Pas Kakavijës, karavan i gjatë mjetesh dhe në Kapshticë, qytetarët kërkojnë ti shpëtojnë karantinës

284
Sigal

Radhë kilometrike shënohen edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Janë me qindra mjete dhe mijëra udhëtarë të cilët presin për të kaluar kufirin shqiptar drejt shtetit grek, në një radhë e cila shkon në të paktën 4 km gjatësi.

Shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi thonë se janë telefonuar edhe nga pronarët e tyre nga Greqia, të cilët u kanë kërkuar të përfundojnë pushimet dhe të kthehen para datës 16 gusht në Greqi, për të shpëtuar nga karantina 7 ditore, pasi në të kundërt mund të humbin vendet e tyre të punës. “Pengesat janë shumë të mëdha. Çfarë do bëhet nuk e dimë” thotë një udhëtar. “Kemi që në tetë të mëngjesit dhe ora është 12”, thotë një tjetër me pamje të rraskapitur.

Në afërsi të Doganës së Kapshticës mjetet qëndrojnë edhe në 3, 4, apo 5 korsi në pritje për të kryer procedurat kufitare. Pala shqiptare po punon me numër maksimal sportelesh. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 1210 shtetas dhe kanë dalë 2604 të tjerë. Edhe Kapshtica ashtu si Kakavija mbyllet nga ora 22.00- 06.00 të mëngjesit, ç’ka e vonon shumë lëvizjen e lirshme të qytetarëve, duke krijuar radhë që bëhen të padurueshme.