Plagosi 5 persona në xhami, Nikolli: Më kanë përndjekur prej një viti

221
Sigal

Rudolf Nikolli, i arrestuar për plagosjen e 5 personave te xhamia “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës në Tiranë, këtë të enjte doli para togave të zeza. Prokuroria ka ngritur akuzë për vepra për qëllime terroriste.

”I arrestuari ka hyrë në ambientet e xhamisë dhe me një thikë ka goditur disa besimtarë. Menjëherë pas kësaj ai ka tentuar të largohet, por me ndërhyrjen e disa qytetarëve dhe më pas policisë, është ndaluar. Ngjarja është filmuar dhe nga kamerat e xhamisë. I arrestuari në dëshminë e tij ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka hyrë në xhami dhe ka qëlluar personat. Si arsye ai ka dhënë faktin se prej disa kohësh disa myslimanë e përndiqnin. Kur dilte nga shtëpia ata e shikonin. Është shkuar në spitalin psikiatrik ku është marrë kartela e tij. Është marrë dhe vendim për aktekspertim mendor ndaj tij. Veprimet e Nikollit kanë përhapur panik në popullatë”.

Avokati tha se i riu ka pasur probleme të shëndetit mendor. “Vendosja e një mase arresti është e papërshtatshme. Masa duhet të jetë me afat, deri në daljen e aktit të ekspertimit”.

Nikolli përsëriti edhe njëherë tjetër se është ndjekur prej kohësh, ndërsa thekson se i njeh ata persona. ”Fakti që jam përndjekur është e vërtetë. Unë i njoh me fytyra. U bë gati një vit. Edhe shteti besoj se është në dijeni për këtë gjë. Unë nuk desha të bëj atë që bëra. Por ata më kanë ndjekur. Ilaçet i kam marrë, por kishte raste që i harroja”.