Presidenti Begaj: At Arthur Liolin, figurë e shquar e Kishës Ortodokse

40
Sigal

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin.

“Me keqardhje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të At Arthur Liolin, Kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Boston”, u shpreh Begaj.

“At Liolinin, këtë figurë të shquar të Kishës Ortodokse dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, do ta kujtojmë përherë si pasardhës të denjë të Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe”, theksoi Kreu i Shtetit.

“Në vitin 1991, At Liolini realizoi ëndrrën e tij, duke meshuar në 22 qytete të Shqipërisë”, nënvizoi Begaj.

“Ai nuk ishte thjesht një udhërrëfyes shpirtëror, por mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, mbështetje të cilën e shprehu edhe nëpërmjet botimeve ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike mbi çështjen shqiptare. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”, përfundoi mesazhin e tij të ngushëllimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Arthur Liolin lindi më 1943, në Nju-Jork nga prindër shqiptarë me prejardhje nga Boboshtica e Korçës. Së fundmi ishte kancelar i Kryepeshkopatës Orthodhokse Shqiptare me qendër në Boston dhe vlerësohej si një pasardhës i denjë i Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe.

Studimet e larta i kreu në vitin 1967 për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin Princeton, ku u diplomua shkëlqyeshëm (Summa cum laude). Gjithashtu, ka bërë studime në Institutin “Albert Schveitzer” në Zvicër në programin: “Kriza në Qytetërimin Perëndimor,” ku përfshihen një sërë hulumtimesh ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike.

At Arthur Liolin ka shkruar mjaft artikuj rreth çështjes shqiptare në gazetën “Dielli,” dhe më tej nëpër revista te ndryshme si “Liria”, Illyria”, “Koha Jonë” etj. Në vitin 1970 u dorëzua në gradën priftërore në Boston ku i ka shërbyer bashkësisë shqiptaro-amerikane. Ai ka organizuar Bibliotekën e Fan Nolit, pranë Katedrales së Shën Gjergjit në Boston. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Në vitin 1991 At Liolin bëri udhëtimin më të famshëm të jetës së tij, ku meshoi në 22 qytete të Shqipërisë.