Presidenti Meta në Institutin Profesional “ATC”: Është thelbësore që të rinjtë tanë profesionistë të jenë pjesë aktive e kauzave sociale.

524
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Instituti Profesional “ATC” në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”. Gjatë kësaj seance ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, Kreu i Shtetit theksoi se ndihej i lumtur që ndodhej në një Institut Profesional ku ofrohen kurse të formimit në profesione si mekanikë, disenjatorë, ekspertë të teknologjisë informatike e kuzhinierë dhe për më tepër që këta të rinj sot dhurojnë vullnetarisht gjak.

“Studentëve që studiojnë në Institutin tuaj, ju uroj shumë suksese në profesionet që kanë zgjedhur. Jam i bindur, që zgjedhja e tyre për të studiuar në një shkollë profesionale, do t’i ndihmojë të futen sa më shpejt në tregun e punës dhe të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit tonë.” – theksoi Presidenti i Republikës. Duke ripërsëritur apelin publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti, Kreu i Shtetit falënderoi drejtuesit e shkollës, që krahas procesit mësimor, përfshijnë të rinjtë e të rejat në kauza të tilla me rëndësi humane si dhurimi i gjakut.

“Është thelbësore që të rinjtë tanë profesionistë të jenë pjesë aktive e kauzave të tilla, sepse energjia dhe dedikimi i tyre ndihmon në realizimin e objektivit tonë për 100% dhurime vullnetare. Ne ndihemi krenar për të rinjtë tanë, që studiojnë në universitete të ndryshme të vendit, që me shumë përgjegjshmëri i përgjigjen thirrjes për të dhurur gjak e për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve kronikë, atyre që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale apo që pësojnë aksidente.” – u shpreh Presidenti Meta.