Presidenti Meta i dërgon qeverisë 11 propozime urgjente, për të luftuar pandeminë (dokument)

78

Presidenti Ilir Meta në një takim me një panel mjekësh dhe ekspertë të fushës së shëndetit publik ka dalë në disa propozime ndaj qeverisë për çështjen e pandemisë kundër Covid. Presidenti ka dërguar një letër për ministren Manastirliu ku thuhet ndër të tjera se duhet të futen sa më shpejt në përdorim testet analitikë të shpejtë, për shkak të shkurtimit të kohës dhe të uljes së kostove.

“Ndërkohë, përdorimi i metodës së references PCR dhe testeve të shpejta të ecin paralelisht, për zbulimin sa më të shpejtë dhe të saktë të infektuarve dhe gjurmimin në kohë të tyre”, thotë Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit bën thirrje që të futen në funksion spitalet rajonale. Sipas tij kjo do të bënte një dencentralizim dhe rigrupim të tyre në mënyrë që disa prej tyre të kthehen në spitale Covid dhe të tjerët t’ju shërbejnë pacientëve me sëmundje të tjera dhe të sëmurët të mos transportohen të gjithë në Tiranë.

“Duhet të sigurohet aparatura ECMO për shpëtimin e jetës, për rastet e rënda të këtij infeksioni në spitalet tona. Duhet të bëhet njësimi favorizues i çmimeve të testeve covid, për t’i hequr një barrë të rëndë ekonomike familjeve shqiptare si dhe duhet të shtohet numri i testimeve. Të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe potencialet njerëzore që kemi, përfshirë edhe ata mjekë e infermierë që nuk janë pjesë e shërbimit aktiv dhe janë në pension”, ishin disa nga propozimet e Presidentit.

Ndër të tjera, ai bën thirrje që të përshpejtohen procedurat e licencimit të mjekëve për të rritur numrin e tyre.

“Protokollet duhet të përditësohen dhe është shumë e rëndësishme të përfshihen edhe reanimatorët”, tha Kreu i Shtetit ndërsa ka shtuar se nevojiten mekanizma koordinimi nëpër rrethe, që të mbledhin të dhënat, të vlerësojnë nevojat në rang kombëtar, veçanërisht për barna apo për oksigjen, në mënyrë që të mos kemi mungesa për asnjë moment.

Presidenti bëri thirrje për kontroll të barnave në qarkullim.

“Kemi disa prej tyre të paliçencuara dhe me një kosto disafish më të lartë nga çmimi fillestar. Duhet të kemi siguri në barnat që sillen dhe të ndalohet spekulimi me çmimet”, propozon më tej kreu i shtetit.

Meta kërkoi ngritjen e ekipeve epidemiologjike, në nivel rajonal, për të ndjekur situatën epidemiologjike, sepse jo të njëjtat masa që duhen marrë në Tiranë, vlejnë edhe për qytete të tjera më të vogla dhe me më pak raste infeksioni.

Në fund Presidenti Meta propozoi që vendimet që merren nga qeveria nëpërmjet Komitetit Teknik të Ekspertëve, kanë të nevojshëm një argumentim të detajuar dhe bindës për opinion publik.

“Në mënyrë që të sigurohet mbështetja masive e qytetarëve për to, në funksion të suksesit të këtyre masave, dhe jo thjesht imponimi përmes masave dhe dënimeve administrative”.