Grabitqarët e pasurive kombëtare

483
Sigal

Dr. Vladimit Mici/ Qeveria firmos në tym për pasuritë natyrore dy VKM që nuk janë në interes të popullit, si vendburimet e gazit natyror në Frakull dhe Povelça. Zotërinjtë qeveritarë të votuar që të veprojnë në emër të qytëtarëve sillen sikur i kanë pronë të vetën, duke ia dorëzuar koncesionarëve. Ja si do zhvatet gazi, ku një pus ka vlerë 3-4 mln euro

  • Dy  VKM  që janë në interes të popullit, vendburimet e gazi natyror, në  Frakull dhe Povelça
  • – Kjo qeveri, vijon të heqë dorë nga  pasuritë kombëtare, duke vazhduar t’i japë ato me konçesion
  • – Si me naftën edhe me gazin, këta qeveritarë, por edhe të mëparshmit, nuk i përfillin këto pasuri kombëtare
  • – Vetëm vota nuk mjafton, që zotërinjtë qeveritarë të sillen si me pronën e tyre
  • – Firmës i është lënë një periudhë 18-24 mujore të bëjë vlerësimin e vendburimeve, që do të thotë se ajo ndërkohë do të marrë gaz natyror sa të dojë
  • – Kur vetëm një pus  vlerësohet  3-4 milion euro dhe 1km profil sizmik në terren mbi 150 mijë euro, kush do i marrë paratë?!

 

 

Dy VKM  miratojnë një Joint Venture në formën e një kontrate me ndarje prodhimi dy vendburime gazi natyror, të zbuluara dhe  praktikisht të shfrytëzuara; ato janë Frakulla dhe Povelça, të dyja në territorin e Bashkisë Fier. Frakulla, është zbuluar në vitin 1974 dhe në të janë gjetur rezerva të gazit natyror, pa lidhje me naftën, dhe i dyti, Povelça që u zbulua në vitin 1986, po ashtu me grumbullime të gazit  natyror. Në të dyja grumbullimet, është marrë një sasi gazi që ka shërbyer për të prodhuar plehra kimike për intensifikimin e prodhimit bujqësor në Kompleksin e uzinës së Nitrat-Amonit dhe uzinës së Uresë (ose Azotikut) në Qytetin e Fierit edhe pse me një kosto prodhimi mbi çmimin me të cilët është shitur ky prodhim. Në vitin 2004, nga Povelça, sasia e gazit që prodhohej ishte shumë e vogël ndaj dhe përdorej kryesisht në  bizneset e fshatrave për rreth si lëndë djegëse për prodhimin e bukës. Prurja dhe presioni i gazit ishin mjaft të ulëta që nuk mund të futej në tubacionin transportues të gazit, që kishte presion më të lartë. Nga Frakulla, në vitin 2004 është marrë një sasi prej 3,000Nm3 gaz që përdorej kryesisht për bizneset në qytetin e Fierit; për fabrikën e vajit, poçerinë, punishten e përpunimit të qumështit dhe sasira më të vogla akoma për prodhimin e narkozës për mjekësinë. Gazi  hynte në tubacion me një presion të ulët deri 3 atmosferë. Sigurisht që deri në vitin 1990, shpimet kanë vijuar në tërë vendet, por më shumë në Povelçë dhe shumë më pak në atë të Frakullës, ngaqë këtu, e gjithë sipërfaqja, ishte plotësuar me puse vlerësimi dhe shfrytëzimi. Thellësia e gazit këtu ishte më e vogël dhe kishte më pak problematika shpimi, në raport me Povelçën. Në të dy sipërfaqet, gazi ishte i grumbulluar në rezervuarë shtresorë me sipërfaqe dhe trashësi të vogël në formën e grup thjerrzave që nuk komunikojnë me njëra tjetrën. Ky fakt bënte të domosdoshme interpretimin dhe  lidhjen e shtresave të kapura nga puse të ndryshme. Nisur nga fakti që çdo pus që kapte të paktën një thjerzë e shfrytëzonte atë në kushte normale në sasinë 95-99% të rezervave të llogaritura të  gazit. Kështu që puset pasues mund të ndeshen me riskun e kapjes së shtresave të shfrytëzuara. Rezervuarët e gazit në trajtë thjerrze, janë me volume të ndryshme që variojnë nga 150 mijë Nm3deri 200 milion Nm3 gaz. Meqënëse,nga 1000 Nm3gaz përfitohet aq energji sa 1 ton naftë bruto, atëhere ata rezervuarë, kanë një nivel ekuivalent energjie ekuivalente me 150 deri 200 tonë naftë. Puse të veçantë në Frakull kanë edhe më shumë rezerva gazi se sa paraqitëm.

Pas zbulimit të gazit

Pas zbulimit të gazit, do të vazhdonte faza e vlerësimit me puse, por me dëshirën që pusi gjatë shpimit në thellësi, të kapte sa më shumë rezervuarë të rinj të pashfrytëzuar nga puse të tjerë. Përgjithësisht, ky proçes ka pasur një risk të lartë. Nga efekti i shpërndarjes së këtyre rezervuarëve në hapësirën e thellësisë, efektiviteti i shpimeve të reja ka qenë i diskutueshëm. Puset e rinj gjithmonë kanë një pasiguri dhe risk më të lartë për të kapur rezervuarë të rinj, pavarësisht numrit të përgjithshëm të puseve të shpuar. Ka qenë kjo arsyeja që pas vitit 1990, nuk janë kryer më investime për shpim të puseve të rinj, por është thelluar puna në studimin e hollësishëm të rezervuarëve në puset e vjetër për të parë mundësinë e pranisë së ndërshtresave të reja të lëna pa shfrytëzuar ose pjesë të rezervuarit të mbetura pa shfrytëzuar për shkak të ujërave shtresorë që vijnë nga lart dhe shumë mundësi të tjera. Me këtë objektivë kanë punuar specialistët në njësinë “Qëndra e Prodhimit të Gazit”në Patos, e cila tashmë është e përfshirë në kompaninë“Albgas”. Fakti që në kontratat e lidhura për privatizim administrator shfaqet kompania “ Albpetrol”, tregon se kompania “Albgaz” nuk është administrator i këtyre vendburimeve të gazit natyror. Siç edhe rezulton, në këtë rast kompania “Albgas” do të merret me blerjen, transportin dhe shitjen e gazit nga që do të sigurohet nga magjistrali “TAP”,por edhe prodhuesit vëndas.

Pas leximit të Kontratës

Pas leximit të Kontratës të miratuar në VKM Nr. 401, datë 9.6.2022 “Për miratimin e “Marrëveshjes Hidrokarbure” me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vb e gazit natyror Frakull, në Shqipëri ndërmjet Albpetrol sha dhe EDG natyral gas” si dhe të kontratës së miratuar në VKM nr 402 datë 09/06/2022 “Për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vb e gazit natyror Povelçë, në Shqipëri ndërmjet Albpetrol sha dhe EDG natyral gas” me seli në Tiranë rezulton:

Së pari, Kjo qeveri, vijon të heqë dorë nga  pasuritë kombëtare, duke vazhduar t’i japë ato me konçesion. Rezulton se ashtu si me naftën, këta qeveritarë, por edhe të mëparshmit, nuk i përfillin këto pasuri kombëtare dhe flasin e veprojnë në emër të popullit, që i ka votuar pa ç’ka se populli nuk pyetet për pasuritë e veta. Ajo që të bën përshtypje është se edhe Firma kontraktuese është shqiptare.Vetem vota nuk mjafton që zotërinjtë qeveritarë të sillen si me pronën e tyre. Ata janë administratorë dhe jo shitës dhe dhënës me qira të pronës së popullit shqiptar.

Së dyti; Në këtë kontratë kompania “Albpetrol sha” së bashku me “AKBN”, kanë testuar kapacitetet financiare të kësaj shoqërie që dotë investojë 1 milion dollarë për fazën e vlerësimit, dhe sipas tyre kjo shoqëri ka kapacitete të tilla, por kjo është një sasi e frikshme kur shikon ekstraktin e shoqërisë “EDG  natyral gaz shpk”  me kapital krijimi vetëm  me 100,000 lekë dhe e krijuar 15/04/2021. Por dikush mund të thotë se ajo është kompani bijë e krijuar nga dy kompani të tjera, njëra “EDG group” dhe tjetra “Impakto communication” me kuota respektivisht 90% dhe 10%. Kompania e parë në vitin 2020 rezulton me kapitale negative, ndërsa e dyta vetëm me një kapital formimi (në  tetor 2020 dhe pa asnjë bilanc në QKR). Aktivet e kompanisë “EDG group” e cila ka 90% të kuotave të “EDG gas natyral” janë të bllokuara dhe nuk lejohen të shiten, sepse borxhet e saj tejkalojnë totalin e pasurisë së saj. Ndërsa rezultaete e saj nuk joshin askënd për t’i dhënë kredi. Pra ajo s’ka kapacitet huamarrës për të përballuar këtë situatë. Çfarë po ndodh? Apo prapë qeveritarët tanë nuk dinë gjë? Një justifikim i njohur e i përdorur nga ta, sa herë kapen “gafil”. Ku jetojmë? Mirë do të ishte që investimi të vinte nga shqiptarë, por nga cilët? Ata që janë problematikë me ligjin dhe tashmë do të na ushqeni edhe  problematika me pasuritë kombëtare? A nuk e vuajtët me Feniks-in, kompaninë që punonte me fatura fiktive, dhe që sot vijojnë ndjekjet penale për ish  kreun e AKBN-s?

Së treti: Firmës i është lënë një periudhë 18-24 mujore të bëjë vlerësimin e vendburimeve, që do të thotë se ajo ndërkohë do të marrë gaz natyror sa të dojë, se prodhimi ka vazhduar, dhe do të shesë aq sa do e do t’i raportojë shtetit sa do dhe nuk do t’i japi asnjë gjë edhe Albpetrolit, sepse ajo nuk zbuloi e prodhoi nga investimi i saj, por vetëm shpenzoi atë të zbuluarën më parë. Në fund të 24 muajve do t’i thotë qeverisë shpenzova aq sa kisha në plan. Albpetroli lan duart si pont pilati, se unë s’jam operatori dhe se ai është në fazën pilot të vb. Rezultatet nuk kanë rëndësi për ta, por vetëm konkluzionet që ata do japin pas dy vjetësh, kur zgjedhjet parlamentare të kenë mbaruar.

Po çfarë përfaqëson faza e vlerësimit?

Fazë e vlerësimit është një fazë ku firma  përmes investimeve të caktuara shprehet se ajo është ose jo dakort për marrjen e vendburimit pra se ai është ose jo me vlerë industriale. Për vetë natyrën e shpërndarjes së rezervuarëve si thjerrza, risku i zbulimit është akoma i lartë, sepse bëhet fjalë për thjerza të reja të cilat nuk zbulohen pa shpuar puse të rinj vlerësimi, pavarësisht elementeve korelues të puseve egzistues apo punimeve sizmike egzistuese. Ato tashmë janë parë dhe riparë, analizuar e konkluduar. Deri në vitet 1996, Instituti i naftës, kishte grupe projektimi të posaçëm studimi dhe projektimi pusesh. Dhe pas viteve 1990 punimet sizmike u ndërprenë dhe çdo interpretim është bërë me profilet ekzistues. Pas viteve 1996, Qëndra e Prodhimit të Gazit, që merrej me shfrytëzimin, bënte të njëjtën gjë për të siguruar prodhimin. Kështu që ripërpunimi i profileve apo dhe rezultateve faktike nga puset ekzistues mund të konsiderohet i ezauruar. Rezultatet do të jenë minimale. Vetëm një mëndje jo normale do ta pranonte hedhjen e parave të tilla. Po kështu edhe studimi mjedisor. Nuk ka nevojë për studim mjedisor. Janë të gatshëm. Janë të gjithë nismëtarë të tavolinave. I fshinë pluhurin dhe e shesin dhe e rishesin.  Në fazën e vlerësimit  duhen dy gjëra: A ka nevojë për punime sizmike shtesë dhe sa? dhe e dyta: sa puse vlerësimi duhet të shpohen? Sigurisht këto të dyja nuk parashikohen, sepse buxheti i tyre e kalon buxhetin prej 500 mijë euro. Vetëm një pus vlerësohet 3-4 milion euro dhe 1km profil sizmik në terren mbi 150 mijë euro. Dhe që duhen mbi 100 km punime sizmike. Se di më kush punon në Albpetrol dhe AKBN që miratojnë të tilla kontrata. Drejtori i Albpetrol sha duhet të prononcohet publikisht si e ka mbrojtur këtë aferë dhe ndoshta edhe kush e ka urdhëruar dhe pse?

Së katërti: Ku do t’i gjejë paratë firma? Kjo është një çështje që tashmë merr një konotacion negativ kur bankat refuzojnë të japin kredi, sepse firma nuk ka koletaral. Çfarë burimesh do të përdoren? Po flasim për garancinë, po flasim për bonusin e nënshkrimit, po flasim për shpenzimet e fazës së vlerësimit. Këto janë shpenzime efektive që do të kryhen. Ku do t’i gjejë firma 50 mijë euro për të paguar bonusin e nënshkrimit. Po 50 mijë eurot e garancisë bankare? Po 500 mijë $ e fazës së vlerësimit? Ajo kapitalin e ka 100,000 lekë ose 8350 Euro. Nuk është koha për të folur për fazën e kalimit, fazën e zhvillimit dhe në prodhim. Kjo është totalisht një llogari tjetër, e cila ngre shumë pikpyetje. Angazhimi kapital është gjigand dhe kjo kompani mund të jetë një lavatriçe si Kompania Petromanas e SHELL-it. Për të, duhet folur në kohën e duhur. Po flasim për sot, që kontratat kanë hyrë në fuqi. Ndoshta janë paratë e fushatës elektorale që duhen programuar me këtë kontratë. Ndoshta janë edhe vjedhjet me VKM. Koha do ta tregojë!