Sigal

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale: Sipërmarrja e tyre e jashtëzakonshme duhet mbështetur, sepse shërben për ruajtjen e traditës, trashëgimisë kulturore dhe vlerave popullore shqiptare, me të cilat do të anëtarësohemi edhe në Europë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Shtëpinë e Artizanatit “Tradita Popullore” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale.

Në prani të shumë grave dhe vajzave nga zonat rurale, ambasadoreve dhe të ngarkuarave me punë, Presidenti Meta vlerësoi punën që bëhet në këtë atelie për ruajtjen e traditës, trashëgimisë dhe të vlerave të kombit tonë.

Presidenti Meta vuri në dukje se puna e grave dhe vajzave, veçanërisht e atyre në zonat rurale, është e jashtëzakonshme dhe shërben si një mësim edhe për përfaqësuesit e institucioneve. “Është e rëndësishme që kjo punë që ka filluar të mbështetet fuqimisht, sepse për fat të keq shumë zona të Shqipërisë janë braktisur dhe gjeneratat më të reja nuk kanë trashëguar këto tradita dhe cilësi nga të parët e tyre.” – theksoi Presidenti i Republikës.


“Këtë atelie të bërë me kaq dashuri dhe sakrifica e shoh si një kambanë alarmi që të angazhohemi pa humbur më kohë për të ruajtur të gjithë këtë pasuri të jashtëzakonshme të pirografisë, etnografisë, folklorit dhe traditave tona. Kjo është shumë e rëndësishme për identitetin kombëtar por edhe për zhvillimin e turizmit. Kjo do të ndihmojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në zonat më të thella të Shqipërisë.
Nuk duhet të harrojmë që zonat më të thella të Shqipërisë janë zona tepër mikpritëse por edhe shumë të pasura në folklor, në veshjet tradicionale dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me identitetin kombëtar.
Iniciativa e grave dhe vajzave që merren me këtë sipërmarrje, duhet të mbështetet më mirë nga ne si përfaqësues të shtetit, qeverisë, pushtetit vendor, sepse kjo sjell përfitime të shumta.” – u shpreh Presidenti Meta.

“Vizitova Curraj të Epërm në zonën e Tropojës, një fshat me shumë histori, që ka patur dikur 150 kulla, me bukuri përrallore, por ka qenë totalisht i braktisur nga banorët për shkak të mungesës së shërbimeve sociale. Është një fshat që u braktis nga banorët për shkak të vështirësive dhe që u ribë i njohur nga të rinj çekë që e zbuluan për ‘hiking’, për turizëm.
Për fat të mirë, banorët, me angazhim personal, kanë hapur tashmë rrugën për në fshatin e tyre, të ndërgjegjshëm për potencialet turistike që ofron Curraj i Epërm. Gati një mijë veta, jo vetëm nga Shqipëria, por nga Anglia apo vende të tjera, kishin ardhur për të festuar rimëkëmbjen e atij fshati dhe atyre traditave.
E përmenda këtë rast, sepse kemi shumë zona të tjera në Shqipëri, që nuk ka arsye pse të braktisen apo të vazhdojnë të jenë të braktisura, që ofrojnë mundësi të shkëlqyera për turizëm malor. Ne e dimë që përveç peisazhit të paprekur, turistët duan jo vetëm ushqime tradicionale por dhe të shijojnë pasuritë kulturore, folklorike të çdo zone.
Besoj se mbështetja për vajzat dhe gratë që merren me këtë profesion mjaft të vështirë, është një detyrë shumë prioritare duke filluar nga unë, qeveria, pushteti vendor dhe e gjithë shoqëria.

Ne duam dhe duhet të futemi në Europë, si shqiptarë. Ndaj dhe ky investim i jashtëzakonshëm, bëhet pikërisht në këtë drejtim, që të anëtarësohemi në BE, me veçantitë dhe pasuritë tona kulturore.” – ishin mesazhet e Presidentit Meta.