Përfaqësuesja e ODHIR takim me Metën e Berishën: Diskutime për sulmet ndaj opozitës gjatë gjedhjeve vendore

89
Sigal

 Përfaqësuesja e ODIHR, e cila do të vëzhgojë zgjedhjet e 14 Majit në vendin tonë, Audrey Glover është takuar me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ndërkohë Glover u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Më herët përfaqësuesja e ODHIR, ka deklaruar se fokusi i ndërkombëtareve do të jetë edhe financimi gjatë fushatës si dhe nëse media do të pengohet në ndonjë farë formë gjatë raportimit të procesit të zgjedhjeve lokale.

Audrey Glover mund të quhet pa hezitim një veterane e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Për herë të parë ajo ka drejtuar misionin e vëzhgimit në zgjedhjet politike të vitit 1996, për t’u rikthyer shpesh në vendin tonë në zgjedhjet e vitit 2009 e më pas në ato të viteve 2015, 2019 dhe tashmë në garën e 14 Majit.

Berisha: E informova znj.Glover mbi puçin ndaj opozitës dhe vendosmërinë e PD për zgjedhjet!

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti në selinë e PD, znj. Audrey Glover, shefen e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në përfundim të takimit, Berisha dha një deklaratë për mediat ku tregoi se çfarë u diskutua ndërmjet palëve.“Ishte një takim në të cilin diskutuam gjerësisht mbi procesin zgjedhor, – tha ai, – dhunimin në vlerësimin tonë, një nga një, të ligjit elektoral dhe të konventave ndërkombëtare për zgjedhjet e lira.E informova gjithashtu për puçin antikushtetues ndaj opozitës shqiptare, korrupsionin dhe bashkëpunimin e korrupsionit shqiptar ndërkombëtar për të lënë vendin pa opozitë, dështimin e turpshëm të këtyre përpjekjeve, vendosmërinë e PD për të çuar përpara procesin elektoral siç e ka shpallur para shqiptarëve.

Mendoj se zonja Glover ishte tek ne në një takim, për t’u informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD-së, të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ishte bashkë me ekipin e saj, siç e patë ju.Unë them se ne paraqitëm të gjithë problematikën që e konsiderojmë shumë të rëndësishme për një proces zgjedhor normal. Kjo ishte e gjithë biseda,” përfundoi kreu i PD.

Meta: KQZ po mban qëndrime të njëanshme, listat e zgjedhësve u ndryshuan qëllimisht

 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zbardhi detaje nga takimi me shefen e vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audrey Glover.

“Prita në një takim shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Ambasadoren znj. Audrey Glover.

Diskutuam gjerësisht shqetësimet e shumta, që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal në 14 maj.

Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.

Gjithashtu ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet,  duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme, që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit.

I shpreha Ambasadores Glover gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje”.