Personeli i spitalit të Beratit u vetëkarantinua pasi i gënjeu pacientja, dalin rezultatet e tyre

360
Sigal

Kanë rezultuar negativë nga koronavirusi stafi mjekësor i Spitalit të Beratit i cili është vetë karantinuar pasi një paciente e cila nuk tregoi se ishte në Itali dhe u shtrua me simptoma të gripit i gënjeu.

Këtë e bëri me dije sot Albana Fico, drejtore e IShP, në një komunikim me gazetarët.

“Personeli mjekësor i Beratit është rast i përfunduar, personeli i vetëkarantinuar është testuar ka dalë negativ, e ky është lajm i fundit“, tha ajo.

E pyetur nëse ka të tjerë mjekë në spitalin e Durrësit të dyshuar si të infektuar, Fico e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk rezulton të ketë raste të dyshuara të ekipit mjekësor nga Durrësi“, tha ajo, ndërsa nëse ka mjekë e infermierë të vetëkarantinuar në Fier, tha:

“Po ka, personeli mjekësor që i ka shërbyer pacientes sa kohë ka qenë në spital“.

Fico i ka bërë apel qytetarëve të japin informacionin e saktë për shërbimet mjekësore.