Praga përshëndet marrëveshjen me CEZ: Zgjidhje jashtë gjykatave

448
Sigal

Praga zyrtare ka komentuar për herë të parë marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ. Mes akuzve të opozitës për qeverinë se marrëveshja me CEZ  do rëndojë mbi xhepat e shqiptarëve, Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë  në një reagim thekson se mirëpret arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë më 31 Korrik 2014.
 
“Në vijim të shumë deklaratave aktuale publike që adresojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe shoqërisë Çeke CEZ, a.s., Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë dëshiron të kujtojë se Qeveria e Republikës Çeke gjithnjë ka kërkuar një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes që korrespondon me marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e gjatë dhe të fortë të ofruar nga Republika Çeke aspiratave të anëtarësimit në BE të Republikës së Shqipërisë. Republika Çeke mirëpret arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë më 31 Korrik 2014. Republika Çeke e konsideron marrëveshjen si një kompromis mbi kërkesat legjitime të palëve që rezultoi nga negociata të gjata”, theksohet në reagimin e ambasadës.
 
Republika Çeke sipas njoftimit vlerëson asistencën e dhënë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lehtësimin e negociatave ndërmjet palëve dhe inkurajimin e vazhdueshëm në drejtim të të dyja palëve nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë si Bashkimi Europian, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar për një zgjidhje të mosmarrëveshjes jashtë gjykatës.

Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

 Edi Rama po i qeveris mirë çekët dhe ata janë të kenaqur. U fali borxhin kompanisë, 3 miliardë dollarë. U dha edhe 95 milionë euro në dorë. Çekët dhe kryeministri ynë kanë hapur shampanjën. Të vetmit që do e vuajnë skandalin me ÇEZ, vjedhjen e shekullit të firmosur nga Edi Rama, janë shqiptarët që kanë për ta paguar nga xhepi i tyre këtë megakorrupsion me 1.1 milionë lekë për kokë. Kryeministri ynë po qeveris mirë çekët, por po vjedh shqiptarët. Këtë që i ka bërë Rama vendit me marrëveshjen me ÇEZ, asnjë armik nuk ia ka bërë Shqipërisë.