Plagosja në Ksamil, Gjykata e Sarandës liron dy të dyshuarit

182
Sigal

Plagosja me pistolete e 27-vjecarit Tauland Beqiri në 13 gusht në Ksamil, tashmë nuk ka asnjë person në qeli.

28-vjeçari Edison Vyzaj dhe 24-vjecari nga Sri Lanka, Makavitage Kalpa Chethiya Eishvajith Perera Ejievrdana janë lënë të lirë me vendim të gjykatësit Fatmir Ndreu.

Prokurori Ilir Hoxha deklaroi se ekzistojnë kushtet për zbutjen e masës së sigurimit ndaj personave nën hetim, duke pranuar masën e sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të kërkuar për shtetasin Makavitage Perera si dhe duke e lënë vendimmarrjen finale për të dyshuarin tjetër Edison Vyzaj në vlerësim të gjykatës.

Por gjykatësi Fatmir Ndreu, në përfundim të seancës ka vendosur lirimin nga qelia të dy të dyshuarve, duke u dhënë masën e sigurisë “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dy herë në muaj, ditën e martë të javës së parë dhe të tretë”.

Sipas policisë, “arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makavitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje.

Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes”.

Sipas dosjes hetimore, Edison Vyzaj tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë.

Autori i plagosjes, Edison Vyzaj ka treguar përpara hetuesve të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ai ka dashur t’i heqë pistoletën nga dora Tauland Beqirajt dhe gjatë tentativës, arma është shkrepur padashje.

Ndërkohë, zbutje të masës së sigurimit nga “Arrest në shtëpi” në një masë më të lehtë ka kërkuar edhe Tauland Beqiri, që pritet të shqyrtohet nga Gjykata.