Plagosja e Johan Muçllarin në Pogradec, vihet në pranga një prej autorëve të dyshuar, në kërkim tjetri

145
Sigal

Ka rënë në prangat e policisë Gersi Maxhari, i cili rreth dy muaj më parë, në bashkëpunim me Firdeus Berberin, dyshohet se plagosën me armë zjarri 22-vjeçarin Joan Muçllari.

Maxhari ishte shpallur në kërkim nga policia, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për ndalimin e shtetasit në kërkim G. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prishja e qetësisë publike”. Ndalimi i shtetasit G. M., lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, ku 22-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin F. B., (i shpallur në kërkim) tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.

Si ndodhi ngjarja?

Joan Muçllari u paraqit vetë në spitalin e Pogradecit me plagë plumbi në këmbë dhe me një tjetër plagë në kokë, të shkaktuar nga goditje me thikë. Pas marrjes së ndihmës së parë, i riu u dërgua drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Fillimisht të rinjtë kishin debatuar me fjalë mes tyre, por konflikti degradoi në sherr me grushta dhe në përdorimin e thikës. Më pas dyshohet se 20 vjetari Firdeus Berberi qëlloi me armë drejt Muçllarit. Policia gjeti në vendngjarje një gëzhojë pistolete. Dy autorët e dyshuar u larguan nga vendngjarja në drejtim të Korçës me një automjet golf, ngjyrë të errët dhe blutë e Pogradecit po punojnë për kapjen e tyre.

Familjet e dy të rinjve të përfshirë në këtë ngjarje, Berberi dhe Muçllari janë në konflikt mes tyre prej më shumë se dy vjetësh. Në gusht 2020, disa persona sulmuan me breshëri arme hotelin në pronësi të të atit të të plagosurit, Jetmir Muçllari, pranë Drilonit. Fatmirësisht nga ky sulm ndaj godinës dhe makinave të parkuara nuk pati të lënduar edhe pse hoteli ishte plot me pushues, në kulm të sezonit turistik.

Babai i Firdeus Berberit, Ilir Berberi u akuzua asokohe si një nga personat e përfshirë në këtë sulm me armë dhe u arrestua nga RENEA disa ditë më vonë, i fshehur në një çadër në pyllin e fshatit Vërdovë. Por kjo akuzë për 54 vjeçarin Ilir Berberi kishte rënë dhe mbi të rëndon vetëm akuza armëmbajtje pa leje.