Pas 18 orësh, lirohen 15 të shoqëruarit për vrasjen e Gëzim Sinomatit, policia kërkon një BMW të shitur në Vlorë

25
Sigal

Pas më shumë se 18 orësh, policia e Vlorës ka liruar 15 të shoqëruarit në lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Gëzim Sinomati. Policia nuk arriti të gjejë asnjë provë të vlefshme për të implikuar personat që janë kanë skeduar si të dyshuar.

Nga hetimet policia lokale sipas grupit hetimor, ka pikasur një automjet që dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen nga vendngjarja. Sipas bluve, mjeti rezulton i shitur në Vlorë, por pa akt shitje.

Dyshohet se ky automjet në pronësi të një shtetasi nga Elbasani ka larguar autorët nga vendi ku u dogj automjeti tip BMW me të cilin u krye atentati mafioz.

Sinomati, 23 vjeç, u ekzekutua me një plumb në kokë mbrëmjen e së dielës teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Autori dyshohet se ka qëlluar me një snajper sapo Sinomati ka dalë në ballkon për të pirë një cigare. Më pas autori me ndihmën e të paktën dy personave të tjerë është larguar nga vendngjarja duke përfituar edhe nga errësira që në ato momente mbizotëronte në zonë.

Rreth një orë pas ngjarjes, policia gjeti në lagjen “24 Maji” një makine tip “BMW” e djegur që dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes. Burimet thonë se deri më tani nuk është gjetur ende arma e krimit, ndërsa një nga pistat e hetimit për vrasjen është hakmarrja, kjo për shkak se 23-vjeçari është djali i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë, i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000.

2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gramë lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e së dielës iu ekzekutua edhe Gëzim Sinomati.