Presidenti Ilir Meta: Të kthejmë vëmendjen dhe të rritim mbështetjen për bujqësinë dhe turizmin

238
Sigal

Në kuadër të Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme, Presidenti i Republikës Ilir Meta, së bashku me një grup të rinjsh vizituan ditën e sotme, fermën “Uka”, për të kuptuar rëndësinë e prodhimit dhe të ushqyerit në mënyrë të shëndetëshmë, si dhe promovimin e produkteve bio “Made in Albania”.

“Të kthejmë vëmendjen dhe të rritim mbështetjen për bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë familjare dhe kombëtare. Në këtë mënyrë forcojmë lidhjen me zonat tona, rikthejmë shpresën dhe ndalojmë shpopullimin e dhembshëm të trevave me pasuri të shumta natyrore.”,- është shprehu Presidenti Meta në mesazhin e tij të shpërndarë në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.

Mesazhi i plotë i Kreu të Shtetit, Ilir Meta:

Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip!

Në Ditën Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme, së bashku me një grup të rinjsh, vizituam sot fermën “UKA”, ku prodhohen vetëm ushqime bio, për të theksuar rëndësinë e prodhimit dhe të ushqyerit në mënyrë të qëndrueshme, që do të mundësonte një jetë të shëndetshme, si dhe do të prezanonte denjësisht vlerat e produkteve bio “Made in Albania” para turistëve të huaj, duke nxjerrë edhe më në pah vlerat tërheqëse të agro-turizmit shqiptar.

Në situatën e Covid-19, është më e rëndësishme se kurrë, të mbështesim ushqimet, që prodhohen në vend dhe njëkohësisht të ruajmë edhe traditat tona.

Të kthejmë vëmendjen dhe të rritim mbështetjen për bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë familjare dhe kombëtare.

Në këtë mënyrë forcojmë lidhjen me zonat tona, rikthejmë shpresën dhe ndalojmë shpopullimin e dhembshëm të trevave me pasuri të shumta natyrore.