Policia Bashkiake bllokon aktivitetin e subjekteve që nuk kanë shlyer gjobat për zënien e hapësirave publike

524
Sigal

Edhe gjatë ditës së  djeshme ka vijuar aksioni i Policisë Bashkiake, për lirimin e hapësirave publike nga subjektet tregtare por edhe shitësit ambulantë. Policia Bashkiake u bën thirrje subjekteve dhe tregtarëve të respektojnë ligjin, pasi në të kundërt do të sekuestrohen të gjithë materialet dhe produktet e tyre.  Policia Bashkiake e Tiranës ka bllokuar dje  3 subjekte në rrugën “Ferit Xhajko”. Këto subjekte, në mënyrë të vazhdueshme kanë zënë hapësirat publike. Policia Bashkiake ka vendosur ndaj këtyre subjekteve, siç e parashikon ligji, gjoba të cilat nuk janë paguar prej tyre dhe as nuk kanë liruar hapësirat e zëna, në kundërshtim me ligjin.  Mospagimi i gjobave ka detyruar Drejtorinë e Tatim – Taksave të Bashkisë së Tiranës, të nxjerrë urdhër bllokimi për këto subjekte. Policia Bashkiake ka kryer sot ekzekutimin e këtij urdhri dhe do të vijojë me bllokimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e materialeve për të tjera subjekte, të cilat përveçse kanë zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, nuk kanë shlyer gjobat e vendosura ndaj tyre. Janë gjithsej 15 subjekte, për të cilat Drejtoria e Tatim – Taksave ka nxjerrë urdhër bllokimi, për mos shlyerje të gjobave për zënie të hapësirave publike.