Presidenti Meta mesazh të rinjve në Izrael: Të mësoni të vërtetat historike, për të mos lejuar që të ndodhin kurrë më tragjedi

214

Një mesazh të fortë u ka dhënë Presidenti Ilir Meta studentëve izraelitë teksa ishte i pranishëm me një ligjëratë të veçantë në shkollën prestigjoze “Lauder” të Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë në Izrael.

Sipas kreut të shtetit, “brezat e rinj në vendet e rajonit tonë duhet të mësojnë të vërtetat historike, për të mos lejuar që të ndodhin kurrë më tragjedi, si ato që kemi përjetuar pak dekada më parë”.

POSTIMI I PLOTË

E pranova me shumë kënaqësi ftesën e Shkollës prestigjoze “Lauder” të Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë në Izrael, për të mbajtur një ligjëratë të veçantë me temë:

“Shembulli unik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, si model i paqes”.

Në përgjigje të interesimit të studentëve izraelitë mbi Ballkanin, që aq shumë ka vuajtur nga konfliktet dhe pasojat e tyre të tmerrshme, theksova se brezat e rinj në vendet e rajonit tonë duhet të mësojnë të vërtetat historike, për të mos lejuar që të ndodhin kurrë më tragjedi, si ato që kemi përjetuar pak dekada më parë.

Toleranca, bashkëjetesa etnike, fetare dhe kulturore në Ballkan është thelbësore, për ta çuar edhe më përpara paqen, stabilitetin dhe harmoninë rajonale, për promovimin e të cilave Shqipëria ndihet krenare që ka pasur një rol kryesor.