Presidenti Meta: Sjellja brutale e Policisë ndaj minorenëve dhe të pafajshmëve, tregues i qartë i regjimit policor

Intervistë e Presidentit Meta për mediat (Pjesa e katërt)

NOA

 

23 dhjetor 2020

Pyetje: Lidhur me ngjarjet e fundit, dhe sidomos  vrasje e një qytetari të fundit. Por,  edhe tek lëvizja  studentore, Edi Rama  vinte dhe i lutej studentëve. Ndërsa tani, s’ka lënë misionar pa dërguar tek familja e të ndjerit Klodian Rasha. Por, kur vjen puna për t’u përballur me të rinjtë, me adoleshentët në rrugë, kemi një sjellje brutale dhe të paprecedentë nga ana e tij. Si bashkëjetojnë brenda këtij njeriu këto të dyja?

Presidenti Meta: Kjo sjellje brutale është e përsëritur. Rastet e dhunës ndaj minorenëve e të pafajshmëve, apo tejkalimi i ligjit nga efektivë të caktuar të Policisë, si dhe mbështetja verbalisht e tyre nga drejtues të qeverisë apo të policisë, ndërkohë që kërkohej distancim, tregojnë qartë natyrën e një regjimi policor, që nuk ka respekt për të drejtat e njeriut dhe që nuk  bazohet në shtetin e së drejtës.

Mbi të gjitha ka një humbje besimi të qytetarëve tek institucionet shtetërore dhe ato ligjzbatuese, gjë që është tepër negative. Besoj që, është një brutalitet që do ta marrë përgjigje mbarëqytetare.

Pyetje: Në emërimet e fundit e qeverisë Rama, mungonte emri i Taulant Ballës, edhe pse kishte blerë kostum të ri, ishte përgatitur që të bëhej ministër i Brendshëm, mungonte emri dhe dëshira e Elisa Spiropalit, e cila për hir të së vërtetës kundër Jush, është vënë si ai tellalli, apo si ai megafon për të folur dhe përligjur me atë gjuhën e saj, përqeshëse.

Nëse  do i kishte sjell Edi Rama, do i firmosnit ? A keni një koment për emërimet që bëri?

Presidenti Meta: Është përgjegjësia e kryeministrit të propozojë ministra. Dhe natyrisht është përgjegjësia e Presidentit, t’i konfirmojë apo  jo, kur ka arsye të karakterit kushtetues, apo ligjor. Në këtë drejtim, unë, gjithmonë kam qenë bashkëpunues, përveç rasteve kur prekej direkt Kushtetuta, apo kur kam pasur arsye të mjaftueshme, që i kam shpjeguar edhe publikisht,  për të mos dhënë besimin e duhur.

Por, përpjekjet e mia kanë qenë gjithmonë konstruktive dhe bashkëpunuese. Për emrat që zgjidhen, apo përzgjidhen, kjo është një çështje që nuk  ka të bëjë me vlerësimin  e karakterit moral apo politik nga ana e Presidenti. Këtë vlerësim e bën kryeministri, apo partia që i propozon, e bën dhe opinioni publik.

Për Presidentin gjithmonë është e rëndësishme,  që të ketë arsye kushtetuese,  ligjore dhe serioze.

Pyetje: Kemi 25 Prillin përpara, Edi Rama,  pothuajse e ka bërë fakt të kryer që unë, e kam mandatin e 3-të në xhep. Pothuajse të gjitha institucionet i ka uzurpuar, përveç Presidencës,  e cila mbetet kështjella e fundit. Unë,  e kam cilësuar dhe vazhdoj ta cilësoj si të tillë. A ka një ilaç shërimi?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim,  për kryeministrin tonë, ai,  nuk ka të tretin po dhe të trembëdhjetin në xhep. Absolutisht,  unë,  besoj që ilaçi i shërimit është pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve, për të treguar që i meritojnë të drejtat e tyre, që i kanë në Kushtetutë, dhe ata  luftojnë për të drejtat e tyre.

Askush nuk ka dhe nuk mund të ketë të drejtë të ankohet,  apo kritikojë,  në rast se nuk merr pjesë në zgjedhje. Në rast se nuk shpreh opinionin e tij përmes votës, vendimin, besimin dhe ndëshkimin e tij. Unë, besoj që qytetarët kanë kuptuar se vota është arma më e rëndësishme që ata kanë, për të mbrojtur të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, interesin e tyre, të vendit dhe të atdheut tonë.

Jam shumë optimist, edhe për shkak se në Shqipëri ka shumë kohë që nuk bëhen zgjedhje, që shqiptarët janë të paduruar, për të shkuar drejt kutive të votimit këtë herë.

Pyetje: Ku do ta bëjë Vitin e Ri Presidenti i Republikës ose Krishtlindjen së pari?

Presidenti Meta:  Po besoj si gjithmonë me familjen, larg aktiviteteve për shkak të situatës. Por, dhe për të pasur atë qetësinë maksimale të mundshme.

 

Pyetje: Një fjalë inkurajuese më duhet, ose një urim për të gjitha këta njerëz. Më kanë pyetur shumë,  kur unë i them që do të intervistoj Presidentin e Republikës.

Presidenti Meta: Unë jam i bindur që ne do ta kalojmë këtë situatë dhe ditët më të mira pas kësaj do vijnë patjetër.

Pyetje: Unë kur kam vajtur në Boboshticë, të gjithë më kanë thënë që Maqo, ishte një nga figurat e mrekullueshme të Boboshticës, që Ilir Meta e kishte dobësi. Ashtu pashë që kishit shkruar dhe për zotin Llakmani, në Pogradec. Por, unë desha të thoshit edhe dy fjalë, se na është ndarë nga jeta Presidenti i Televizionit, z.Kasem Hysenbelliu.

Presidenti Meta  Ishte një lajm i pabesueshëm ndarja nga jeta e zotit Kasem Hysenbelliu. Një emër shumë i spikatur dhe me meritë i menaxhimit të mediave ndër më kryesoret në vend, gjatë këtyre dy dekadave, një mik edhe i imi i veçantë dhe për shkak të lidhjeve krahinore apo familjare, po mbi të gjitha një njeri që e kam vlerësuar gjithmonë për karakterin dhe personalitetin e tij mjaft solid dhe mjaft shqiptar, në kuptimin më të mirë të fjalës.

Kurrë nuk e kam menduar se do të mund ta humbiste betejën për arsye të karakterit të tij të fortë, por kjo tregon edhe se sa i pabesë është Covid-19 dhe se sa rëndësi duhet t’i kushtojmë të gjithë, jo vetëm gjatë periudhës së kurimit, por edhe më pas.

Është shumë e rëndësishme për të evituar pasojat afatgjata dhe në këtë drejtim duhet sa më shumë informacion dhe sa më shumë bashkëpunim midis autoriteteve publike dhe të shëndetit me qytetarët.

 

Unë dua të shpreh dhe njëherë mirënjohjen më të thellë për të gjithë kontributin që zoti Kasëmi ka dhënë, për lirinë e fjalës, për lirinë e medias në vendin tonë në një periudhë tepër të vështirë.

Dhe vlerësimin më të mirë për të e kanë bërë gazetarët, të cilët kanë punuar me të për një kohë të gjatë. Statuset e tyre, reagimet e tyre, kanë qenë mjaft të ndjera edhe mjaft të sinqerta.

Pyetje: Po ta shikosh në politikën shqiptare ka qenë Valentina Leskaj, ka qenë Arta Dade, ka qenë Ermelinda Meksi, ka qenë Namik Dokle, ka qenë Servet Pëllumbi. Por dhe nga pala tjetër, zoti Sali Berisha.

Keni një opinion për këtë plejadë njerëzish, sepse kur shikon sot nëpër televizione, sinqerisht, ndjehemi të  zvogëluar shpirtërisht dhe të pashpresë për të ardhmen?

Presidenti Meta Mendoj se rruga, për të realizuar një kapërcim cilësor dhe të besueshëm të gjithë kësaj krize përfaqësimi, legjitimiteti të klasës politike dhe lidershipin në tërësi, është ajo e kalimit tek epoka e re. Ajo e Referendumit, e cila u bllokua për më shumë se 22 vite, që nga Nëntori i vitit 1998,  kur populli votoi me referendum Kushtetutën dhe përcaktoi të drejtën e tij për t’u shprehur për çështje të rëndësishme me referendum, e deri tani gjë që është praktikisht e bllokuar.

Unë besoj shumë që kjo do të jetë vendimtare në të ardhmen, pra zbatimi i këtij parashikimi kushtetues në realitet. Pra vendosja e tij në veprim, do të jetë rruga e zgjidhjes dhe e kapërcimit të kësaj krize dhe vendosjes së një pakice politike në kuptimin e lidershipit apo oligarkike, në kuptimin e kontrollit të biznesit dhe jetës ekonomike në vend nën kontrollin e qytetarëve.

Pyetje: Zoti President, kemi çështjen e Kosovës. Kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese,  Ju,  e përmendët pak, por Ilir Meta konsiderohet si një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës.

Presidenti Meta: Nuk jam mik  i Kosovës dhe nuk jam as amerikan dhe as gjerman, as britanik.

Pyetje: Jo, se ka të tjerë që janë dhe miqtë e Vuçiç, se kur e viziton 7 herë në shtëpinë e tij,  njeriu është ndryshe.

Presidenti Meta: Kosova është çështja më e rëndësishme për Shqipërinë.

Pyetje: Pse e keni kaq të hapur derën e Presidencës për kosovarët, këtë zemër kaq të madhe?

Presidenti Meta: Për shqiptarët e Kosovës?

Pyetje: Po, për shqiptarët e Kosovës, për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë natyrale.

Presidenti Meta: Kjo është detyra e Presidentit të Republikës, por dhe emri Ilir më detyron edhe më shumë, për të qenë pranë të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, për t’i përkrahur, ndihmuar në të drejtat e tyre. Në këtë aspekt, Unë, besoj që Shqipëria duhet të reflektojë, duhet të jetë një mbështetëse dhe një partnere e sinqertë e Kosovës. Shqipëria nuk mund t’i imponohet Kosovës, Shqipëria gjithashtu nuk është në gjendje për t’i dhënë leksione Kosovës, në kuptimin të demokracisë, të shtetit të së drejtës, në mënyrën se si bëhen zgjedhjet, në mënyrën se si kapërcehen krizat. Rruga e partneritetit dhe bashkëpunimi i sinqertë i forcon edhe më tej marrëdhëniet tona, jo vetëm shtetërore por edhe vëllazërore dhe njëkohësisht na bën të gjithëve më të fortë. Në planin e brendshëm, në planin rajonal edhe na ndihmon, për të përshpejtuar integrimin europian.