Përfaqësuesit politikë zaptojnë CEZ-in

556
Sigal

Drejtor i CEZ-it në Berat emërohet inxhinieri, Tritan Hazendari, ish-sekretar i Këshillit të Qarkut

Amullia, ku është përfshirë kompania CEZ, duket se e ka të largët futjen në rrugë të drejtë edhe pse po propagandohet shumë në ndryshimet që do të ketë. Kjo nënkuptohet, pasi me ikjen e çekëve nuk do të thotë se, problemet mbaruan. Ato janë aty, madje do t’i shtohen edhe të tjera me në krye drejtorin e sapo emëruar z.Sait Dollapi, i cili po fut në kompani edhe frymë të re politike. Sepse riformatimi i CEZ-it po nis që nga drejtuesit nëpër rrethe, ku në mënyrë të menjëhershme po ndryshohen drejtorët dhe ‘shefat’ e rinjtë janë persona, të cilët merren edhe me politikë. Rasti më i fundit është emërimi që është bërë ditën e djeshme në Qarkun e Beratit, ku si drejtues i CEZ emërohet inxhinieri Tritan Hazendari, person, i cili deri dje mbante postin e sekretarit të Këshillit të Qarkut. Në prezantimin e tij merrte pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i CEZ-it, z.Sait Dollapi, i cili në këtë takim foli edhe për qëllimet e reja që do të ketë CEZ-i, por sesa do të realizohen ato, ia lëmë kohës. Vetëm kështu nuk mund të bëhemi skeptik, pasi edhe të tjerët që u larguan deklaruan më të mirën dhe sollën një gjendje kolapsi dhe një revoltë të brendshme qytetare.

Takimi

Në takimin e organizuar për emërimin e ri merrnin pjesë të gjithë punonjësit e kompanisë CEZ në rajonin e Beratit. Si për t’i bërë më të përgjegjshëm për punën e tyre z.Dollapi iu është drejtuar punonjësve të tij se ata që do të abuzojnë me detyrë në kurriz të qytetarëve do të ndëshkohen rëndë, madje ligji do të jetë i pamëshirshëm për cilindo që punon në këtë kompani. Një deklaratë e fortë, por aspak e rëndësishme për punonjësit e CEZ, pasi ata e dinë mirë që detyrën e tyre do ta bëjnë po njëlloj dhe askush nuk ka për t’i ‘tërhequr as veshin’, sepse janë qytetarët ata që nuk dinë për kë të ankohen më parë. “Ne do të ndërtojmë një strukturë që do të ndikojë në mbarëvajtjen e punës, ku do të luftojmë korrupsionin, tek njerëzit tanë, të cilët kanë abuzuar me faturat e qytetarëve”, tha z.Dollapi. Por si do mundet, ky drejtues të zhbëj diçka të rrënjosur thellë dhe mbi të gjitha si do ta luftoj korrupsionin kur në krye vendos drejtues të përfshirë në politik, drejtues, të cilët e dinë shumë mirë si bëhet korrupsioni, -thanë qytetarët e revoltuar nga kjo deklaratë, ku sipas tyre as me dekada të tëra nuk do të zhduket korrupsioni. “Ne do t’i bindim qytetarët që të shlyejnë detyrimet ndaj kompanisë, por edhe ne do të jemi korrekt me ata, në sferat që ju takojnë atyre. Qytetarëve nuk duhet tu mungojë energjia prandaj ne duhet të marrim të gjitha masat tona. Konsumatori paguan, prandaj ne jemi të detyruar që t’i shërbejmë. Ne jemi në shërbim të komunitetit dhe si të tillë ne do t’ju përgjigjemi në çdo situatë. Nuk dua që të kemi probleme me qytetarët dhe zonat industriale, ne do t’u faturojmë atyre aq energji elektrike sa ata kanë harxhuar”, tha Dollapi. Në këtë takim Hazendari pas marrjes së detyrës është shprehur: “Ne duhet të na karakterizojë ndershmëria, përkushtimi, rivlerësimi dhe të gjitha këto do të jenë në qendër të punës tonë të përditshme”.