Përcjellje në Histori është festimi madhështor i luftës së Drashovicës

    612
    Sigal

    Me iniciativën e deputetit të PS-së, Fatmir Toçi, u restaurua memoriali i Luftës së Drashovicës   

    Cenimi i memorialëve të LANÇ-it, njollë e zezë turpi në histori

     Në vitet e tranzicionit demokratik në Shqipëri, fenomeni më paradoksal, që përbën një njollë të  zezë turpi, e pandodhur dhe e pashembullt  në asnjë vend dhe histori të popujve, është prishja e lapidarëve, memorialëve, si  edhe cenimi i varreve të dëshmorëve, si një “hakmarrje” klasore politike ndaj regjimit komunist që u përmbys. Asnjë popull, sado etapa shoqërore të ndërrojë, kurrë nuk ka ndodhur që të cenojë, të prishë dhe të shkatërrojë memorialët kushtuar luftës çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore. Sepse, vërtet, në Shqipëri, LANÇ u udhëhoq nga PKSH, por, gjithsesi, LANÇL, heronjtë, dëshmorët, partizanët e popullit shqiptar, që ishin protagonistët e LANÇ nuk mund të identifikohen me bëmat e regjimit komunist të pasluftës. E ca më keq, që përbën edhe kjo një turp historik të pashembullt në historinë e popujve, nuk mundet që bashkëpunëtorët e fashizmit e të nazizmit në Luftën e Dytë Botërore, të rehabilitohen. Një shembull. Sot në Greqi, bëhet një luftë e madhe politike, nëse politikani dhe ish-Kryeministri i Greqisë, Kostandinos Miçotaqis, kishte qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore një bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë. Edhe pse në Greqi, pas çlirimit nga gjermanët,  u bë luftë civile, prapëseprapë, bashkëpunimi me nazistët quhet edhe sot tradhti ndaj Atdheut. Ndërsa sot, në Shqipëri, bashkëpunëtorët e nazistëve gjermanëve  i rehabilitojnë, ndërkohë,  prishin e shkatërrojnë memorialët dhe varret e dëshmorëve dhe heronjve të LANÇ-it.

    Iniciativa e deputetit Toçi, të restaurohet Memorali i Luftës së Drashovicës

    Viktimë e vandalizmit  revanshist, u bë edhe memoriali i Luftës së Drashovicës, u cili jo vetëm u shkatërrua, u  bënë përpjekje për ta hedhur në erë, të shtyrë nga urrejtja dhe hakmarrja kundër LANÇ-it, me qëllim për ta fshirë nga kujtesa e historisë, nga kujtesa e popullit heroizmin e popullit të Vlorës, kundër nazistëve gjermanë. Deputeti i PS-së, i Qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, mori iniciativën që ky memorial i shëmbëlltyrës së heroizmit të popullit të Vlorës në luftën kundër nazistëve gjermanë të restaurohej, si një dëshmi e kujtesës historike të vetë popullit.

    Deputeti Fatmir Toçi për “Telegraf”

    Lufta politike në këto vite të demokracisë, ka ndikuar negativisht edhe në prishjen e shkatërrimin e memorialëve  deri në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Tani, LANÇL do të ketë vendin që i takon në Histori. Duke qenë në prag të përvjetorëve të mëdhenj të LANÇL, sikurse 70-vjetori i Luftës së Drashovicës, ndërmorëm iniciativën për rikonstruksionin dhe kthimin në identitet i Memorialit që evokon 2 luftëra të lavdishme të popullit të kësaj zone: Luftës së Vlorës më 1920 dhe Betejës së Drashovicës gjatë LNCL në shtator të vitit 1943. Nismës sonë për ta rivitalizuar këtë vepër monumentale të skulptorit Muntaz Dhrami, me kërkesën e veteranëve të rrethit të Vlorës, iu përgjigjën me mbështetjen e tyre dhjetëra dashamirës, ndër të cilët kryetari i Komunës së Kotës Meno Besimi, skulptori Zeqir Alizoti, Bujar Leskaj, Mezan Malaj, Ardian Resuli, Gentian Abazi dhe padyshim, kryeorganizatori i kësaj nisme, Xhevair Çeloaliaj. Ky memorial i Luftës së Drashovicës është edhe një vepër arti, një monument kulture. Iniciativa jonë për memorialin e Luftës së Drashovicës,  do të shërbejë si pikënisje për gjithë ngjarjet e mëdha të përvjetorëve të LANÇ-it të zonës. Ne do të vazhdojmë që të gjitha memorialët që përkujtojnë këtë luftë të lavdishme të popullit tonë, t’i ringjallim, t’i restaurojmë me kontributin e pushtetit vendor dhe të të gjithë dashamirësve që respektojnë LANÇ-in, që kanë të parët e tyre dëshmorë, heronj e protagonistë. Një komb, që nuk vlerëson luftërat dhe heronjtë e vet, nuk mund të ketë të ardhme.

    Nesër festohet me madhështi Lufta e Drashovicës

     Nesër ora 10:00  festohet me madhështi, pranë Monumentit të Luftës së Drashovicës (i saporestauruar) Lufta e Drashovicës.

    Historia e Luftës së Drashovicës

    70 vjet më parë, në Drashovicë u zhvillua një ndër të parat beteja të ashpra me pushtuesin e ri nazist gjerman në shkallë vendi dhe e para në Qarkun e Vlorës. Ajo, për nga objektivat, përfshirjen e gjerë të forcave partizane e atyre vullnetare territorial, kohëzgjatja prej 19 ditësh (15 Shtator-4 Tetor 1943), zë një vend të rëndësishëm në Historinë e LANÇL. Më 9 shtator 1943, forca të motorizuara naziste gjermane, duke sulmuar nga Kakavija për në Gjirokastër, Tepelenë në drejtim të Vlorës, me gjithë luftimet e përgjakshme të zhvilluara nga forcat partizane te Qarkut të Gjirokastrës, në datat 9 e 10 Shtator, falë epërsisë së teknikës së motorizuar, mundën të dalin në Drashovicë e këtej në Vlorë. Duke qenë se, zona e Drashovicës, paraqiste vlera ushtarake për sigurimin e shpinës së forcave të veta në qytetin të Vlorës, komanda gjermane vendosi të marrë atë nën kontroll. Për këtë, me një pjesë të forcave të Divizionit 100, organizoi mbrojtjen në rajonin Drashovicë-Kotë-Mavrovë-Kropisht, duke marrë masa shtesë për përforcimin e fortifikimin e mbrojtjes së garnizonit. Gjithashtu, aty gjendeshin edhe 50 depo me material ushtarak, armatime e municione të lëna nga forcat italiane dhe gjermanët, ndërkohë, grumbulluan në një kamp përqendrimi edhe rreth 6000 trupa italiane të kapura rob. Lufta e Drashovicës përbën njëkohësisht edhe betejën e parë ballore e Ushtrisë çlirimtare partizane dhe e të Forcave vullnetare territoriale kundër forcave pushtuesve gjermane. U organizua dhe zhvillua nën drejtimin e Komandës e të Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, krijuar një muaj më parë në Kuç të Kurveleshit, si dhe të Qarkorit të PKSH-së për Vlorën. Ky vendim i Shtabit të Zonës Operative dhe të Qarkorit për sulmin e asgjësimin e garnizonit gjerman në Drashovicë përcaktohej nga shumë faktorë e sidomos sepse Drashovica me rrethina e pushtuar nga forca gjermane gjendej në mes të Zonave të tjera të Lira të Qarkut dhe pengonte manovrën e lirë të forcave partizane. Gjithashtu, në këtë rajon gjendeshin edhe rezerva të mëdha material, armatimesh e municionesh, aq të domosdoshme për formacionet partizane. Në betejën e Drashovicës morën pjesë forcat partizane e vullnetare territoriale të Qarkut të Vlorës si batalionet partizane “Ismail Qemali” e “Halim Xhelo”, çetat partizane “Halim Rakipi” e “Hodo Zeqiri” si dhe Forcat vullnetare territorial të zonës dhe ato të ardhura nga Shullëri, Treblova, Tragjasi, Kudhësi e Rrëza. Për drejtimin konkret të veprimeve luftarake u krijua një shtab operativ në krye të të cilit u caktua Hysni Kapo dhe Islam Radovicka. Në idenë e betejës së përcaktuar nga Shtabi i Zonës së Parë Operative dhe Qarkori i Vlorës, parashikohej ndërmarrja e një sulmi të befasishëm natën, të njëkohshëm e me goditje koncentrike nga të gjitha anët mbi garnizonin e fortë gjerman në zonën: Drashovicë,-Kotë-Mavrovë-Kropisht, të asgjësohej ai, të çliroheshin 6000 ushtarë dhe oficerë italianë të mbyllur në kampin e përqendrimit të Mavrovës dhe të merrej ose në pamundësi të shkatërrohej materiali luftarak i armikut dhe të detyroheshin forcat gjermane të shtyheshin drejt Vlorës e për t’u bllokuar aty. Sipas planit, forcat partizane e vullnetare dolën në vijat e caktuara gjatë natës, duke u gdhirë 15 shtatori. Pas një përgatitje të shkurtër me artileri, forcat tona, duke shfrytëzuar errësirën e natës, në ora 01:00 kaluan në sulme të rrufeshme, duke zënë në befasi forcat gjermane. Forcat gjermane të gjendura mes sulmit të fuqishëm të forcave partizane e vullnetare dhe pas shpinës edhe nga plasjet në depot e municioneve si rezultat i goditjeve të artilerisë partizane, u përfshinë nga pështjellimi. Afër mëngjesit, forcat kishin lënë pozicionet e tyre dhe ishin drejt asgjësimit të plotë. Ndërkohë, u erdhën në ndihmë dy batalione me mjete të motorizuara nga drejtimi i Vlorës e më pas edhe një forcë tjetër nga Tepelena, të cilat arritën të bashkohen me forcat e garnizonit të Drashovicës. Duke ndjerë rrezikun e përsëritjes së sulmit, forcat gjermane, pasi asgjësuan gjithë depot italiane në fushën e Mavrovës, gjatë natës 15-16 shtator, kaluan në mbrojtje te Ura e vjetër e Drashovicës e deri në Sherishtë. Pas dy ditë luftimesh të ashpra, forcat partizane e detyruan armikun të tërhiqen edhe nga kjo vijë dhe të zënë vijë tjetër mbrojtëse, 5-6 km larg qytetit të Vlorës. Pasi thyen disa kundërsulme të forcave gjermane, forcat partizane e vullnetare, u përforcuan në vijën Qafa e Zallit deri në pjerrësitë perëndimore të Shashicës. Rreth kësaj vije vijuan luftimet deri në datat 3-4 Tetor, kur komanda gjermane, pasi mori përforcime të reja, filluan operacionin “Eljot”. Forcat partizane zhvilluan 2-3 ditë luftime të ashpra për thyerjen e operacionit armik. Komanda e Shtabi i Zonës së Parë Operative, duke parë epërsinë e dukshme të armikut në forca e mjete e për të ruajtur nga asgjësimi forcat e veta, urdhëroi tërheqjen e tyre, me luftime në malet e Çikës, për t’i shpëtuar rrethimit. Kështu beteja e Drashovicës, duke marrë pamjen e një lufte ballore me forcat naziste gjermane, forcat partizane patën 20 të vrarë e rreth 50 të plagosur, mes të cilëve edhe Hysni Kapo.