Personat me aftësi të kufizuara protestë para ministrisë, nuk kanë marrë detyrimet që në 2010-ën

354
Sigal

Edmond Hoxhallari ka ardhura nga Korça në Tiranë për të marrë 270 mijë lekë.

Janë para që nuk i janë dhënë nga qeveria dhe pushteti lokal, fond te cilin ai e përfiton si invalid.

“Zumë avokat dhe e fituam gjyqin sepse na takojnë ato lekët, duhet të na i japë shteti, por këta akoma s’na i kanë dhënë,” thotë ai.

Si Hoxhallari janë me dhjetëra qytetarë të tjerë me aftësi të kufizuara. As ata nuk kanë marrë detyrimet e prapambetura të periudhës 2005-2010.

I kanë kryer të gjithë procedurat ligjore, por asgjë.

Ndaj dhe këtë të mërkurë nisën protestën para ministrisë së Shëndetësisë.
Të ardhur nga Korça,Pogradeci,Bilishti kërkojnë vetëm zbatimin e vendimit të Gjykatës.

Drejtuesit e  bashkive u thonë që nuk është parashikuar një fond në buxhetin e këtij viti nga Ministria e Shëndetësisë.

“Protestojmë për të drejtat tona,” thotë një  protestues.

“Ne tani jemi në vitin 2021, dhe sa vite do presim që t’i marrim këto,” thotë një tjetër.

Por, zv ministri Albert Nikolla, thotë se për këta persona nga Gjykata nuk ka një vendim të formës së prerë.

“Këto pagesa bëhen vetëm në mënyrë të pjesshme, vendimi nga ata që kanë marrë nga Gjykata nuk është i formës së prerë,” thotë ai.
Nikolla pretendon se qytetarët po përdoren politikisht.

“Të shkosh të kërkosh pagesat e Saliut të 2005 nuk është korrekte,” shtoi ai.

Sinan Tafaj,i cili në këtë rast ka ndjekur çështjen si avokat, i hedh poshtë këto akuza dhe kërkon ekzekutim të vendimit të Gjykatës.

“Është diçka që ja jep ligji, nuk është se duan ta nxjerrin këta vullnetarisht. Është detyrim nga ligji,” thotë Tafaj.

Deri më tani në të gjithë Shqipërinë janë rreth 2000 persona me aftësi të kufizuara që kanë fituar gjyqin për të tërhequr detyrimet e prapambetura të kësaj , ndërkohe 11 të tjerë janë në proces.

Protesta e personave me aftësi të kufizuar nuk do të ndalet.

Të enjten të tjerë qytetarë do të jenë para ministrisë së Shëndetësisë.