nevojshme dhe e domodoshme do të bëjëm takimet që do të
duhen, por gjithmonë në mënyrën më transparente dhe në respekt të partneritetit
strategjik midis dy vendeve tona.