Pazari i Korçës kthehet në pikë referimi për turizmin

230

Shndërrimi i  Pazarit të Vjetër të Korçës në një pikë referimi për turizmin në qytetin juglindor është qëllimi i aktiviteteve që po organizon bashkia të shtunën, në kuadër të nismës “Investo në Pazar”. Qëllimi i këtij aktiviteti është të promovojë trashëgiminë kulturore të qytetit si edhe të nxisë bashkëpunimin midis qiradhënësve dhe qiramarrësve. Aktiviteti ka nisur paradite me promovimin e ushqimeve tradicionale dhe produkteve të tjera të kulinarisë së zonës. Ndërkohë në një aktivitet përmbledhës që u zhvillua pasditen e së shtunës u hodhën ide të reja për ta çuar pazarin në një stad të mëtejshëm të zhvillimit të tij. Mbrëmja do të kulmojë me një koncert ku do të performojnë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare, si Mariza Ikonomi dhe Marsela Çibukaj. Aktiviteti, deri tani ka dhënë garancinë, se vijueshmëria e Pazarit të Vjetër me hapjen e dyqaneve do të ketë sukses dhe do ta kthejë këtë zonë të rëndësishme të qytetit, në një pikë referimi për turizmin në Korçë.