Piktorët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Bumçi: Nuk ruajti pasurinë kombëtare

565
Sigal

Gjikondi, Bardhi, Stratobërdha, Shkreli e Tare të shqetësuar nga vjedhja e afreskeve të kishës Shën Premte

Të gjithë artistët dhe njerëzit e thjeshtë janë tronditur nga ngjarja e rëndë e vjedhjes së afreskeve të pikturuar nga Onufri në kishën Shën e Premtes, në fshatin Valësh të komunës së Gjinarit. Por, ministri i Kulturës, ende nuk e ka kuptuar siç duhet, dëmin që ai me indiferencën e tij, i ka sjellë kulturës sonë. Afresket e Onufrit janë vjedhur në ditët e para të këtij viti, ku edhe qarkullimi ka qenë i paktë. “Kjo vjedhje është një krim i rëndë kundër traditës sonë kulturore”, u shpreh piktori i njohur shqiptar, Ndini Bardhi, punimet e të cilit sot, ndodhen në mijëra mjedise të familjeve shqiptare. Sipas tij, pakujdesia e ministrit të Kulturës ndaj këtyre vlerave të papërsëritshme të traditës sonë, është një akt antikulturor që nuk duhet të përsëritet më. “Nëse qeveria shqiptare nuk ka mundësi të mbrojë vlerat historike dhe artistike të trashëgimisë sonë, atëherë, le të gjejë mundësinë për t’ia ngarkuar këtë detyrë, strukturave lokale, ose private, në mënyrë që paprekshmëria e tyre të mos diskutohet më”. Nga ana tjetër, Vangjel Gjikondi, piktori i njohur shqiptar, ka kërkuar urgjentisht marrjen e masave efikase për ruajtjen e afreskeve në të gjithë Shqipërinë. “Sot të gjitha  afresket e trashëgimisë sonë kulturore janë të kërcënuara sepse ndaj tyre, Ministria e Kulturës nuk tregon asnjë kujdes”, u shpreh ai. Dhe ndërsa të dy piktorët iu bashkuan kërkesës së artistëve të tjerë, për dorëheqjen e Aldo Bumçit, ata thanë se “dëmi i shkaktuar nuk mund të rikuperohet më, nga asnjë lloj veprimi”. Sipas Bardhit, veprimet duheshin bërë para se të ndodhte vjedhja dhe jo, pas ngjarjes, sepse tani ajo që u zhbë, nuk mund të ribëhet më”. Në të njëjtën linjë, ka folur për gazetën, “Telegraf”, edhe Vangjel Gjikondi, i cili kërkoi që këtej e tutje, të garantohen dhe të merren nën mbrojtje të gjitha objektet me rëndësi historiko-kulturore të vendit tonë”. Kisha Shën e Premte është shumëvjeçare, me hajat nga perëndimi, unike për sa i përket vlerës së afreskut, e pikturuar nga dora e Onufrit në vitin 1554. Gjithashtu nga ana e tyre, dy personalitete të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Shkreli dhe Tare kanë përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e ministrit Bumçi. Nga ana e tij, Gentian Stratobërdha, njëri prej arkitektrestauratorëve më të përkushtuar të vendit tonë ka theksuar se, “monumentet nuk kanë një sistem mbrojtjeje, sepse ministria zyrtarisht i ka hequr kujdestarët”  Prej vitit ‘99 Gentian Stratobërdha studion dhe ndjek nga afër gjendjen e objekteve të kultit ortodoks në Shqipëri. Ai më tepër se kushdo tjetër e ndjen fatkeqësinë që i ka ndodhur arsenalit të artit kombëtar, pas vjedhjes së këtyre perlave prandaj është shprehur i indinjuar për këtë ngjarje. “Kjo është një nga kishat ekzemplare, janë ikona të pikturuara nga dora e Onufrit. Nga analizat laboratorike që u janë bërë pigmenteve të pikturës së afreskut, ka rezultuar se është e njëjta përmbajtje, e njëjta përzierje dhe bojë që punonte Onufri”, ka deklaruar Stratobërdha, i cili më tej ka vijuar duke thënë se: “kjo ishte nga veprat unikale që duhej ruajtur me kohë të plotë, paradite, mbasdite dhe natën”.