Genci RAMA/70 -vjetori i 4 Heronjve të Lavdishëm të Vlorës

605
Sigal

Kanë kaluar plot 70 vjet nga dita tragjike kur 4 djem vlonjatë, bij të nderuar dhe të lavdishëm të atij qyteti heroik, shkruan një nga epopetë e mëdha të Luftës Nacionalçlirimtare, duke dhëne jetën në luftë të pabarabartë me pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo ditë, edhe pse kanë kaluar 70 vjet, është ngjarje e madhe për popullin e Vlorës, i cili e ka vlerësuar lart aktin e tyre heroik, në një kohë kur ende Lufta Nacionalçlirimtare nuk kishte marrë përmasat e uraganit të vërtetë popullor. Katër djemtë e Vlorës, Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi dhe Hiqmet Buzi, që është nipi i Tafil Buzit, të bindur në drejtësinë e kauzës së tyre, e cila është padyshim më e përparuara e kohës, lanë bankat e shkollës,dhe u bashkuan me fillimet e lëvizjes çlirimtare antifashiste. Ata dhanë jetën për çlirimin e Atdheut.

Në ditën e 70 -vjetorit të rënies u përkujtua akti heroik i 4 Heronjve të Topanasë. Ishte shoqata “Familjarët e Dëshmorëve” protagoniste e një ceremonie të mbajtur në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, në të cilën morën pjesë veteranë, pjesëtare të familjeve të dëshmorëve, të rinj e të reja, dhe nxënës të shkollës që mban emrin e 4 Heronjve. Për veprën e lavdishme të 4 Heronjve dhe mesazhet që përcjellë heroizmi i tyre, u ka folur të pranishmeve Kryetarja e Shoqatës “Familjarët e Dëshmorëve” znj.R.Ruci. Ndër të tjera znj. Ruçi u shpreh se, 4 Heronjtë, Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi dhe Hiqmet Buzi, gjaku dhe akti heroik i tyre, nuk njohën Parti, ata i përkasin Kombit të tyre. Gjaku i të rënëve në Luftën Nacionalçlirimtare ishte thirrje e fuqishme për bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Partia e Heronjve, e Dëshmorëve të LANÇ-it ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria jonë e dashur ku punojmë e jetojmë. Për këtë shkak, shoqëria e sotme duhet të ndërgjegjësohet duke lënë mënjanë grindjet politike dhe të ruajë të pastër identitetin kombëtar. Kurrë të mos harrohen vargjet e të madhit Naim Frashëri: “Ti Shqipëri me ‘ep nder; me ‘ep emrin shqiptar; zemrën ti ma gatove; plot me dëshirë e me zjarr”.

Në vijim të kësaj veprimtarie, që ngjalli shumë emocione tek të pranishmit, nxënësit e shkollës “ 4 Heronjtë”  dhanë një koncert me këngë e recitime kushtuar Heronjve të Topanasë.

Vlora ka qenë vatra më e zjarrtë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe fillimet e lëvizjes antifashiste në këtë qytet, kanë qenë “fitili” që në një farë mënyre ndezi uraganin e luftës së madhe në Shqipëri. 4 Heronjtë e Topanasë në Vlorë, më i madhi 21 vjeç dhe më i vogli 15 vjeç, janë pionierët e parë të lëvizjes.

Koha ka kujtesën e vet historike. Ka ca gjera që edhe mund të harrohen apo falen për shkak të kohës që ka kaluar. Por ajo që nuk mund të harrohet është kujtimi i aktit të madh heroik të të gjithë Heronjve dhe Dëshmorëve të lavdishëm të LANÇ, e cila mbetet në histori, epopeja më e ndritur e popullit shqiptar. Në këtë kontekst sa më shumë kalon koha, akti heroik i Heronjve e Dëshmorëve nuk zbehet, përkundrazi ai lartësohet. Ata që duan sot ta harrojnë të jenë të sigurt se një ditë do të harrohen vetë ata, kurse Heronjtë e Dëshmorët e LANÇ, pjesë e të cilës janë dhe 4 Heronjtë e Topanasë, do të ndrijnë në historinë e kombit tonë. Vendin e tyre askush nuk e zë në histori apo nuk e sposton dot, sepse aktet e tyre janë nga momentet më kyçe të historisë sonë dhe më me rëndësi në gjerdanin pa mbarim të heroizmit të popullit tonë për liri e pavarësi të vërtetë.

Asnjë rëndësi nuk ka për Heronjtë e Dëshmorët se kush e udhëhoqi LANÇ-in. Atë e udhëhoqën ata që ishin më trima, më nacionalistë, dhe që u dolën zot fateve të Atdheut në momentet më të vështira.

Koha bën të vetën. Mundet që edhe vlerësimet historike për aktet e tyre të pësojnë devijime  historike anormale si po ndodh edhe sot, nga përpjekjet e sforcuara për të zbehur sado pak lavdinë  dhe heroizmin e tyre dhe të Luftës Nacionalçlirimtare. Por ikja e kohës historike nuk është si lojë bixhozi në të cilën humbet ose fitohet sipas shansit. Heronjtë dhe Dëshmorët e Luftës, pjesë e rëndësishme e të cilës janë edhe 4 Heronjtë e Topanasë, e kanë shkruar me gjak dhe lavdinë e tyre të merituar nuk ka burrë që e cenon, nga çfarëdo qëllimesh apo motivesh nga nisen.

70- vjetori i rënies së 4 Heronjve të Topanasë, përkoi me 100-vjetorin e Pavarësisë, të ngjarjes më të madhe të historisë sonë kombëtarë që lidhet thellësisht me qytetin e Vlorës. Vlora ka pasur sensin e orientimit pozitiv në të gjithë kohërat. Ne këtë pikëpamje, të gjithë ata që e dinë mirë historinë, janë krenarë për atë që bënë, jo thjesht atë ‘që donin” por atë që duhej “në kohën dhe vendin e duhur”, duke na lënë pas një vepër që nuk do të shlyhet nga kujtesa e historisë dhe nuk do të harrohet nga brezat e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm.

Pavarësisht zigzageve të historisë dhe historianëve të sotëm, vepra e Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare është e pacenuar, e plotë, integrale dhe e nderuar deri në fund.