Politikanët që fshihen pas milionave të insulinave

610
Faturat false që gllabërojnë 1.3 miliardë lekë
28 korrik 2015,arrestimi i bujshëm i drejtuesve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh ) për kryeqytetin si dhe i disa nëpunëseve të lartë të drejtorisë qendrore, duket se do të pësojë fatin e një tjetër grabitjeje, asaj të Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht nga shuma, ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar ka të bëjë me faktin se, në të dyja rastet personat e implikuar ose janë të afërm të pushtetarëve ose familjarë të tyre. Kështu që fati i hetimit, gjykimit dhe vendosjes së drejtësisë është i parashkruar. Por le të përqendrohemi tek skandali më i fundit, shuma e të cilit flitet se arrin mbi 40 milionë euro. Por, kjo shumë nuk hetohet dhe investigimi, i cili duhet të shtrihet në vite dhe në të gjitha rrethet është bllokuar nga harresa e qëllimshme, pasi në këtë marrëzi janë përfshirë persona të veshur me pushtet politik dhe familjarë të tyre. U arrestua dhe mbahet në burg një farmacist a thua se të gjithë katrahurën dhe milionat i paska grabitur një i vobektë që në gjuhën popullore, thuhet se është vrima e fundit e kavallit. Ku janë firmëtarët, kontrolluesit, ata që kanë legalizuar recetat, ata apo ato që kanë qarkulluar urdhër xhirimet? Ku janë depot importuese, po ato shpërndarëse, që janë furnizuar nga depot importuese, po farmacitë e veçanta që punonin vetëm me këto receta? Ku janë vulat e mjekëve dhe pse heshtet për ata që i mblodhën vulat personale të këtyre specialistëve dhe në vend të tyre shpërndanë gjoja vula të reja. Pse nuk u asgjësuan vulat e vjetra apo duheshin, që me to të plotësoheshin recetat dhe procesverbalet që fshehën grabitjen e ilaçeve të qytetarëve, të cilët po vdesin në spitale, sepse batakçinjtë nuk çojnë kokërr ilaçi apo flakoni. Një rast, që po tentohet të kalohet në heshtje, ka të bëjë me skandalin dhe babëzinë e grabitjes së insulinave dhe vjedhjes ordinere të tyre me mbështetjen e drejtuesve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nëpërmjet një mekanizmi të thjeshtë për atë që e kupton apo ka dëshirën ta kuptojë. Po cili është ky mekanizëm? Depot importuese blejnë një sasi të caktuar, në rastin konkret insulinë nga kompanitë prodhuese në europë apo edhe amerikane, por që kanë filiale në europë. Sigurisht që këto firma i kanë të regjistruara insulinat e importuara dhe të shoqëruara madje me dokumentacionin përkatës, si leje importi, hyrje në doganë, regjistrimin në qendrën e barnave së bashku me dosjet etj. Me pak fjalë e gjithë procedura e kryer nga porosia, deri në mbërritjen tek depot importuese, duke përfshirë edhe kalimin në dogana etj. është e rregullt dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar. Babëzia dhe maskarada fillon pikërisht në momentin që firma e ka futur mallin në magazinën e tij dhe përgatitet ta shesë. Në këtë çast vjen një depo farmaceutike dhe ua ble sasinë e insulinave kompanive dhe nis të bëjë shitjen e tyre në mënyrë fiktive. Nëse 5 kompani që sjellin insulina kanë futur në Shqipëri 60 mijë insulina, kompania, e cila i bleu të 60 mijë insulinat ka prerë fatura, sikur të jenë shitur 220 mijë insulina . Pra, si ka mundësi? Kur në Shqipëri kanë hyrë 60 mijë insulina dhe na dalin me fatura tatimore të shitura 160 mijë insulina më shumë. Sigurisht ne do shpjegojmë më poshtë me fakte konkrete këtë mekanizëm, i cili i shkakton taksapaguesve shqiptarë, shuma që arrijnë në miliarda dhe që duhet të shpenzoheshin për blerje ilaçesh, por që në fakt nuk janë shpenzuar, sepse faturat e prera janë fiktive dhe false. Depoja e dytë që i ka blerë këto insulina ja shet depove shpërndarëse ose direkt farmacive, vetëm si fatura kundrejt një shume prej 30% të vlerës së faturës së TVSH. Pra, nëse ti si farmaci kërkon 100 milionë lekë të faturuara, më jep mua si depo 30 milionë dhe unë të mbush faturën e TVSH për 100 milionë. Dhe unë si depo e tretë apo si farmaci e marrë faturën 100 milionëshe (megjithëse kam paguar 30% të vlerës, pra, 30 milionë) dhe vete marrë rimbursimin në shtet, pranë sigurimeve shëndetësore në vlerë të plotë 100 milionë lekë. Pra, shteti humbet miliona nga grabitja dhe qytetarët apo pacientët nuk shohin ilaç me sy, sepse qarkullon fatura fiktive dhe në këtë mënyrë goditet shteti, goditet pacienti, goditet spitali, goditen Sigurimet Shëndetësore dhe fitojnë hajdutët. Kompania mashtruese ka tërhequr blloqet e faturave të TVSH në vlerën e miliardave dhe fiton miliona, pa bërë asnjë shitje reale përveçse fatura fiktive. Madje ka pasur raste që janë shitur mallra pa blerë asnjë tabletë, bar, ampulë apo flakon dhe janë mbushur dhe shitur me fatura false miliona e miliona. 
Lind pyetja: Ku janë organet e specializuara të hetimit? Po ato të tatimeve? Po inspektorët e kontrollit të ministrisë dhe shërbimeve të krimit ekonomik, prokurorisë etj? Sigurisht të gjitha janë, por askush nuk merret, sepse pas tyre fshihen familjarë dhe politikanë që kanë bërë këtë maskaradë dhe po grabisin miliardat e shqiptarëve të varfër. Ndaj Ambasadori Amerikan Donald Lu, ajo e BE në Tiranë Romana Vlahutin, si dhe i besuari i Kancelares Angela Merkel në kryeqytetin tonë, ambasadori Hellmut Hoffman, duhet të kërkojnë dhe të sjellin ekspertë për këtë investigim dhe do të shohim, se brenda tyre fshihen ata që sot bëjnë ligjin në politikë dhe në organet e kontrollit dhe hetimit. Mjafton të investigohet ky rast i grabitjes së miliardave dhe do shohim se, drejtësia e vërtetë evropiane e kërkuar nga Kancelaria Merkel dhe ajo amerikane e thënë publikisht për oligarkët në janar 2014, nga Sekretari Xhon Kerry do të shënojë fillimin e drejtësisë së vonuar. Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, besoj se është personi, i cili ka dijeni të plotë për këtë masakër të kryer me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh),pasi përveç detyrimit institucional si anëtar i kabinetit, ai është edhe Kryetar i Këshillit Administrativ te Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor . 
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor drejtohet nga Këshilli Administrativ dhe Drejtori i Përgjithshëm. Këshilli Administrativ është organi më i lartë vendimmarrës i Fondit dhe përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përkatësisht:
Kryetar i Këshillit Administrativ
Z. Ilir Beqaj Ministër i Shëndetësisë
Znj. Milva Ekonomi
Znj. Mimoza Loli
Znj. Vjollca Braho
Z. Enkelejd Musabelliu
Z. Fatmir Brahimaj
Znj. Alma Pula 
Çështja 2 
Prokuroria: Ja skema e grabitjes së ilaçeve të rimbursuara. Prangoset pronari i “Omega Pharma” dhe bashkëpunëtorët e tij
Mashtrim me ilaçin e veshkave, ndalohen pronarë të farmacive dhe tre punonjës të sigurimeve
Prokuroria e Tiranës në vazhdën e hetimeve për ilaçet e rimbursuara zbuloi një tjetër skemë mashtrimi, duke urdhëruar ndalimin e 13 personave, 10 administratorë dhe punonjës të farmacive dhe 3 zyrtarë të sigurimeve. Kështu, u urdhërua arrestimi i pronarit të depos farmaceutike “Omega Pharma”, drejtues të kësaj depoje, disa farmacistë dhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë mashtrimi të madhe me rimbursimin e ilaçeve. Vetëm me një recetë, ku i shënuar rezulton ilaçi ketosteril, që përdoret për kurimin e veshkave, farmacitë përfitonin 9000 lekë të reja rimbursim nga shteti, por realisht farmacitë këtë ilaç nuk ia lejonin askujt. Prokuroria e Tiranës (Njësia Task-Forcë) thotë se në krye të kësaj skeme, të evidentuar së fundmi qëndron shtetasi, Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”. 
Skema e mashtrimit
Referuar legjislacionit në fuqi, farmacitë rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/shpërndarësi farmaceutik, që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si dhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e bëra hyrje. Nga hetimi ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive. Nga këqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive, vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”. Nga hetimi mbi këtë procedim ka rezultuar, se medikamenti mjekësor ketosteril është një medikament, për të cilin të drejtën e importit e ka depoja farmaceutike “R… F”. Ky medikament jepet për diagnozën “insuficiencë kronike renale”. Nga këqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit ketosteril me furnitor “Omega Farma Group” për periudhën qershor 2013-maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se “R… F…” nuk ka bërë shitje të ketosterilit tek “Omega Pharma Group” dhe se ky subjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti. Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma Group” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura ‘cash’ me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet ketosteril dhe insulinën. Emri i subjektit, nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar. Ekziston dyshimi se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive, pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.
Të ndaluarit

Për sa më sipër, nga studimi në tërësi i materialeve të administruara në këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyetuar në prova, se personi nën hetim, Nadir Çausholli, ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim dhe “Mashtrimit” në bashkëpunim. Prokuroria thotë se kjo veprimtari është mbështetur edhe nga shtetasit Fisnik Kollcaku(drejtues teknik i “Omega Pharma Group gjatë vitit 2014), Valbona Kraja (shefe e Financës pranë “Omega Pharma Group”), si edhe Arjola Pipero (punonjëse financiere pranë “Omega Pharma Group”). Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se, disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive të marra nga “Omega Pharma” dhe më pas i kanë paraqitur këto receta pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim rimbursimi. Për këto veprime të kundërligjshme, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhra ndalimi edhe për shtetasit Ela Malaj (drejtuese teknike e farmacisë “Alice”), Mariela Përnoci, Arbi Teqja dhe Arbër Thereska (përkatësisht administrator dhe drejtues teknikë të farmacisë “Express”). Ndërkaq, u kërkua ndalimi edhe për shtetasin Erind Hajdari, drejtues teknik i farmacisë “Farmacia nr.6 ”) dhe Ornela Plepi (administratore dhe drejtuese teknike e farmacisë “Katroshi”). Nga hetimi ka rezultuar se farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive, të cilat më pas i kanë dorëzuar pranë Fondit me qëllim rimbursimi. Këto receta fiktive kanë dalë prej magazinës së Drejtorisë Rajonale të Fondit. Shtetasja Violeta Bejko, në cilësinë e magazinieres së këtij institucioni, nuk ka administruar në mënyrën e duhur lëvizjen e materialeve të bëra në hyrje në magazinë. Ajo nuk ka bërë shpërndarjen e recetave në përputhje me procedurën e rregullt ligjore. Po ashtu, ka rezultuar se për çdo muaj, në Fondin Rajonal bëhet akt-rakordimi i recetave. Shtetasja E. P. ka pasur detyrën e shefes së sektorit të informatikës-statistikës. Kjo shtetase ka deklaruar se dosjet e këtyre farmacive, ajo nuk i ka firmosur. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Tasim Toci ka nënshkruar për sektorin e informatikë-statistikës, pa pasur asnjë tagër për të kryer këtë veprim.
Çështja 3 
Pyetjet e “Telegraf “për Ministrinë e Shëndetësisë dhe organet e hetimit
Gazeta “Telegraf”, më 27 korrik 2015 , i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që drejtohet nga Këshilli Administrativ me kryetar po Ministrin e Shëndetësisë z.Ilir Beqaj të japë sqarimet e nevojshme për këtë situatë.
Pyetjet për ministrin Ilir Beqaj
Z. Ministër cili është aktiviteti i Kompanisë Omega- Farma ?
– Z. Ministër a keni kontaktuar dhe a është thirrur në ministrinë tuaj Kompania Omega-Farma?
– Z. Ministër, a ka kompani që kanë shërbyer si lavatriçe të faturave fiktive të TVSH, ku janë zhdukur ekzaktësisht nga rimbursimet: 1 miliardë, 272 milionë e 63 mijë e 770 lekë ?!?!
– Në kohën, që ju sapo u emëruat ministër, u bllokuan miliona medikamente, gjoja për në Kosovë. Cili është fati i tyre ?
– Z. Ministër, cilat janë farmacitë që kanë qarkulluar miliarda brenda vitit ?
– Pse u emërua dhe më vonë ju kërkua dorëheqja pa mbushur 20 ditë, Drejtoreshës së AKBMM ( kontrollit të barnave)?