“Parlamenti është kthyer në bunker të fjalës së ndaluar”, Berisha: Qeveritarët u vijnë një herë në katër vjet me thasët me euro për t’u marrë votën

71
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në protestën e tretë radhazi se parlamenti është shndërruar në një bunker të fjalës së lirë.

Sipas tij “ju protestoni sot për çdo shqiptar i cili beson pavarësisht se për cilën forcë politike ka votuar, beson se aty në parlament ata që përfaqësojnë opozitën janë për t’ia thënë të vërtetat në sy qeverisë. Ju protestoni sot për të gjithë ata shqiptarë të cilët dëgjojnë për një mori të pafundme aferash dhe duhet të dinë të vërtetën”.

“Pse ky Parlament nga tempull i fjalës së lirë është shndërruar në bunker të fjalës së ndaluar? Çdo hajdut që të futet në shtëpi për të vjedhur, nëse e kap në flagrancë, tenton edhe të të vrasë. Këta nuk futen në shtëpitë tona si banda, por futen në xhepat tonë, në taksat tona. Këta vjedhin natën, vjedhin ditën, vjedhin në terr, vjedhin çdo muaj e çdo vit. Këta i urrejnë qytetarët. Ata vijnë te ju njëherë në katër vite. Vijnë me thasët e mbushur me euro që ua kanë vjedhur ju. Ata vijnë për të blerë votat”, u shpreh Berisha.