Përurohet shkolla e re “Bedri Llagami” në Vaqarr, kreu i bashkisë Veliaj: Fillojmë lotin tjetër të shkollave në kryeqytet

96
Sigal

Rreth 600 nxënës të kësaj zonë do të mësojnë në shkollën e re të bashkuar “Bedri Llagami në Vaqarr. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektuan përfundimin e punimeve. Veliaj tha se kjo shkollë do të shërbejë dhe si epiqendër e aktiviteteve komunitare. “Të sigurohemi që kjo epiqendër të shërbejë edhe si një horizont për fëmijët. Nuk kemi ndërtuar vetëm ca mure me llaç e tulla apo xhama e dritare, kemi ndërtuar një komunitet. Patjetër, Tirana ofron shumë, por unë besoj se për çdo prind, të pasurit e fëmijës tek oborri i shkollës, tek një mjedis i sigurt, ofron një garanci të jashtëzakonshme sigurie. Sot, në terma të metrave katrorë, ne kemi një sipërfaqe trualli 6700 metra katrorë, një gjurmë 1900 metra katrorë, kurse 4400 metra katrorë është kjo shtëpi e madhe që quhet shkolla “Bedri Llagami” dhe një zonë e gjelbër 1600 metra katrorë. Ajo që do të ndodhë këtu, pas këtyre metrave katrorë, ajo do prodhojë frymëzim. Në këtë partneritet 50 me 50, pra gjysmën qeveria dhe gjysmën bashkia, ne do të fillojmë 4 shkolla tek Astiri, në të dyja anët e Lanës; aty ku do të fillojë edhe rehabilitimi i Lanës, tani që Unaza mbaroi, aty ku humbëm tre vite shumë të çmuara. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe tek zona e Liqenit të Thatë, njëra nga ana e Kopshtit Botanik, tjetra nga Parku Olimpik. Të njëjtën gjë do të bëjmë në Sauk, aty ku një pjesë e madhe e presionit përfundon deri te shkolla “Ismail Qemali”. Kemi përgatitur dy terrene, një tek Akademia e Policisë dhe tek zona që njihet si ish-spitali i Arabit, kurse pjesa tjetër është te kompleksi “Mangalem”, aty ku është Kryegjyshata e Bektashinjve. Pra, të sigurohemi se në këto dy prurje, që vijnë nga rruga e “Elbasanit” dhe nga rruga “Ali Demi”, të ndalojmë presionin mbi shkollën “Ismail Qemali”. Këto dy kampuse të rinj zgjidhin përfundimisht shkollat me dy turne në Tiranë dhe hapim një kapitull të ri”,- tha Veliaj. Kryebashkiaku ftoi shoqatat dhe ekipet sportive që të aplikojnë për të shfrytëzuar mjediset e këtyre shkollave për aktivitete pas mësimit. “Do më jepte shumë kënaqësi nëse shkolla nuk mbyllet në orën 13:00 dhe vazhdon si qendër komunitare. Mund të jetë një kurs kompjuteri, një kurs muzike, një kurs pikture, një kurs kënge dhe valle që zona, tradita i ka me shumë bujari. Mund të jetë një takim me komunitetin. Do të donim shumë që kjo hapësirë të shfrytëzohej maksimalisht. Shpresoj shumë që, edhe me ndihmën tonë, me aktivitete që edhe ne mund të financojmë, ne mund ta mbushim këtë me jetë”,- theksoi Veliaj.