PEFA- Mbështetje për menaxhimin e Financave Publike

770
Sigal
Nga: Selime Bregu & Marjola Llanaj, Audituese, KLSH
PEFA është një komponent kyç i kornizës IDA (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) në agjendën e 18 monitoruese, si një është iniciativë e Bankës Botërore për vendet në zhvillim. Partner në PEFA janë: Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe qeveritë e Francës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretëria e Bashkuar.
Shpenzimet Publike dhe programi i llogaridhënies financiare (PEFA) siguron një kuadër për vlerësimin dhe raportimin mbi pikat e forta dhe të dobëta të menaxhimit të financave publike (MFP), duke përdorur tregues sasiorë për matjen e performancës. PEFA është projektuar për të siguruar një pasqyrë të performancës së MFP në pikat specifike në kohë, duke përdorur një metodologji që mund të përsëritet në vlerësimet e njëpasnjëshme, duke i dhënë një përmbledhje të ndryshimeve me kalimin e kohës.

Korniza e PEFA përfshin një raport që ofron një pasqyrë të sistemit të MFP dhe të matjes, të bazuara në dëshmi kundrejt 31 indikatorëve të performancës. Ai gjithashtu, siguron një vlerësim të implikimeve për sistemin e përgjithshëm të performancës dhe rezultatet e pritshme publike të menaxhimit financiar. Ai siguron një bazë për planifikimin e reformave, dialog mbi strategjinë dhe prioritetet, si dhe procesin e monitorimit.
PEFA është një mjet që ndihmon qeveritë për të arritur përmirësime të qëndrueshme në praktikat e MFP-së, duke siguruar një mjet për të matur dhe monitoruar performancën kundrejt një game të rëndësishme të menaxhimit të institucioneve të financave publike, sistemet dhe proceset. Metodologjia e PEFA-s mbështetet në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira mbi aspekte të rëndësishme të MFP-së, të identifikuara nga praktikuesit me përvojë.
PEFA ka si qëllim të raportojë mjedisin ekonomik, të shqyrtojë natyrën e politikave të bazuara në strategjitë dhe planifikimin dhe të analizojë se si vendimet buxhetore janë zbatuar. Vlerësimet e PEFA shqyrtojnë kontrollet e përdorura nga qeveritë për të siguruar që burimet janë marrë dhe përdorur si kanë qenë planifikuar, si dhe ofrimin e shërbimeve eficiente brenda burimeve në dispozicion.
PEFA ofron një kornizë për vlerësimin e transparencës dhe llogaridhënies në aspektin e qasjes në informacion, raportimit dhe auditimit, dialogun mbi politikat dhe veprimet e MFP-së. 
PEFA identifikon shtatë shtyllat e performancës në një sistem të hapur dhe të rregullt të MFP-së që janë të domosdoshme për arritjen e objektivave, si më poshtë:
I. Besueshmërinë e buxhetit. Buxheti i qeverisë është realist dhe zbatohet si duhet, duke krahasuar të ardhurat dhe shpenzimet aktuale me buxhetin fillestar të miratuar.
II. Transparenca e financave publike. Kjo arrihet nëpërmjet transparencës së të gjithë të ardhurave të qeverisë dhe shpenzimeve të saj, përfshirë transfertat ndërqeveritare, performancën e ofrimit të shërbimeve dhe akses në dokumentacionin fiskal dhe buxhetor për përdoruesit. 
III. Menaxhimi i aktiveve dhe detyrimeve. Menaxhimi efektiv i aktiveve dhe detyrimeve siguron që pasuritë janë regjistruar dhe menaxhuar, investimet publike japin vlerën për para, rrisqet fiskale janë identifikuar, borxhet dhe garancitë janë planifikuar me kujdes, janë miratuar dhe monitoruar.
IV. Politikat e bazuara në strategjinë fiskale dhe buxhetimin. Vlerësohet nëse strategjia fiskale dhe buxheti janë përgatitur mbështetur në politikat qeveritare fiskale, planet strategjike, si dhe parashikimet makroekonomike dhe fiskale adekuate.
V. Parashikueshmëria dhe kontrolli në ekzekutimin e buxhetit. Buxheti është realizuar në kuadër të një sistemi të ngritur sipas standardeve në fuqi, proceset dhe kontrollet e brendshme janë kryer, duke siguruar se burimet janë marrë dhe përdorur sipas qëllimit.
VI. Kontabiliteti dhe raportimi. Sa të sakta dhe të besueshme janë të dhënat, informacioni që është prodhuar dhe a është shpërndarë në kohën e duhur. Të gjitha këto për të përmbushur vendimmarrjen, menaxhimin, dhe nevojat e raportimit.
VII. Shqyrtimi i jashtëm dhe auditimi. Financat publike shqyrtohen në mënyrë të pavarur, nga Parlamenti dhe SAI, si dhe ndiqet zbatimi i rekomandimeve për përmirësim e situatës nga ana e ekzekutivit.
Brenda këtyre shtatë shtyllave, PEFA përcakton 31 tregues të veçantë, që fokusohen në 94 indikatorë që përqendrohen në aspektet kryesore të matshme të sistemit të MFP-së. PEFA përdor rezultatet e përllogaritjeve të treguesve individualë, të cilët bazohen në prova të disponueshme, për të dhënë një vlerësim të integruar të sistemit të MFP në shtatë shtyllat e performancës.
Në shtyllën VII, në treguesin 30 përfshihet dhe auditimi i jashtëm, në rastin tonë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Udhëzuesi për matjen e dimensionit 30.4 (Auditimi i jashtëm) vlerëson pavarësinë e SAI-t nga ekzekutivi. Pavarësia është thelbësore për një sistem efektiv dhe të besueshëm të llogaridhënies financiare dhe duhet të përcaktohet në Kushtetutë.

Në praktikë, pavarësia demonstrohet me mënyrën e emërimit të Kryetarit të KLSH-së; mosinterferimi në planifikimin dhe zbatimin e punës audituese të KLSH, si dhe në miratimin e buxhetit dhe procedurat e përdorimit të fondeve të buxhetit të KLSH-së. 

Mandati i SAI-t duhet të mbulojë çdo njësi qeverisëse dhe mundëson që KLSH të kryejë një gamë të plotë të aktiviteteve të auditimit, veçanërisht financiare, pajtueshmërisë dhe auditimit të performancës. KLSH duhet të ketë qasje të pakufizuar në dokumente, të dhëna dhe informacion. Duhet të theksohet se auditimet e performancës mbulohen nga PI-8, ndërsa PI-30 është përqendruar në Auditimet e raporteve financiare vjetore të qeverisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë shtetëror i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, i pavarur, i cili ushtron kompetencat e tij duke iu nënshtruar Kushtetutës dhe ligjeve. 
Pra PEFA vlerëson ndikimin e mundshëm të niveleve të performancës së MFP-së në tre rezultatet e dëshiruara buxhetore: disiplina e agreguar fiskale, shpërndarja strategjike e burimeve dhe ofrimi i shërbimeve efikase.