Presidenti Meta pritet në takim nga Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë: Zhvillimet e reja e bëjnë edhe më të domosdoshëm dhe imediat rivitalizimin dhe përshpejtimin e Korridorit VIII

132
Sigal

Presidenti Meta pritet në takim nga Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Sh.T.Z Nikola Minchev: Zhvillimet e reja e bëjnë edhe më të domosdoshëm dhe imediat rivitalizimin dhe përshpejtimin e Korridorit VIII, jo vetëm si një korridor zhvillimi midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por edhe si një korridor sigurie.

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Bullgari, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta u prit në takim nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, Sh.T.Z Nikola Minchev.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Kryeparlamentari Minchev diskutuan mbi rëndësinë e forcimit të dialogut politik ndërparlamentar dhe fuqizimit të bashkërenditjes mes Grupeve të Miqësisë në konkretizimin e politikave dhe projekteve qeverisëse, si në rrafshin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal.

Presidenti Meta theksoi se krijimi i një rrjeti dinamik ndërparlamentar mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të mbështetur dhe jetësuar realizimin e Korridorit VIII, si një aks i rëndësishëm gjeostrategjik, do të ishte hapi i duhur në kohën e duhur.

Zhvillimet e reja e bëjnë edhe më të domosdoshëm dhe imediat rivitalizimin dhe përshpejtimin e Korridorit VIII, jo vetëm si një korridor zhvillimi midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por edhe si një korridor sigurie.

Ndaj është i domosdoshëm bashkëpunimi i përhershëm edhe në nivel parlamentar të tre vendeve tona, por edhe të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian për të nxitur Qeveritë tona dhe institucionet ndërkombëtare në konkretizimin e projekteve, që përshpejtojnë proceset integruese në rajon.

Bullgaria, edhe si vend anëtar i BE, do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë kuadër.

“Bashkëpunimi ndërparlamentar ka një rol të pazëvendësueshëm, nxitës dhe jetësor në përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë,  Maqedonisë së Veriut dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, – u shpreh Presidenti Meta.