Përfaqësuesit e transportit urban: Pa u përmbushur kërkesat nuk rinisim punën

508
Sigal

Transporti është një ndër sektorët më të goditur nga kriza e Covid-19. Situata e vështirë, në të cilën ndodhen operatorët dhe kërkesat e tyre ekonomike kanë mbajtur peng nisjen e këtij shërbimi, aq shumë të mirëpritur nga qytetarët. Teksa Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se shërbimi i transportit publik duhet të niste këtë të mërkurë, kjo nuk ka ndodhur, me përjashtim të disa linjave në transportit ndërqytetës. Për të diskutuar për këtë çështje tejet delikate ishin të ftuar Rixhin Qosja, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ervin Shijaku, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas. Qosja u shpreh se situata është shumë dramatike për këtë sektor. “Kemi që prej datës 11 mars të mbyllur, në kolaps ekonomik. Humbjet llogariten rreth 3 milionë në muaj. Në disa qytete kanë nisur linjat interurbane, të cilat ose nuk e kanë lexuar protokollin e sigurisë ose nuk e kanë kuptuar. Ky protokoll e bën të pamundur financiarisht si edhe ligjërisht për të filluar operimin”, u shpreh Rixhin Qosja. I të njëjtit mendim ishte edhe Ervin Shijaku, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas. “Është e pamundur të ofrohet shërbimi me atë protokoll që ka dalë. Kostot nuk përballohen. Sipas protokollit, në autobus duhet të kesh vetëm 50% të kapacitetit sepse personat duhet të ulen diagonalisht. Kjo bën që kosto të rritet me 50%. Në bazë të protokollit, çdo operator duhet të dezinfektojë autobusin pas çdo rruge. Por kostoja 55 mijë lekë është e pamundur”.