Pëllumb Gorica: Lundrim nëpër damarët blu të alpeve

82
Pëllumb Gorica
Sigal

E ndjej gjithëherë bukurinë mrekulluese që ka Natyra Shqiptare, së bashku me vlerat e mirëfillta njerëzore, historike dhe kulturore dhe nuk mund të rri pa i pikturuar me fjalë.

Makina jonë shpejtonte drejt liqenit të Komanit. Nuk është hera e parë që shkoj atje, duke pasur një ndjenjë lumturie, si një zog që fluturon në hapësira të pakufizuara për të kënaqur sytë me gjithçka, që shkrihet në të.

Në Vaun e Dejës (aty ku dikur me vah kalohej lumi Drin) udha ndahet: Njëra shkon për në Pukë e tjetra të çon në Koman, si e vetmja rrugë tokësore. Është larg nëpër një terren të thyer e asfalt të shkatërruar, me vështirësi për të udhëtuar (prej vitesh nuk ka pasur fare kujdesje).

Megjithëse gjithë kthesa e gjarpërime, ajo zhurmon nga motorë, vetura, mikrobusë e autobusë.

Shiu i ditëve të fundit e kishte shkëlyer edhe më shumë: me gropa dhe shembje të shpateve.

Hasëm një fadromë, që rrotullohej në baltën (si Hidra Mitike me tri kokë) dhe dy – tre punëtorë që lironin gurët e dherat.

Rruga, e mbetur kështu nga paaftësia e qeverive të Pasnëntëdhjetës, të kujton Migjenin që thoshte: “Zani i lypnisë nuk mbërrin në kullat e larta, ku flenë mbretërit me zonjat e bukurisë”.

Rebelohesh kundrejt papërgjeshmërisë së pushtetarëve dhe sidomos kundër shurdhërisë e miopisë egoiste të tyre, të cilët, për ironi, janë ata që shkatërruan këtë komb e vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e tij.

Nuk ka gjëra të bukura pa vështirësi. E vërtetë. Por ka aq shumë bukuri, pas çdo vështirësie.

Me këto dhe shumë mendime të tjera që të pushtojnë, të vjen në sy imazhi i një Shqipërie, që ecën aq ngadalë, si udhëtimi drejt Komanit, i mundimshëm, i cili duket sikur është bërë për të penguar zhvillimin e saj.

Po pamjet plot hijeshi, që shpalosen para syve, të mjaftojnë të harrosh vështirësitë e rrugës.

Komani si histori, si natyrë, si traditë…

Kur udhëton në Veriun e Shqipërisë, ai nuk të duket aspak i nëmur, por i bekuar nga vetë perënditë, duke lënë dëshmi të pashlyera me plot mistere e vlera të banorëve, që kurrë nuk ulën kryet ndër breza dhe mbrojtën racën Ilire – Arbërore.

Alpet Shqiptare janë shtrati i fundit ku banojnë Mitet Antike e Mesjetare, kultet pagane e ritet e lindjes, martesës dhe vdekjes, si në veprat homerike, të cilat Literatura Botërore ende i identifikon si Trashëgimi Greke e Romake, duke shmangur identifikimin me përbërësin tjetër, atë Ilir.

Rruga kalon nëpër lugina me përrenj, pyje dhe kodra, që “thyejnë qafën”, apo “mbyten” në Drin.

Qyshse del nga Vau i Dejës, në horizont shfaqen ngulmimet: Vilëza, Mazreku, Shpori, Barcolla, Kroi i Madh, Vukjakaji, Gegaj, Mjegull, Palaj – Gushtë, që patën zhvillim kulturor – ekonomik, nga rrugët që lidhnin Adriatikun me Verilindjen, të cilat nuk ndërpriteshin as nga marrëzitë e klimës.

Nga Shkodra ka kaluar dikur rruga ushtarake që vinte prej viseve të Malit të Zi e vijonte përgjatë Drinit, duke mbërritur në Dardani.

Kanë kaluar shekuj dhe vetë historia, me burra me të cilët krenohet toka shqiptare.

Ajri të përcjell mërmërima të lehta ujërash, që zbresin nga honet shkëmbore, si një këngë melodike; jehojnë cicërimat e zogjve, së bashku me blegërimat e bagëtive. Ndjen pëshpërimat e Luginës së Komanit. Mjafton të zgjasje dorën jashtë xhamit të makinës dhe të përkëdhelesh edhe nga një degë e gjelbër. Pushuam pak në vendin aty buronte një krua që vinte nga malet.

Të kap syri lopë, kuaj, dele e dhi, që të përshëndesin me një të rënë bishti, të cilat makina jonë i lë të ikin në udhën e tyre.

Kalojmë pranë Gushtës, që do të thotë “e nderuar dhe e respektuar”, sipër së cilës qëndron Kalaja e Dalmacisë. Në këtë vend duken qartë gjurmët e së kaluarës, si në emrat e Vendeve të Shenjta, ashtu edhe toponimet me domethëniet e tyre.

Aty gjendet toponimi “Gjurma e Shejtit “qysh në kohën e Ilirëve dhe është trashëguar deri në ditët e sotme, ndërkohë që thuhet, sipas traditës, se është e Shën Gjergjit, i cili vret kuçedrën, mbasi ajo kërkonte çdo ditë një njeri t’i bëhej fli.

Para nesh shtrihej Gryka e Komanit. Në vitin 1863, studiuesi Johan von Hann, kalon Drinin për të vizituar Toplanën, Mollën e Shoshit, Qerretin, Arrën, Guminën, Dushmanin, Apripën, etj; si edhe banorët që kanë jetuar me shekuj buzë tij. Më pas shkroi librin “Nëpër viset e Drinit”.

Ai përshkruan egërsinë dhe bukurinë e ashpër të lumit dhe të maleve:

“Gryka e Komanit është ndoshta më e bukura që kemi parë dhe njeriu nuk di ku të hedhë sytë e ç’të sodisë më parë: tërë panoramën, apo pjesë të veçanta të saj, me format fantastike të shtresave në ngjyrë të ndezur të faqeve, që zbresin, prej të cilave pemët varen duke prekur edhe sipërfaqen e ujit” (Hahn: “Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit”)

Kujtojmë se 117 vjet më vonë, pikërisht në këtë grykë të papërsëritshme të Drinit, hedh shtat diga madhështore e H/C – t të Komanit, me lartësi 115 m, si kështjellë e betonuar, duke bashkuar të dy anët e saj, për të krijuar një vëllim ujërash prej 450 milionë m3, i cili kthehet në energji, duke u vënë në lëvizje agregate e turbina me ujin, që gjëmon si bubullimat e shtërngatave natyrore. (Kush e mendonte atëherë se ky lumë i egër, i kthyer në liqen në 1980, do të ushqente vendin me energji elektrike dhe do bëhej udhë kalimi për mijëra turistë nga të katër anët e Botës?!)

Çdo bukuri mahnitëse, që krijon njeriu, nuk mund të krahasohet me atë çfarë ka krijuar Natyra, por ve re se ajo që ka ndërtuar dora e njeriut i ka lënë shumë pak kësaj së parës.

Ngritja e digës dhe krijimi i ujëmbledhësit sikur ka shkrirë talentin e atyre mijëra njerëzve, të cilët ndërtuan plot “veprat e mëdha”. Edhe pse me filozofinë e dështuar të Socializmit, sot na shërben më së miri dhe ne do vazhdojmë ta përmendim si shembull në historinë e djeshme të Shqipërisë.

Aty ku heshtin burimet (historike), fillojnë të flasin gërmimet (arkeologjike)

Një udhëtim panoramik të luginës dhe të gjithë peizazhit që krijon liqeni i përzgjatur, bimësia dhe kontrastet morfologjike e përjeton edhe në këndvështrimin e një vendi përplot me histori.

Nga gjetjet merr emrin (“Qytetërimi i Komanit”), me fillesa qysh prej shek. III – IV (pas Krishtit) mjaft i njohur për nga rëndësia historike të lidhjes midis Ilirëve (të parëve tanë) Arbërorëve dhe Shqiptarëve të sotëm. Një kulturë me banime e ndërtime, për kohën mjaft të përparuara, të cilat kanë gjurmë edhe sot.

Janë pikërisht të huajt, që kanë shkruar për historinë e Kulturës së Komanit: në Arkeologji, Histori, Letërsi, Gjuhësi, Etnografi, Antropologji, etj.

Kronikanët romakë Dio Cassius, Suetonius, si edhe Tiberius, theksojnë se Lugina e Drinit është djegur e rrafshuar nga Legjionet Romake gjatë rebelimit të madh ilir “Bellum Batonianum”, që ne e njohim si Kryengritja e Dy Batove, përgjatë përballjeve mbijetuese në luftërat me romakët e Viteve 6 – 9 (mbas Krishtit).

Por, për fat të keq, Ilirët i paguan shumë shtrenjtë këto kryengritje, pasi Legjionet Romake rrafshuan çdo gjë (si gjithë Historia jonë në mijëra vjet) me djegie, shkatërrime, humbje, rrëmbime e përdhosje.

Gërmimet kohë më parë të të huajve, për interesat e veta, kanë zbuluar shumë fakte, duke e zgjuar nga gjumi këtë kulturë të madhe e të ndritur komanase.

Këto shtonin njohuritë dhe hodhën një dritë të re e krijuan interes të madh për arkeologët.

Duke gjurmuar rrjedhën e Drinit, konsullit francez në Shkodër A.Degrand iu duk interesant Komani dhe, i nisur nga legjenda e zbulimit të Trojës prej Shlimanit (1889), por edhe nga legjenda e Lisit të Floririt, u çart të gërmonte, por fatmirësisht nuk gjeti flori, por një varrezë të lashtë ilire, të një prej periudhave më të errta të historisë sonë, siç është ajo 435- vjeçare pas fundit të Perandorisë Romake.

U kryen gërmime nga arkeologu italian Ugolini më 1924, ku u nxorën në dritë ornamente të para 1500 vjetëve, të cilat vazhdojnë të jenë funksionale edhe te popullsia e sotme: si vathë, unaza, vegla pune, qëndisje, etj.

Në një unazë të tillë të studiuar, arkeologia bullgare Ludmilla Ognenova thotë se aty ishte stampuar një formulë kristiane: “KYRIE VOITHI. (Ndihmo o Zot)”.

Kjo i takon shekullit VI – VIII para Krishtit.

Fatkeqësi ishte që H/C – i i Komanit mbuloi gjithë të kaluarën e këtij vendi të mrekullueshëm, pa arritur të nxjerrë në pah vlerat e kahjeve historike të kulturës së tij. Gërmimet dhe gjetjet e viteve të fundit, të kryera nga arkeologia Etleva Nallbani, kanë hedhur dritë për 12 kishat, varrezat e saj, të shtrirë në më shumë se 80 ha, me punishtet e metalit e të qelqit, me rrugë dhe rrjetin e furnizimit me ujë, me Kulturën Mesjetare nga Iliria e deri tek Kultura e Arbrit.

Por ka shumë vështirësi evidentimi i atyre, që flenë nën tokë, për shkak të sjelljes sonë mjerane me Historinë dhe Kulturën.

Ato duhet të zbulohen që t’i shërbejnë Turizmit Historik dhe, pavarësisht rrokopujës ku noton sot Shqipëria, ky vend i panjohur duhet të njihet.

Në kërkim të gjurmëve historike të Komanit ka ngjallur kureshtje emërtimi i tij i formuar nga bashkimi i dy njërroksheve: ko – man.

Kuptimi i emërtimit është “Kjo mban”, që lidhet me qëndrueshmërinë e tokës, ku ka qenë ndërtuar ky vendbanim, pasi vendi atje ku ndërtohej, ishte me rëndësi të jashtzakonshme për banorët e Lashtësisë.

Në trungun e fjalëve të lashta “kome” i kanë thënë jeles së kalit; sepse ky varg malor ngjan si jele kali.

Emri Koman ka fort gjasa të jetë i lidhur me ritualin antik të Kumarisë, që ka luajtur rol parësor në trashgiminë cilësore të trevës.

Te Eposi i Kreshnikëve thelbi i kulteve lidhet pikërisht me trashëgiminë, ligjet dhe doket.

Liqeni, kanionet, shpellat dhe kreshtat, si një Zvicër e vogël.

Drini, ky lumë i egër, do të bëhej H/C me liqenin e tij, që përveçse ofron një pamje të mrekullueshme kreshtave shkëmbore, që shkojnë deri në 1500 m, ka kohë që është kthyer në një udhë lundrimi drejt Tropojës e anasjelltas, prej më shumë se dy orë.

Kjo i jep një përmasë madhështore këtij liqeni, ndryshe nga simboli i udhëtimit të shqiptarëve ndër shekuj dhe njerëzit dalëngadalë filluan ta frekuentonin atë e të përfitonin prej saj, edhe pse me ndërtimin e autostradës për Kosovë nga Miloti, pësoi një ulje lëvizjesh.

Kur mbërrijmë afër digës, rruga ngjitet gjithë gjarpërime. Ajo të fut në një tunel të ngushtë deri te kalata e trageteve. Dhjetra varka të rreshtuara rrëmujshëm dhe zhurma e tragetit, që ngarkohej me kamiona e pasagjerë.

Kam udhëtuar për herë të parë në fillim të Viteve ‘90 për Tropojë. Trageti ishte rrangall, por bukuria e natyrës të linte pa frymë.

Udhëtojmë me tragetin “Alpin” tashmë, i cili rrëshqet mbi liqen përmes peizazhit, që rrethon emër vendet, kullat fortesa, kishat e lashta dhe gjithçka tjetër që i përket trashëgimisë kulturore, shpirtërore të Gegërisë, të cilat datojnë që nga koha e Ilirëve.

Të heshtura kullat anëmbanë brigjeve, të njohura për besë, bukë, kripë e zemër e burrëri.

Shikon shtëpi dhe mullarë me kashtë, ndonjë bujtinë, që shfaq vlera, histori, kulturë, antropologji dhe gastronomi; shikon kryqe, në harmoni kjo me identitetin katolik të zonës.

Shikon formacione shkëmbore, ku në të njëjtën faqe si e prerë me thikë ka vegjitacion, kurse në pjesën tjetër jo, krejtësisht djerrë.  Shkëmbinjtë shfaqin forma magjepëse, që e venë vizitorin në mendim.

Një shkëmb lart mbi liqen dukej si një luan i shtrirë.

Ishte një pamje emocionuese vargu i maleve përrallore të Alpeve.

Maja legjendare e Solomonit zbardhon dhe, mes shkëmbinjve të përhimtë e të tisit të reve zvarritëse, ruan pasuri nën tokë e mbi tokë. Ju do thoni: Pse, edhe Solomon ka në Dukagjin?!

“Një vis i egër, ku s’ka shkelë kurrë këmba e kalit’, kaq i thyeshëm është ky vend”, siç shkruante në atë kohë poeti Martin Camaj.

Në brigjet e Berishës, ose siç quhet Katundi i Kishës është Ishulli i Paqes. Toka e Shën Jozefit.

Liqeni rritet shumë në gjatësi dhe me format e pasqyrimit, të rrëmben në sinoret e kaltërsisë. Herë dremit, herë lëkund lehtas në brigjet duke murmëritur mistikshëm; herë zgjerohet me degëzime e xhepa ujorë; herë ngushtohet në mes të shpateve shkëmbore, që ngrihen thikë përpjetë, me gdhendjet virtuoze si vepra arkitekturore, duke e bërë tërheqës udhëtimin. Lumenjtë gjarpërues e ushqejnë atë.

Varkat e shpejta, që nga larg ngjasonin si bretkosa, trageti i lë të ikin në udhën e kaltër.

Rrezet e ngrohta të Diellit, të thërmuara në mijëra copa, i jepnin liqenit një shkëlqim të argjendtë, si të spërkateshin nga legjendat e shumta, që kanë djepin e artë këtyre anëve.

Së largu, gryka e lumit magjik të Shalës (Lesniqja), që gjarpëron nga Thethi e derdhet në liqen. Prej andej shtjella ajri të freskëta të shpupurisin flokët. Aty ndodhet edhe Kanioni Kaçiverr: Më tej Blini i Gurit, ku, sipas legjendës, princi Lekë Dukagjini, bashkë me malësorët e tij, qëndruan tre muaj të rrethuar nga Ushtria Turke dhe dolën fitimtarë.

Këtu jehonte kushtrimi i luftëtarëve historikë: Mujit dhe Halilit me kreshnikët e tjerë, i historive të burrave të moçëm, legjendave mbi dragonjtë e kuçedrat, orët dhe zanat e malit, që të ndëshkonin kur vije dorë mbi thesaret e fshehura.

Ja edhe shkëmbi i pjerrët i Rajës, në Nikaj – Mërtur.

Udhëtimi në rrugë ujore gjatë liqenit të Komanit dhe përtej saj, të kësaj natyre, në historinë e lashtë e të re, me bukuritë joshëse, të sjell aq shumë kënaqësi.

As ditë të tëra nuk do të mund të mjaftonin të përshkruash gjithë atë bukuri që Zoti e ka dhuruar dhe e kanë bekuar njerëzit e virtytshëm të atyre anëve.