Deputeti Fatmir Toçi: Fullani dhe kupola  e BSH, të japin dorëheqjen!

497
Sigal

Konfindustria: Urgjent para përgjegjësisë së ligjit shkaktarët. Meksi: Unë, e para, kam kërkuar dorëheqjen e Fullanit

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, është ligjvënësi i dytë brenda radhëve të maxhorancës, pas Erjon Braçes, që kërkon hapur largimin e Adrian Fullanit nga posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas tij dorëheqja do të ishte jo vetëm një akt moral nga ana e Fullanit, por edhe do të ndihmonte në hetimin e plotë të skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Por Toçi nuk mjaftohet me kaq. Për deputetin socialist edhe kupola e BSH-së duhet të japë dorëheqjen. “Do të kërkoja që Guvernatori i Bankës, qoftë edhe moralisht, duhet të japë dorëheqjen. Duhet të japë dorëheqjen sepse do t’i ndihmonte shumë të gjithë proceset e tjera të verifikimit të asaj se çfarë ka ndodhur realisht në Bankën e Shqipërisë. Kjo nuk është çështje e një dite, nuk është çështje e personi. Nuk mund ta mendoj kurrë që një person të mund të mbante peng një Bankë, qoftë ky edhe Guvernatori. Mendoj se, shkalla e njerëzve që janë të përfshirë në këtë aferë duhet të jetë shumë e gjerë. Kështu që edhe njëherë e përsëris se do të kërkoja dhe do t’i bëja thirrje madje Guvernatorit të Bankës që edhe për moral të tij dhe të postit që mban duhet të japë dorëheqjen për t’ i hapur rrugën hetimeve. Jam i bindur se hapi i parë ligjor, për t’ i hapur rrugën hetimeve, duhej të ishte dorëheqja jo vetëm e Guvernatorit por e të gjithë kupolës së Bankës së Shtetit dhe e gjithë kjo t’ja  kalojë prokurorisë”, – tha deputeti socialist. Për të përforcuar qëndrimin e tij, Toçi, gjithashtu, ka kujtuar skandalin e vjedhjes së arit në tunelet e Kërrabës, por dhe çështjen e firmave piramidale, për të cilat ende sot e kësaj dite sipas tij nuk janë zbardhur përgjegjësit e vërtetë. “Është prekur, është dhunuar, është cenuar koka financiare e shtetit, Banka e Shqipërisë. Unë mendoj që në mënyrë ciklike po na ndodhin gjëra të tilla shumë të rënda. Kujtojmë piramidat, për të cilat nuk doli kurrë përgjegjësi për to. Kujtojmë vjedhjen e floririt në rezervat e shtetit në Kërrabë dhe asnjëherë nuk u zbardh e vërteta dhe nuk u gjet kjo sasi parash dhe sot unë do ta krahasoja këtë ngjarje me ‘to edhe për nga përmasat edhe për nga dëmi i madh, por edhe për nga sensibiliteti që ka përfshirë të gjithë shqiptarët”, – tha Toçi. Për deputetin socialist opozita e sotme nuk është pa faj në lidhje me këtë ngjarje. Ai kujton favoret që sipas tij i bënë nga Banka e Shqipërisë me blerjen e godinës së ish-hotel “Dajtit”. “Këto janë plagët që ata i kanë hapur dhe që ne po përpiqemi t’i mbyllim dhe janë ata pa pikë morali që kërkojnë tani të reagojnë. Fullani është zgjedhur në kohën e PD-së. Dua të kujtoj dhe një fakt që nuk duhet ta harrojmë, faktin e hotel Dajtit, që u ble nga Banka e Shqipërisë në pragun e një fushate dhe që sot e kësaj dite ajo është një gërmadhë mu në qendër të Tiranës”, – përfundoi Toçi. Lidhur me skandalin, ka reaguar dhe Konfindustria. Sipas saj. Institucionet të zbardhin skandalin, rrezikohet besimi në shtet. “Ngjarja e fundit në Bankën e Shqipërisë shpjegon pse sektori bankar në Shqipëri shfaq shenja të qarta të oligopolit në dëm të interesit publik, me norma të rritjes së kreditimit në kufijtë e zeros, daljen e paarsyeshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit, me kreditë më të shtrenjta në rajon, që nxisin fenomenin e rrezikshëm të huamarrjes informale/fajde, duke u treguar i paafte të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit”,-thuhet në deklaratën e saj. Po ashtu, Ermelinda Meksi, është e vetmja anëtare e Këshillit Mbikëqyrës që ka reaguar. “Qëndrimi im është tashmë publik dhe nuk mund të mendohet që do hezitoja për këtë në mbledhjen urgjente të Këshillit Mbikëqyrës i thirrur me iniciativën time. Për modesti nuk kam thënë se kjo mbledhje si dhe të tjera të Këshillit Mbikëqyrës pas ngjarjes së rëndë janë thirrur me iniciativën dhe propozimin tim zyrtar”,- tha Meksi.