Presidenti Meta takim me kreun e BDI Ali Ahmeti: Shkëmbyem vlerësime të vlefshme për integrimin dhe zbatimin e “Koridorit të tetë”

187
Sigal

Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i vendit Ilir Meta ka takuar ditën e sotme liderin e BDI, Ali Ahmeti.

Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit zbulon se gjatë takimit u shkëmbyen vlerësime të vlefshme për zhvillimet në të dyja vendet që lidhen me proceset integruese, por jo vetëm.

Meta thekson gjithashtu se vlerësuan së bashku rëndësinë e zbatimit të projektit madhor të Korridorit 8-të, i cili do të lidh akoma më shumë të dyja vendet.

“I hapur dhe i përzemërt, si gjithmonë, takimi me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Shkëmbyem vlerësime të vlefshme për zhvillimet në vendet tona, me fokus përshpejtimin e proceseve integruese që mundësojnë çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Vlerësuam së bashku se zbatimi i projektit madhor të Korridorit 8-të, do të lidhë më shumë vendet tona dhe do të jetë thelbësor për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Meta.