Italia do të mbyllë të gjitha aktivitetet e bizneseve jo jetësore deri më 3 Prill. Kuba e Rusia i vijnë në ndihmë

336
Sigal

Të gjitha bizneset italiane duhet të mbyllen deri më 3 prill, me përjashtim të atyre thelbësore për ruajtjen e zinxhirit të furnizimit të vendit, deklaroi kryeministri Giuseppe Conte.

Deklarata vjen si një përpjekje e dëshpëruar për të ndaluar epideminë, pasi të shtunën humbën jetën pothuajse 800 persona. Italia është vendi më i goditur në botë me gati 5 mijë vdekje në total.

“Kjo është kriza më e vështirë e vendit që nga lufta e dytë botërore,” tha Conte, duke shtuar se “vetëm aktivitetet e prodhimit që konsiderohen jetësore për prodhimin kombëtar do të lejohen”.

Vetëm supermarkete, farmacitë, shërbimet postare dhe bankare do të qëndrojnë të hapura.

“Ne po ngadalësojmë motorin e prodhimit të vendit, por ne nuk po e ndalojmë atë,” tha ai. Këto masa hyjnë në fuqi të hënën.

Italia kërkon ndihmë mjekësore

Kuba ka deklaruar se ka dërguar një kontigjent emergjencë prej 52 mjekë e infermierë këtë fundjavë për të ndihmuar Italinë në luftën kundër koronavirusit, me kërkesë të rajonit më të prekur nga Lombardia.

Ishulli i Karaibeve njihet për dërgimin e “ushtrive të rrobave të bardha” në vendet e katastrofave në të gjithë botën kryesisht në vendet e varfra që nga revolucioni i tij në 1959. Mjekët kubanezë ishin në vijën e parë në luftën kundër kolerës në Haiti dhe kundër ebolës në Afrikën Perëndimore në vitet 2010.

Rusia nga ana tjetër i përgjigjet për ndihmë shtetit italianë, pas telefonatës që kryeministri Giuseppe Conte bëri me presidentin rus Vladimir Putin. Nëntë avionë rusë me materiale shëndetësore të nevojës së parë priten të mbërrijnë këtë të dielë në Romë. Gjithashtu Rusia do të sjellë aparatura speciale për dezinfektim të ambienteve, insturmente mjekësore, si dhe 8 ekipe mjekësore me mjete ushtarake për të ndihmuar emergjencën sanitare në Itali.

Më herët një grup mjekësh e infermierën nga Kina zbarkuan në Itali për të ofruar ndihmën dhe ndarë eksperiencën e tyre, tashmë të kaluar me sukses.