Juristët kundër paketës “Anti-KÇK”: Rrezik është keqpërdorimi i autoritetit të policisë

540
Sigal

Anti KÇK nuk është pritur fare mirë nga juristët e këtij vendi.

Avokatët Sajmir Visha, Jordan Daci dhe Adriatik Lapajt thonë se përmes këtij ligji, qeveria dhe policia mund të veprojë në mënyrë arbitrare ndaj personave të pafajshëm, duke u kufizuar lirinë, apo duke u sekuestruar pasurinë, pa një vendim gjykate.

Ja çfarë deklarojnë ata:

Heqja e pasaportës, ndalja e daljes nga shteti për 1 vit, detyrimi për të mos shkelur në një pjesë territori të caktuar, sekuestrimi i pasurisë, të gjitha këto e cenojnë drejtpërdrejtë qytetarin”, thotë juristi Adriatik Lapaj.

“Të marrësh pasaportën tjetrit për ta detyruar që mos të dalë jashtë shtetit, ta detyrosh të qëndrojë në një vend të caktuar, të vendosë Drejtori i Përgjithshëm për ta larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, përjashtimi nga një tender të një personi fizik apo juridik, kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me kufizimet dhe liritë e njeriut apo personave fizikë. Nuk e kemi atë atribut që një individ jashtë gjyqësorit të vendosë masë sigurie”, tha juristi Saimir Vishaj.

“Policia merr kompetencat e prokurorisë dhe të gjykatës në disa momente të caktuara. Ky akt kufizon, të drejtën e pronës, të drejtën për proces të rregullt gjyqësor, kufizon të drejtën për jetë familjare dhe private, kufizon lirinë e lëvizjes, përcakton afate krejtësisht jo realiste, afate jo të arsyeshme siç është në rastin e 48 orëshit për deklarimin e pasurisë, kjo është e pamundur”, tha juristi Jordan Daci.

“Gjykata nuk është se nuk parashikohet, por parashikohet si filtër fundor ndërkohë që procedura ka nisur, dëmi mund të jetë bërë, qoftë edhe 1 ditë. Ky akt parashikon që edhe kur del e pastër, prona nuk të kthehet më, por mbahet e konfiskuar dhe kalon për llogari të shtetit shqiptar, dhe njihet vlera në para e pronës, vlerë që është subjektive për të cilën duhet të bësh edhe gjyqe”, tha Lapaj.

“Jam dakord me vendosjen e masave të sigurisë pasurore, për të cilët është shqetësim kohët e fundit në lidhje me veprimtarinë kriminale”, tha Vishaj.

“Rrezik është keqpërdorimi i autoritetit të policisë për sa i përket marrjes së elementëve të përgjimit”, tha juristi Daci.

Në funksion të këtij akti normativ ngrihet edhe një komitet që drejtohet nga Ministri i Brendshëm dhe veç të tjerëve ka anëtarë edhe Prokurorin e Përgjithshëm gjithashtu dhe kreun e SPAK.

Për juristët, kjo nuk është në përputhje me Parimin e Ndarjes dhe Balancimit të Pushteteve.

“Krijuam një legjislacion të posaçëm për SPAK pikërisht për të krijuar një strukturë që heton pozicionet e larta shtetërore siç është Kryeministri, Ministrat ndoshta dhe vetë Ministrin e Brendshëm. 1 herë brenda 3 muajve ka detyrimin të raportojë drejtpërdrejtë te Kryeministri, pra cënohet Parimi i Ndarjes së Pushteteve”, tha Lapaj.

“Në rastin konkret, mungesa dhe e Byrosë Kombëtare të Hetimit në këtë komitet, them se është i cunguar. Ligjvënësi brenda 45 ditëve duhet të rregullojë shumë gjëra”, tha Vishaj.

“Prokurorët janë ata që kontrollojnë Ministrin dhe jo e kundërta. Kjo i shkon për shtat rolit mbizotërues të qeverisjes që ne kemi. E shndërruan policinë në “One Stop Shop”, të gjitha kompetencat i merr polica dhe s’paskemi nevojë për asnjë institucion tjetër. Kjo është një ndër gafat që ka ky akt, sepse nuk mund që një organ të drejtohet nga Ministri, dhe të përfshijë ata që janë autoritete që mund të hetojnë edhe vetë Ministrin”, thotë Jordan Daci.

“Lufta ndaj krimit është e domosdoshme dhe ne duhet ta stimulojmë, por dëshira dhe nevoja për luftën ndaj krimit, nuk mund të justifikojnë cenimin e të drejtave të njeriut në këto përmasa”, thekson Lapaj.

“Për aq kohë sa është çështje emergjence dhe nevoje, mendoj që akti normativ është i duhur në momentin e duhur”, tha Vishaj.

Akti normativ i pagëzuar si anti-KCK do të duhet të votohet nga Kuvendi brenda 45 ditëve që të marrë fuqi.

Ky akt ka hyrë automatikisht në kalendarin e punimeve dhe do të shqyrtohet nga komisionet kuvendore, ndërkohë që veprimtaria e tij është e kufizuar deri në 31 Dhjetor të këtij viti.